E Ngarkuara me Punë e Ambasadës së Shteteve të Bashkuara, Leyla Moses-Ones deklaroi sot se “SHBA e mbështet Shqipërinë në transformimin e sistemit të drejtësisë”.
Duke folur në ceremoninë e diplomimit të studentëve të rinj të shkollës së Magjistraturës, Moses-Ones kërkoi nga magjistratët e rinj që të mbajnë sytë hapur për të luftuar krimin dhe korrupsionin në Shqipëri.
“Ju mund të jeni pjesë e diçkaje më të madhe se vetja juaj, mund të zgjidhni për t’i dhënë progres Reformës në Drejtësi, për të ecur përpara dhe ju jeni kryesorë për këto përpjekje. Përpjekjet tuaja do të jenë mjaft të rëndësishme për sistemin e ri të drejtësisë në Shqipëri. Do të merrni vendime për një sistem drejtësie, transparent për të luftuar korrupsionin”, – tha Moses-Ones.
“Ju do të flisni për ato që besojnë tek sistemi i drejtësisë. Për një sistem ku do të respektohet çdo individ. Ju bëj thirrje për një Shqipëri më demokratike, të përfaqësoni profesionin tuaj të ri në mënyrë të suksesshme. Duhet t’i mbani sytë hapur ndaj pabarazisë dhe korrupsionit, të jeni vigjilentë ndaj tyre. Secili mund të japë shpresa për këtë vend dhe nëse bëheni bashkë përpjekjet tuaja do të krijojnë diçka mjaft të rëndësishme. Është momenti juaj për të qenë pjesë e diçkaje të madhe”, – iu drejtua E Ngarkuara me Punë e Ambasadës së Shteteve të Bashkuara, Leyla Moses-Ones studentëve të diplomuar.