Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut me masa proaktive dhe të sigurisë do të luftojë kundër lajmeve të rreme dhe sulmeve ndaj demokracisë.
Në takimin e parë konsultativ të Grupit aksional për koordinim të institucioneve të shtetit për luftë kundër dezinformatave dhe sulmeve ndaj demokracisë morën pjesë presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, kryetari i Kuvendit Talat Xhaferi dhe kryeministri Zoran Zaev.
Presidenti i Maqedonisë së Veriut, Pendarovski, në adresimin e tij theksoi se lajmet e rreme po bëhen një nga kërcënimet prioritare për sigurinë kombëtare të shumë vendeve.
“Lajmet e rreme dalëngadalë por me siguri po bëhen një nga kërcënimet prioritare për sigurinë kombëtare të shumë shteteve për shkak të kapacitetit të tyre për të shtrembëruar të vërtetën dhe për të minuar vlerat e demokracisë si sistem politik”, tha Pendarovski.
Kryetari i Kuvendit, Xhaferi, duke theksuar se është i nevojshëm një kujdes i madh në punën e institucioneve, tha se ato duhet të jenë llogaridhënëse, ndërsa në të njëjtën kohë të ngushtojnë mundësinë e manipulimit të mundshëm duke azhurnuar informacione me kohë.
“Dezinformatat në fakt janë një nga sfidat kryesore të demokracisë si e drejtë universale e njerëzimit. Kur flas për demokracinë, qytetarët kanë të drejtë për qasje deri tek informacionet për llogaridhënie në punën e personave publik me qëllim që të fitojnë besimin te bartësit e funksioneve publike”, tha Xhaferi.
Ai po ashtu tha se përshëndet hapat që do të ndërmerren nga qeveria për të parandaluar përhapjen e dezinformatave përmes krijimit të strategjisë kombëtare.
Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zaev në adresimin e tij në takimin konstituiv të Grupit aksional duke përmendur shembuj të lajmeve të rreme nga vitet e kaluara tha se propaganda, dezinformatat dhe lajmet e rreme kanë potencial që ta polarizojnë mendimin publik, të promovojnë gjuhën e urrejtjes dhe dhunës dhe përfundimisht ta minojnë demokracinë dhe ta ulin besimin në vlerat demokratike.
“Trendi i përhapjes së lajmeve tronditëse, të pavërteta është minuesi më i madh i proceseve demokratike, reformuese dhe progresive në shoqëri. Sot duke përdorur teknologjinë zhvillimore dezinformatat ndikojnë në shoqëritë tona, shkaktojnë konflikt, urrejtje, paranojë, komplot”, tha Zaev duke shtuar se Maqedonia e Veriut në këto dy vitet e fundit përballet me këtë fenomen./AA