Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj në konferencën e përbashkët për shtyp, sot në Tiranë, me homologun e Maqedonisë së Veriut Kreshnik Bekteshi, vuri theksin në forcimin e bashkëpunimit ekonomik midis dy vendeve.
“Zhvilluam një takim të frytshëm. Marrëdhëniet mes dy vende tona janë forcuar nga viti në vit. Në kuadër të nismës “Open Ballkan”, ne kemi marrë disa vendime të rëndësishme për lehtësimin e tregtisë, lëvizjen e njerëzve dhe punës, ndërsa do të vijojmë të lehtësojmë procedurat drejt një tregu të qëndrueshëm ekonomik”, tha Ibrahimaj.
Ministrja shprehu angazhimin se, do të vijojmë të ndërmarrim hapa që na lehtësojnë procesin e integrimit drejt BE-së si në kuadër të “Open Ballkan”, Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë” dhe CEFTA-s.
Ajo theksoj se fokus i takimit ishte situata e krijuar nga kriza ekonomike dhe furnizimi i popullatës me artikujt jetik.
“Nesër Republika e Maqedonisë së Veriut do të marrë një vendim të rëndësishëm për çeljen e eksporteve të vajit të lulediellit për Shqipërinë, i cili është një produkt i cili kryesisht importohej nga Ukraina dhe ka pasur një mungesë në tregjet ndërkombëtare, kjo është arsyeja pse çmimet kanë qenë me të larta”, tha ministrja teksa theksoi se, “marrëdhëniet mes dy vendeve në kuadër të tregtisë do të vazhdojë të jetë shumë e mirë dhe do të vazhdojmë të lehtësojmë të gjitha procedurat që kemi marrë përsipër në kuadër Open Balkans”.
Ministri Bekteshi tha se, “qeveria maqedonase nesër shqyrton vendimin për lirimin e eksporteve për produkte të tilla si vaji i lulediellit, por edhe produkte të tjera që janë kryesish inpute për prodhimin e produkteve finale në Shqipëri dhe vendet e tjera të rajonit”. /ata