Disa javë na ndajnë nga anëtarësimi në Aleancën e NATO-s, për atë që kemi punuar më shumë se 20 vite, deklaroi dje ministrja e Mbrojtjes e Maqedonisë, Radmilla Shekerinska, pas takimit me ministrin e Mbrojtjes të Sllovenisë, Karl Erjavec, i cili qëndron për vizitë zyrtare në Maqedoni.
Pas takimit në Ministrinë e Mbrojtjes, Shekerinska dhe Erjavec u adresuan në një konferencë të përbashkët për media.
“Ju si Slloveni keni të drejtë të jeni krenar për suksesin tuaj”, theksoi Shekerinska, duke shtuar se suksesi i Maqedonisë në planin e anëtarësimit në NATO dhe anëtarësimin në Bashkimin Evropian (BE) ka ngjyrë të fuqishme sllovene.
“Maqedonia përfundoi me pritjen. Disa javë na ndajnë nga ajo që punuam më shumë se 20 vite, disa javë na ndajnë nga ajo që u përkushtuam gjatë një viti e gjysmë të kaluar, e ajo është flamuri i Maqedonisë, ne si përfaqësues të Maqedonisë të ulemi në të njëjtën tryezë me 29 aleatët dhe anëtarët e NATO-s”, deklaroi Shekerinska.
Shekerinska po ashtu përkujtoi se më shumë se 25 vite Sllovenia në mënyrë altruiste dhe vazhdimisht ma mbështetur Maqedoninë për anëtarësimin në NATO dhe BE.
“Sllovenia është një shtet serioz dhe ajo mbështetjen e saj nuk e jep vetëm ashtu, nuk e jep vetëm me fjalë. Mendoj se gjatë një viti e gjysmë të kaluar ne treguam se këtë mbështetje e vlerësojmë, megjithatë edhe japim rezultate si shtet, ato që janë obligimet tona, ato që janë vlerat tona”, shtoi ajo.
Nënkryetari i Qeverisë dhe ministër i Mbrojtjes i Sllovenisë, Karl Erjavec, theksoi se Sllovenia jep mbështetje pa rezervë për hyrjen e Maqedonisë në NATO.
“Sllovenia gjithanshëm e përkrahë Maqedoninë në përpjekjet e saj për t’u bashkuar me NATO-n, e kemi treguar këtë me faktin se pika kontaktuese e ambasadës për anëtarësimin në NATO është ambasada sllovene. Ne kemi përfaqësuesit tanë atje dhe ne do të mbështesim vazhdimisht Maqedoninë në përpjekjet e saj për t’u bashkuar me NATO”, theksoi Karl Erjavec.
Duke theksuar se edhe pala greke do të përmbush pjesën e saj të marrëveshjes, Erjavec deklaroi se Sllovenia ka nënshkruar protokollin para-aderues për hyrjen e Maqedonisë në NATO.