Në Maqedoninë e Veriut, partitë shqiptare të pushtetit dhe ato në opozitë po e shënojnë 23 vjetorin e Marrëveshjes së Ohrit të ndara dhe me akuza ndaj njëra tjetrës për mënyrën e zbatimit të saj. Në të vërtetë, marrëveshja që i dha fund konfliktit të armatosur midis kryengritësve shqiptarë të ish-Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare dhe forcave ushtarake e policore maqedonase dhe solli paqen e brishtë në vitin 2001, duhej zbatuar deri në vitin 2004, por edhe pas 23 vjetësh nga nënshkrimi i saj, ende ka ankesa se ky dokument nuk po zë vend në praktikë në të gjitha fushat.
Ali Ahmeti i Bashkimit Demokratik për Integrim, i cili atë kohë ishte drejtues politik dhe ushtarak i ish-Ushtrisë Çlitimtare Kombëtare dhe bashkërendonte qëndrimet me drejtuesit politikë shqiptarë në bisedime, sot ka përshtypjen se pushteti po heq dorë nga Marrëveshja e Ohrit, për shkak të heqjes së atij që njihet si balansues dhe që synonte sistemimin e nëpunësve në adminstratën shtetërore sipas përkatësisë etnike në bazë të përqindjes së popullatës dhe për shkak të emërimit për ministër të Marrëdhënieve me Komunitetet të një pjesëtari të komunitetit serb i dyshuar për afërsinë me presidentin serb Aleksandar Vuçiç dhe me shërbimet inteligjente serbe e ruse:
“Prandaj, ne jemi dalëzotës të dinjitetit tonë kombëtar dhe të shtetformimit të mirëfilltë të Republikës tonë që ne nuk shohim të ardhme diku tjetër, sepse nuk jemi të dyndur dhe të ardhur nga ndonjë vend i largët, por vijmë gjysh-pas-gjyshi, bashkë me diellin në këto hapësira. Fatet e këtij vendi i ndajmë bashkë me komunitetin maqedonas, dhe bashkë do të jemi më të fortë”, u shpreh zoti Ahmeti.
Fronti Evropian, ku bën pjesë edhe krahu i Aleancës për Shqiptarët i zotit Ziadin Sela, vlerëson se në vend po bëhen përpjekje për rrënimin e paqes që e arriti Marrëveshja e Ohrit:
“Ne do të mbrojmë atë që quhet paqe; ne do të mbrojmë atë që u arrit nëpërmjet Marrëveshjes kornizë të Ohrit, por në të njejtën kohë ne do të veprojmë sipas një ndër postulateve kryesore që Marrëveshja e Ohrit ka. Marrëveshja e Ohrit ishte marrëveshje që u bë për të drejtën, dinjitetin, lirinë dhe barazinë e qytetarëve”, theksoi zoti Sela.
Fronti Evropian tash me kalimin në opozitë, synon ndryshimin e sistemit shtetëror dhe bërjen sipas modelit të Belgjikës, Irlandës Veriore dhe Zvicrës.
Partitë e Frontit Evropian me BDI-në në krye nuk pranuan të bëheshin pjesë e shënimit të përvjetorit të kësaj ngjarjeje të organizuar nga qeveria.
Në fjalimin e mbajtur në seancë, kryeministri Hristijan Mickoski, tha se miratimi i marrëveshjes kornizë në atë kohë nuk e ka gëzuar dhe kënaqur plotësisht asnjërën nga palët nënshkruese, por se, siç tha ai, “marrëveshja kornizë solli atë që ishte më së shumti e nevojshme dhe e kërkuar në atë moment, e ajo është paqja”.
Duke theksuar se janë të ndryshëm për nga përkatësia etnike dhe fete nuk i bën ato të ndryshëm për sa i përket nevojave dhe prioriteteve, Mickoski tha: “Nevoja dhe prioriteti kryesor i të gjithëve është një jetë më e mirë. Kemi probleme të njëjta, të përbashkëta, prandaj bashkërisht duhet të ofrojmë zgjidhje dhe t’i zgjidhim ato probleme”.
Ai tha se Maqedonia e Veriut është atdheu i tyre i përbashkët të cilin duhet ta ndërtojnë së bashku. “Të punojmë për t’i besuar njëri-tjetrit. Jam i sigurt se do të arrijmë të bëjmë më shumë për çdo person. Marrëdhëniet ndëretnike janë shtylla kurrizore e shoqërisë sonë të përbashkët. Nuk janë vetëm detyrime ligjore apo marrëveshje politike. Ato janë një proces i gjallë që kërkon vazhdimisht përkushtimin dhe angazhimin tone”, u shpreh Mickoski.
Zëvendëskryeministri i parë dhe Ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Izet Mexhiti, nga ana e tij, duke theksuar se qeveria e re “nuk është vetëm në fjalë por edhe në veprim”, tha se “Kjo qeveri dëshmon kapacitet për vlerat dhe frymën e Marrëveshjes së Ohrit”.
Pas fjalimeve anëtarët e kabinetit kaluan në një fotografim të përbashkët në kuadër të shënimit të kësaj dite, ndërsa më pas u mbajt seanca e rregullt e qeverisë ku u diskutuan disa çështje.
Marrëveshja e Ohrit qe nënshkruar dhe nga përfaqësuesit e komunitetit ndërkombëtar, ambasadori James Pardew si i dërguar i Shteteve të Bashkuara dhe François Leotard, i dërguar i Bashkimit Evropian.
Edhe tre nga drejtuesit politik në Maqedoninë e Veriut të përfshirë në arritjen e këtij dokumenti paqësor Arbën Xhaferi, Imer Imeri dhe Boris Trajkovski nuk jetojnë më, ndërsa Branko Cërvenkovski dhe Lubço Georgievski nuk janë aktivë në politikë.
Megjithatë, partitë politike shqiptare në Maqedoninë e Veriut në veçanti vazhdojnë ta shikojnë komunitetin ndërkombëtar si garantuesin kryesor të realizimit të marrëveshjes.
/Argumentum.al