Kreu i koalicionit opozitar të Malit të Zi, Zdravko Krivokapiç, i cili është zgjedhur nga partnerët e tij të bëhet kryeministri i ri i vendit, ka deklaruar se prioritet i qeverisë së tij do të jetë rruga evropiane.
“Ne do të japim kontributin tonë për të krijuar atë Mal të Zi që dëshirojnë të gjithë”, ka deklaruar Krivokapiç në një intervistë për “Euronews”.
Ndërsa nuk përgënjeshtron urrejtjen për presidentin Milo Gjukanoviç, që ka qeverisur vendin që nga shpërbërja e Jugosllavisë në vitet ’90, Krivokapiç mohon prirjet pro-ruse që thuhet se do ta largojnë Malin e Zi nga Evropa dhe do të bjerë nën ndikimin e Serbisë së Aleksandar Vuçiç dhe Moskës së Vladimir Putin.
“Jo vetëm që qeveria jonë do të vazhdojë rrugën evropiane të vendit, por do ta përshpejtojë atë duke i vënë fre dy problemeve kryesore të Malit të Zi, korrupsionit dhe krimit të organizuar”, ka thënë Krivokapiç.
“Dhe informacionet se ne jemi pro-serbë apo pro rusë, ose se do të ndërpresim negociatat, nuk janë të vërteta. Dhe ne do ta provojmë këtë shumë shpejt”, ka shtuar ai.