Presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, ka vendosur të mos e vazhdojë gjendjen e jashtëzakonshme e cila përfundon më 13 qershor, me çka i hapet rruga mbajtjes së zgjedhjeve parlamentare.
Në një paraqitje para opinionit, presidenti Pendarovski tha se vendimin për ndërprerjen e gjendjes së jashtëzakonshme e ka marrë pas vlerësimit se qeveria teknike ka përmbushur të gjitha detyrimet për përballje me pandeminë, në kohën kur vendi nuk ka parlament funksionale, pasi i njëjtiështë shpërndarë më 16 shkurt.
“Të gjitha vendimet për gjendje të jashtëzakonshme i pata miratuar për shkak të nevojës që qeveria teknike, të gjitha vendimet që do t’i miratonte të kishin efekte ligjore, me qëllim që të mund të përballet me pasojat e pandemisë, por edhe miratimin e vendimeve tjera në sferën ekonomike. Duke i marrë parasysh të gjitha rrethanat, kam vlerësuar se më nuk ka nevojë për vazhdimin e gjendjes së jashtëzakonshme, pasi qeveria, sipas informatave që kam tashmë, ka siguruar të gjitha mjetet e nevojshme për përballjen me pandeminë, ndërsa janë miratuar edhe të gjitha masat tjera për mbështetjen e ekonomisë”, ka deklaruar presidenti Pendarovski.
Presidenti maqedonas ndërkohë ka thënë se pas këtij vendimi, tani i takon partive që sa më shpejt të merren vesh për datën e zgjedhjeve, ndërsa publikisht i ka ftuar në takim liderët e dy partive kryesore politike, Zoran Zaevin nga LSDM-ja dhe Hristijan Mickovskin nga VMRO-DPMNE.
“I ftoj publikisht që të ulemi dhe të gjejmë një zgjidhje për dalje nga kjo situatë, duke i vendosur interesat shtetërore mbi ato personale dhe partiake, pasi në të kundërtën vetëm do t’i hapim derën një krize më të madhe politike. Me këtë, ne nuk do të vendosim në pikëpyetje perspektivën evropiane, por edhe përpjekjet tona që të kapërcejmë pandeminë COVID-19”, ka deklaruar Pendarovski.