Në Maqedoninë e Veriut të premten ka nisur vaksinimi i deputetëve kundër COVID-19, sëmundjes që shkakton koronavirusi. Ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe bëri të ditur se deputetët do të vaksinohen me vaksinën ruse Sputnik V.
Kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi, tha se u ka dorëzuar institucioneve shëndetësore listën me të gjithë 120 deputetët, të cilët janë njoftuar për vendin dhe kohën e vaksinimit dhe se u takon atyre të vendosin nëse do t’i përgjigjen ose jo thirrjes.
“Të gjithë ata kanë të drejtë të vendosin nëse duan ose jo të vaksinohen. Atyre u është ofruar mundësia e vaksinimit dhe u takon vetë atyre të vendosin nëse duan ose jo të bëjnë këtë”, ka deklaruar Xhaferi.
Kryeparlamentari Xhaferi tha se shpreson që ky proces do të mundësojë punë më të efikase të Kuvendit dhe se nga gjysma e dytë e majit, puna t’i kthehet normalitetit.
Sa i përket vaksinimit, Ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe tha se me imunizimin e ditës së premte konsumohet dërgesa e vaksinave Sputnik V dhe më shumë se gjysma e 1,000 dozave të vaksinës kineze Sinofarm.
Të hënën Maqedonia e Veriut siguroi 10,600 vaksina Pfizer ndërsa deri në fund të muajit pret edhe 10 mijë të tjera sikur edhe 200 mijë vaksina kineze Sinofarm.
“Mbërritja do të përkojë me Festën e Pashkëve dhe vaksinimi do të nisë nga 4 maji, pra pas festave. Deri atëherë, të gjitha sallat sportive në gjashtë qytetet e planifikuara do të jenë gati për vaksinimin masiv”, ka deklaruar Filipçe.
Lidhur me situatën me koronavirus në Maqedoninë e Veriut, Filipce ka thënë se përveç numrit në rënie të personave të infektuar dhe të shtruar në spital, po vërehet rënie edhe në numrin e ekzaminimeve në qendrat për koronavirus.
Për lehtësimin e masave do të vendoset në fillim të javëss së ardhshme. Nga Qeveria kanë paralajmëruar hapjen e sektorit të gastronomisë si dhe shkurtimin e orës policore.
Të enjten Maqedonia e Veriut ka regjistruar rreth 600 të infektuar, shifër kjo shumë e ulët se ajo e një jave më pare, kur kishte deri në 1,500 të infektuar në baza ditore.
Maqedonia e Veriut aktualisht ka të diagnostikuar me COVID-19 rreth 150 mijë persona. Prej tyre 4.595 kanë humbur jetën ndërsa rreth 18.500 janë ende raste aktive.