Kreu i ri social-demokrat dhe i mandatuar për formimin e qeverisë së re, Dimitar Kovaçevski i dorëzoi sot kryetarit të Parlamentit të Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi programin dhe listën me emrat e kandidatëve për ministra.
Ai i njoftoi emrat të hënën në mbrëmje, para Këshillave më të lartë të partisë së tij, teksa disa prej emrave nuk ishin përfolur më parë as në median e afërt me Lidhjen Social Demokrate se do të ishin pjesë e kabinetit qeveritar.
Nikolla Tupançevski do të jetë ministër i Drejtësisë; Sllavica Gërkovska do të marrë postin e Zëvendës-kryeministres e ngarkuar për luftën kundër korrupsionit dhe kriminalitetit.
Zëvendës-ministrja e Rendit, Sllavjanka Petrovska e merr në drejtim Ministrinë e Mbrojtjes; Jovana Trençevska do ta drejtojë Ministrinë e Punës dhe Politikës Sociale, ndërsa deputetes aktuale Bisera Kostadinovska Stojçevska i besohet Ministria e Kulturës. Këto paraqesin befasi për opinionin publik, jo për shkak të përgatitjes së tyre profesionale, por sepse deri në pak çaste para konfirmimit, shtypi spekulonte me emra të tjerë.
Ministrat tjerë nga radhët e Social-demokratëve mbeten në pozitat e njejta që kishin apo bëjnë rotacione nëpër resorë përkatës. Jo të gjithë anëtarët e Këshillave të LSDM-së u ndanë të kënaqur me përzgjedhjen e zotit Kovaçevski.
Bashkimi Demokratik për Integrim i mba ministrat e njejtë, përveç ndërrimit të Ministrisë së Shoqërisë Informatike dhe Administratës me atë të Arsimit.
Partia e re në qeveri, Alternativa do të drejtojë Shëndetësinë, Shoqërinë Informatike dhe një ministri pa portofol, që më pas do të ngarkohet me çështjet e diasporës.
Kabinetin e pritshëm e presin mjaft sfida:
“Përparësia numër një do të jetë ballafaqimi me krizën energjetike që është pasojë e krizës energjetike evropiane”, tha i mandatuari për kryeministër Kovaçevski duke radhitur përparësitë tjera me të cilat do të përballet kabineti i tij. Një ndër to, “përmirësimi i jetesës së qytetarëve dhe mbështetja e kompanive gjatë krizës ekonomike”.
Realizimi i projekteve të mëdha infrastrukturore është një përparësi tjetër që thekson zoti Kovaçevski, ndërsa asnjë prej qeverive për vite të tëra nuk arriti ta përfundojë një distancë 12 kilometërshe të planit për autostradën nga Shkupi deri në Bllacë në kufi me Kosovën.
Përparësi për zotin Kovaçevski mbeten po ashtu edhe integrimet evropiane, ndërkohë që nuk dihet si do të përfundojnë mosmarrëveshjet me Bullgarinë fqinje, e cila i ka vënë veto anëtarësimit të Maqeodnisë së Veriut në Bashkimin Evropian. Kryeministri i ri bullgar, Kiril Petkov ka njoftuar anullimin e vizitës së planifikuar për më 18 janar në Shkup, për shkak të, siç është njoftuar nga Sofja, kontaktit të tij me një person të infektuar me koronavirus.
VMRO-DPMNE-ja e opozitës thotë se kabineti i ri qeveritar “do të përbëhet nga politikanë humbës të cilët do ta shkatërrojnë vendin ekonomikisht dhe me kriminalitetit”. VMRO-ja e quan “qeveri vazhdimësie të Zaevizmit që nuk ka energji për reforma as plane për integrime evropiane dhe për një jetë më të mirë”, siç u shpreh para gazetarëve nënkryetari i VMRO-së, Aleksandar Nikollovski.
Opozita i shikon zgjedhjet e parakohshme parlamentare si shpëtimin e vetëm nga kriza.
Shumica parlamentare ka 64 vota në parlament, të nevojshme për ta miratuar kabinetin e ri qeveritar. Seanca do të fillojë me datë 15 ndërsa kabineti pritet të votohet të nesërmen, më 16 janar.