Kriza shëndetësore shkaktuar nga koronavirusi në Maqedoninë e Veriut vetëm po bëhet gjithnjë e më shqetësuese, ndërsa autoritetet shëndetësore nuk janë të sigurta nëse kjo është vala e dytë e epidemisë. 5 viktima të reja janë regjistruar në 24 orët e fundit dhe 175 raste të reja, duke e ngritur numrin e përgjithshëm të të prekurve në 3542, prej tyre 1691 raste aktive. Numri i përgjithshëm i të vdekurve nga COVID-19 ka arritur në 169, shifër kjo dukshëm më e lartë ndër vendet e rajonit, sipas statistikave.
Vatra e virusit tash është në Shkup, në komunën e Çairit të banuar me shumicë shqiptare. Punonjësit shëndetësorë thonë se mosrespektimi i masave, mbledhitë familjare gjatë festave të Ramazanit dhe Bajramit kanë bërë që virusi të shpërthejë në këtë mjedis. Nga ana tjetër, Çairi është komuna me një dendësi më të madhe të popullatës në Evropë; rreth 19 mijë banorë në një kilometër katror, apo mbi 67 mijë banorë në 3.5 kilometra katror sa ka komuna. Sidoqoftë, shpërfillja e urdhërave për të mbajtur maska dhe distancën fizike e sociale e ka ngritur këtë vendbanim në krye të listës me COVID-19 në Maqedoninë e Veriut, e me këtë edhe mosdurimin, gjuhën e urrejtjes dhe stigmatizimin nëpër rrjetet sociale.
Epidemiologët ankohen se një pjesë e personave të infektuar i fshehin të dhënat, nuk tregojnë kontaktet dhe adresat e sakta apo numrat e telefonit të kotakteve që kanë pasur. Ndërkohë, Ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe tha të enjten se gradualisht po qetësohet gjendja në Tetovë dhe në Shtip. Ministri theksoi se ende po shkilen masat e vetëizolimit, distancimit fizik dhe të mbrojtes personale.
Ndërkohë, autoritetet kanë hequr urdhërin e ndalim-qarkullimit dhe kanë paralajmëruar kontrolle të rrepta dhe ndëshkime për shkelësit e protokolleve.
“Para nesh kemi një betejë të gjatë me virusin. Është e qartë se na duhet të mësojmë si të jetojmë në një mënyrë të përshtatshme. Për shkak të mosdhënies së informatave të sakta, tash kemi punonjës shëndetësorë në vetizolim”, tha Ministri Filipçe, duke lënë të kuptohet se Komisioni për sëmundjet ngjitëse nuk mbështetë zgjatjen e gjendjes së jashtëzakonshme. “Jeta duhet të vazhdojë; nuk mund të mbyllemi gjithë kohës të jetojmë me kufizime”, u shpreh ai.
Spitalet kanë filluar të ngarkohen me pacientë të sëmurë, por autoritetet bëjnë të ditur se gjendja është e menaxhueshme.