Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, sot në pikën e vaksinimit në sallën e sportit “A1 Arena Boris Trajkovski” u vaksinua kundër COVID-19 me vaksinën kineze “Sinofarm”, raporton Anadolu Agency (AA).
Menjëherë pas vaksinimit, kryeministri bëri një deklaratë për mediat përpara sallës së sporteve.
Duke theksuar se ka kryer detyrën e tij personale dhe qytetare, Zaev tha se ka marrë dozën e parë të vaksinës Sinofarm, gjegjësisht atë që aktualisht ishte në dispozicion kur i erdhi radha, në përputhje me planin kombëtar të imunizimit.
“Ndihem mirë dhe do të vazhdoj axhendën time të përditshme të punës edhe në orët e sotme të pasdites”, tha Zaev.
Ai po ashtu tha se inkurajon të gjithë qytetarët të aplikojnë për termin vaksinimi në faqen e internetit vakcinacija.mk dhe të sigurojnë mënyrën e vetme efektive për t’u mbrojtur nga koronavirusi.
“Vaksinat janë të sigurta, të testuara dhe me të vërtetë sa më shpejt që të përfundojë procesi i imunizimit, aq më shpejt kjo luftë me këtë armik të padukshëm, pandeminë e COVID-19 do të përfundojë”, tha Zaev.
Mes tjerash, kryeministri Zaev tha se është e rëndësishme pjesëmarrja masive në procesin e imunizimit për të ndryshuar pamjen e përgjithshme të epidemisë në një kuptim pozitiv dhe për të arritur ngadalë imunitetin kolektiv.
I pyetur nga gazetarët nëse qeveria ka plan për të rritur ndërgjegjësimin e popullatës në lidhje me vaksinimin, Zaev tha se ata kanë një plan serioz se si të mundësojnë zbatimin e një fushate me interes publik, e jo me interes politik ose qeveritar.
Zaev, duke shtuar se kjo është arsyeja pse është hapur debati, tha se në ditët në vijim takimet do të mbahen kryesisht me shoqatat e mediave por edhe me të gjithë aktorët e interesuar për të gjetur një mënyrë për të zbatuar fushatat publike për rritjen e ndërgjegjësimit të popullatës.
Në Maqedoninë e Veriut vaksinimi kundër COVID-19 filloi më 17 shkurt. Nga 5 prilli filloi vaksinimi masiv në pikën “Boris Trajkovski” në Shkup, ku krahas vaksinimit të punonjësve shëndetësorë u vaksinuan edhe persona të popullatës kritike.
Deri më tani në vend, sipas të dhënave të ueb-faqes së Ministrisë së Shëndetësisë janë vaksinuar gjithsej 74.064 persona ndërsa për vaksinim presin 256.346 persona.