Brenda vitit 2022 në Mal të Zi ranë dy qeveri. Në fillim të vitit deputetët e votuan mosbesimin për ish-kryeministrin Zdravko Krivokapiq, ndërsa disa muaj më vonë fat të njëjtë pati kryeministri në detyrë Dritan Abazoviq.
Qeveria e parë malazeze e formuar pa Partinë Demokratike e Socialistëve të Milo Gjukanoviqit dhe e udhëhequr nga Zdravko Krivokapiq ra në shkurt, pasi kryeministri i atëhershëm i “ktheu shpinën” të vetmit zëvendëskryeministër Dritan Abazoviq.
Dukej se kjo do të ishte një pikë kthese në politikën e brendshme malazeze, sepse qeveria e Krivokapiqit ishte e afërt me Kishën Ortodokse Serbe, e cila ndikoi në shumë vendime të saj, por do të tregohet se është pikërisht qëndrimi i qeverisë ndaj KOS-it baza e mosmarrëveshjeve brenda partive politike në Mal të Zi.
Qeveria e re, e dyta pas zgjedhjeve parlamentare të gushtit 2020, kur Millo Gjukanoviq u mund në zgjedhje për herë të parë pas 30 vitesh, u formua nga Dritan Abazoviq me parti politike promalazeze dhe minoritare. Partia Demokratike e Socialistëve Millo Gjukanoviq nuk iu bashkua qeverisë së Abazoviqit, por e mbështeti atë.
Megjithatë, koalicioni i ri qeverisës nuk zgjati shumë. Qeveria e Abazoviqit e humbi mbështetjen e partnerëve të saj pas vetëm katër muajsh, (më 28 gusht) për shkak të nënshkrimit të Marrëveshjes Themelore me Kishën Ortodokse Serbe, e cila, siç pretendonin kundërshtarët e saj, ia kaloi Patriarkanës së Beogradit trashëgiminë kulturore dhe historike malazeze.
DPS-ja e Gjukanoviqit dhe partitë e tjera pro-Malit të Zi në Parlamentin e Malit të Zi votuan mosbesimin ndaj qeverisë së Abazovicit në gusht dhe ai mbeti kryeministër në një mandat teknik.
Përmbajtja e marrëveshjes me KOS-in
Marrëveshja e nënshkruar mes Qeverisë së Malit të Zi dhe Kishës Ortodokse Serbe përbëhet nga 20 nene.
Me këtë marrëveshje (shteti dhe kisha) janë pajtuar se secili në fushën e tyre të veprimtarisë janë të pavarur dhe angazhohen të respektojnë plotësisht këtë parim në marrëdhëniet e tyre të ndërsjella.
Tutje, në marrëveshje qëndron se shteti (Mali i Zi) njeh vazhdimësinë e subjektivitetit juridik dhe, në përputhje me Kushtetutën e tij, garanton Kishën dhe personat e saj juridikë kishtarë.
Verëjtjet dhe ankesat e opinionit në Mal të Zi ishin se me këtë marrëveshje është krijuar shtet brenda shtetit, gjegjësisht konfiskim të trashëgimisë kulturore malazeze dhe falsifikim të historisë kombëtare.
Ligji për presidentin
Votimi i mosbesimit të Qeverisë së drejtuar nga Dritan Abazoviq ndikoi që ky i fundit të formoi një shumicë të re dhe t’i propozojë presidentit të vendit Millo Gjukanoviq, mandatarin e ri, në këtë rast përfaqësuesit e DEMOS-it, Miograd Lekiq. Megjithatë, presidenti Gjukanoviq refuzoi t’i japë mandatin për formimin e Qeverisë me arsyetimin se shumica e re nuk e bindi atë se kandidati i tyre kishte mbështetjen e shumicës së deputetëve, sepse në kërkesën formale mungonin disa nënshkrime të mbështetjes.
Kjo e shtye shumicën e re të përpilojë një ligj të ri për presidentin, me të cilin reduktohen kompetenca e këtij institucioni dhe mundëson formimin e Qeverisë nga kandidati i tyre.
Nisma e tillë nuk mori pëlqimin e Komisionit të Venecias dhe bashkësisë ndërkombëtare.
Pavarësisht reagimeve të brendshme dhe atyre ndërkombëtare Kuvendi i Mali të Zi i miratoi ndryshimet në Ligjin për presidentin. Po ashtu edhe presidenti i shtetit, Millo Gjukanoviq, në bazë të Kushtetutës e nënshkroi vendimin e Kuvendit për këtë ligj.
Komisioni i Venecias, një organ këshilldhënës i Këshillit të Evropës, dha një mendim negativ për atë ligj, sepse, siç thanë ata, “kompetencat kushtetuese të presidentit nuk mund të ndryshohen me ligj të zakonshëm”.
Situata në Mal të Zi është ndërlikuar edhe më shumë nga fakti se Gjykata Kushtetuese e Malit të Zi nuk funksionon që nga shtatori, kur katër gjyqtarë dolën në pension me forcën e ligjit. Kështu, instanca më e lartë gjyqësore në Mal të Zi aktualisht ka tre gjyqtarë që nuk mund të marrin vendime, ndërsa parlamentarët nuk mund të bien dakord për zgjedhjen e të rinjve.
Në fund të dhjetorit nisi për herë të tretë procedura për zgjedhjen e gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese dhe deputetet në parlamentin malazez duhet të deklarohen deri në fund të janarit të vitit 2023. Në rast të zgjedhjes së tyre do të ketë parakushte për shpalljen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare.