Parlamenti malazez zgjodhi të hënën në postin e kryetarit zotin Andrija Mandiç, një ish drejtues i koalicionit politik pro-serb dhe pro-rus në Mal të Zi.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian e kundërshtuan hapur zgjedhjen e politikanit Mandiç në krye të Parlamentit të Malit të Zi duke e cilësuar atë si kundërshtar të orientimit pro-perëndimor të vendit.
Qytetarë të shumtë dolën në rrugët e Podgoricës në një protestë të organizuar nga Forumi i Qytetarëve të Lirë.
Zgjedhja e zotit Mandiç në krye të kuvendit malazez u mundësua nga votat e 49 deputetëve të shumicës së re parlamentare – partia e tij Europa Tani që dikur njihej si Fronti Demokratik, deputetët demokratë, Partia Popullore Socialiste dhe dy koalicionet shqiptare, Alternativa Shqiptare dhe Forumi Shqiptar.
Deputetët e Partisë Demokratike të Socialistëve të ish Presidentit Milo Gjukanoviç, që tani janë në opozitë, braktisën votimin.
Zoti Mandiç u propozua në këtë post në bazë të një marrëveshje politike që i mundëson qeverisjen e zotit Milojko Spajiç, i cili ka marrë mandatin. Në bazë të kësaj marrëveshje, ish Fronti Demokratik, që mbledh partitë pro-serbe dhe pro-ruse në Mal të Zi, mori postin e kryetarit të parlamentit dhe bëhet pjesë e qeverisë vitin e ardhshëm.
Në këmbim, deputetët e kësaj partie do të mbështesin qeverinë e pakicës së zotit Spajiqit. Në seancën parlamentare të së hënës pritet të formohet edhe qeveria e 44 e Malit të Zi.
Në programin e tij zoti Milojko Spajiç i kushton një rëndësi të veçantë bashkëpunimit rajonal dhe integrimit euroatlantik.
“Qeveria do të vazhdojë të forcojë marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë dhe bashkëpunimin rajonal, duke respektuar në radhë të parë interesat e saj kombëtare, por edhe duke njohur lidhjet e shumta ekonomike, historike dhe kulturore me vendet e rajonit. Duke pasur parasysh rritjen e vazhdueshme të kërcënimeve dhe rreziqeve të sigurisë, zbatimi i qëllimeve dhe koncepteve të NATO-s dhe pjesëmarrja në misionet paqeruajtëse ndërkombëtare, trajnimet dhe aktivitetet e tjera të aleancës, do të jenë në krye të prioriteteve të Ministrisë së Mbrojtjes”, tha zoti Spajiç.
Qeveria e zotit Milojko Spajiq është e treta që nga zgjedhjet parlamentare të vitit 2020, kur pas tre dekadash u zëvendësua Partia Demokratike e Socialistëve.
Mali i Zi konsiderohej si një vend që udhëhiqte në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian, në rajon dhe ka hapur të gjithë kapitujt në negociatat për anëtarësim. Megjithatë, si pasojë e krizës politike dhe institucionale, nuk ka pasur asnjë konferencë ndërqeveritare që nga dhjetori i vitit 2021, për shkak të progresit të pamjaftueshëm në reformat e nevojshme për procesin e anëtarësimit.