Parlamenti i Malit të Zi, zgjodhi mëngjesin e së martës qeverinë e re, pas një seance që zgjati gjithë natën.
Qeveria e re e kryeministrit Milojko Spajiç u mbështet nga votat e 46 deputetëve të shumicës së re parlamentare, ndërsa kundër votuan 19 deputetë të opozitës. Pesë deputetë munguan dhe një abstenoi nga votimi.
Qeveria mori mbështetjen e partisë “Evropa Tani” e kryeministrit Spajiç, nga koalicioni “Për ardhmërinë e Malit të Zi”, që dikur njihej si Fronti Demokratik pro-serb dhe pro-rus, deputetët e partisë“Demokratët”, “Partia Popullore Socialiste” dhe dy koalicionet shqiptare,” Alternativa Shqiptare” dhe “Forumi Shqiptar”.
Sipas marrëveshjes për formimin e qeverisë, ish Fronti Demokratik do ta mbështesë qeverinë e pakicës në parlament dhe në fund të vitit të ardhshëm, do të bëhet pjesë e saj nëpërmjet ristrukturimit.
Kryeministri Spajiç duke paraqitur programin e qeverisë tha se “ndarjet dhe tensionet sociale dhe etno-kombëtare” duhet te lihen prapa.
“Përparësi kryesore të politikës së jashtme të qeverisë janë anëtarësimi i plotë i Malit të Zi në Bashkimin Evropian, anëtarësimi aktiv dhe i besueshëm në NATO, përmirësimi i marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë. Mali i Zi do të vazhdojë të jetë plotësisht në harmoni me politikën e jashtme dhe të sigurisë të BE-së”, tha Spajiç.
Deputetët e opozitës kritikuan formimin e qeverisë së re duke e cilësuar atë si “qeveri e ndërtuar mbi nacionalizmin dhe ekonominë e huazimit”. Ata e akuzuan kryeministrin Spajiç për zgjedhjen në postin e kryetarit të parlamentit të Andrija Mandiçit, një ish drejtues i koalicionit politik pro-serb dhe pro-rus në Mal të Zi.
Grupe qytetarësh protestuan në Podgoricë kundër zgjedhjes së Andrija Mandiçit. Protestuesit që mbanin flamuj të Bashkimit Evropian dhe të Malit të Zi, thanë se zgjedhja e Mandiçit është një goditje tjetër për themelet e shtetit të Malit të Zi.
Zgjedhja e Qeverisë i dha fund mandatit teknik qeverisë së Dritan Abazoviqit, e cila u rrëzua me një votë mosbesimi në gusht të vitit 2022.
Qeveria e zotit Milojko Spajiç është e treta që nga zgjedhjet parlamentare të vitit 2020, kur pas tre dekadash, nga pushteti u largua Partia Demokratike e Socialistëve e ish presidentit Milo Gjukanoviç.
Mali i Zi konsiderohej si një vend që udhëhiqte në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian, në rajon dhe ka hapur të gjithë kapitujt në negociatat për anëtarësim. Megjithatë, si pasojë e krizës politike dhe institucionale, nuk ka pasur asnjë konferencë ndërqeveritare që nga dhjetori i vitit 2021, për shkak të përparimit të pamjaftueshëm në reformat e nevojshme për procesin e anëtarësimit.