Për herë të parë shërbimet e inteligjencës në Maqedoninë e Veriut do të drejtohen nga një shqiptar. Vendimi është marrë nga presidenti Pendarovski, i cili pas një konsultimi me kreun e BDI-së, Ali Ahmeti ka caktuar në këtë post Erold Musliun.
Artan Grubi, deputet i BDI-së thotë: “Zoti Ahmeti ka pasur takim me zotin Pendarovski dy ditë më parë, dhe i kanë diskutuar të gjitha çështjet, përfshirë këtu edhe çështjet kadrovike. Besoj që ka qenë një takim jashtëzakonisht i frytshëm dhe në atë takim është diskutuar edhe kjo çështje”.
Erold Musliu do të jetë shqiptari i parë i cili do të drejtojë Agjencinë e Zbulimit. Në krye të Inteligjencës ai vjen pas punës disavjeçare në Drejtorinë për Siguri dhe Kundërzbulim.
I lindur në Kërçovë, i diplomuar në fakultetin e kriminalistikës në Shkup. Në periudhën 1995-1998 ka punuar në Drejtorinë për Siguri dhe Kundërzbulim, e në Agjencinë për Zbulim është që nga viti 2000. Përveç tij, Pendarovski emëroi edhe Blerim Kollarin si këshilltar sigurie, e Sekretar i përgjithshëm do të jetë Mile Boshnjakovski, ish-zëdhënësi i Qeverisë.