Presidenti Stevo Pendarovski e nënshkroi Dekretin për shpalljen e Ligjit për përcaktim të interesit publik dhe nominimit të një partneri strategjik për implementim e projektit për ndërtim të Korridorit 8 infrastrukturor (aksi: Tetovë – Gostivar – Bokojçan dhe projektit për autostradën Trebenishtë – Strugë – Qafë Thanë) dhe Korridorit 10 D (aksi i autostradës Prilep – Manastir) në Republikën e Maqedonisë së Veriut.
“Ligji është miratuar me shumicë të nevojshme dhe në këtë rast asnjë deputet apo grup i deputetëve nuk kanë votuar kundër. Të gjitha institucionet dhe individët të cilët kanë dyshime lidhur me kushtetutshmërinë e Ligjit, mund të drejtohen deri te Gjykata Kushtetuese e cila është është institucion i vetëm kompetent për vlerësim të kushtetutshmërisë të ligjeve dhe akteve të tjera ligjore”, thekson Kabineti i Pendarovskit në kumtesë.
Tenderin për projektimin dhe ndërtimin e Korridorit 8 e ka fituar kompania amerikane Bechtel & Enka.
Zgjidhjet ligjore të propozuara rregullojnë projektin dhe ndërtimin e infrastrukturës së Korridorit 8 por edhe të Korridorit 10, si projekte individuale për investime kapitale me rëndësi strategjike kombëtare për vendin.
Ky ligj parashikon aplikimin e një modeli të ri, të pa aplikuar më parë në Maqedoninë e Veriut, që shmang tenderin. Qeveria argumenton se ky model do të japë rezultate më të shpejta dhe më optimale në ndërtimin e rrjetit rrugor.
Në një reagim në “Facebook”, zv. kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Artan Grubi thotë së realizimi i Korridorit 8 është më afër se kurrë.
“Guximi për të besuar realizon çdo ëndërr. Pak njerëz besuan, shumë të tjerë e ëndërronin, disa guxuan. Autostrada nga Bllaca gjer në Qafë Thanë është më afër se kurrë, bashkë edhe me Korridorin 10-D”, u shpreh Artan Grubi.
E gjendur në pikën kufitare të Qafë Thanës, ambasadorja amerikane në Shkup, Kate Byrns tha se Korridori 8 duhet të jetë përparësi për të gjithë rajonin.
“Ky vendkalim kufitar shtrihet përgjatë Korridorit 8, i cili kalon nga Deti i Zi në portin e Durrësit. Korridori 8 është një përparësi për qeverinë e Maqedonisë së Veriut, dhe gjithashtu duhet parë si një përparësi për rajonin”, tha Kate Byrns.
Korridori lidh Detin Adriatik me Detin e Zi. Ky korridor nis nga portet italiane të Barit dhe Brindisit, bën një ndalesë në portin e Durrësit dhe më pas vazhdon drejt Tiranës, Shkupit dhe Sofjes, duke mbërritur deri në portet e Burgasit në Varna në Detin e Zi.
Maqedonia e Veriut më parë ka dërguar një propozim për bashkëpunim deri tek Bullgaria dhe Shqipëria për investime për Korridorin 8, i cili lidh të tre shtetet.