Lideri i opozitës së Venezuelës Juan Guaido është larguar të enjten nga Karakasi, së bashku me 80 ligjvënës, për t’u nisur në kufirin me Kolumbinë, ku pritet të çoj ushqime dhe ilaçe për popullin atje.
Qeveria e Brazilit po ashtu ka thënë se do të dërgojë ndihma përmes disa kamionëve, të cilët i ka siguruar Guaido. Mirëpo Maduro i ka cilësuar këto veprime si “provokim”. Ai ka thënë në disa komente televizive se planet e opozitës kanë për qëllim që të dëmtojnë qeverisjen e tij.
“Nuk dua të marrë ndonjë vendim të këtij lloji, mirëpo jam duke shqyrtuar mbylljen e kufirit me Kolumbinë”, është shprehur Maduro.
Guaido ende nuk ka treguar detaje se si do të hyjnë ndihmat në Venezuelë. Figurat opozitare kanë propozuar krijimin e zinxhiri-njerëzor, në mënyrë që t’i kalojnë pakot nga njëri person te tjetri.
Maduro ka kundërshtuar gjithë këto organizime për ndihma dhe ka akuzuar administratën e presidentit amerikan, Donald Trump për tentim të përmbysjes së pushtetit të tij.