Kuvendi i Maqedonisë së Veriut miratoi të enjten Ligjin për regjistrimin e popullsisë.
Ligji u miratua me 62 vota, përfshirë edhe ato të opozitës shqiptare që ishin vendimtare për kalimin e tij.
Shumica parlamentare nuk i kishte numrat e nevojshëm, ndërsa opozita maqedonase e bojkotoi votimin.
Sipas Ligjit, regjistrimi i popullsisë do të realizohet në prill të këtij viti – 19 vjet nga regjistrimi i fundit, i realizuar në vitin 2002.
Miratimit të Ligjit i parapriu debat i ashpër mes partive në pushtet dhe partisë opozitare maqedonase VMRO DPMNE, e cila pretendon se regjistrimi nuk do të tregojë numrin real të popullsisë, në veçanti përqindjen e shqiptarëve në shtet.
Në bazë të regjistrimit të fundit, shqiptarët përbëjnë 25.17 për qind të numrit të përgjithshëm të popullsisë dymilionëshe të Maqedonisë së Veriut.
VMRO-DPMNE-ja ka nisur me mbledhjen e nënshkrimeve për anulimin e Ligjit për regjistrim, duke paralajmëruar se nuk do t’i njohë rezultatet e tij.
Në Kushtetutë, shqiptarët definohen si popull që flet gjuhë të ndryshme nga maqedonishtja dhe që përbën mbi 20 për qind të popullatës.
Mbi bazë të kësaj përqindjeje janë përcaktuar të drejtat e tyre gjuhësore, të simboleve, të punësimit, të përfaqësimit, të drejtat kulturore e kështu me radhë.
Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, tha të mërkurën se regjistrimi i popullsisë nuk duhet të nxisë tensione, sepse, siç tha, “të drejtat e fituara civile të popujve pakicë mbeten dhe mund të zhvillohen më tej”.
Përpjekje për zbatimin e regjistrimit ka pasur në vitin 2011, por ky proces është ndërprerë disa ditë para përfundimit, për shkak të përplasjeve të ashpra mes partive që ishin në pushtet, VMRO DPMNE-së dhe Bashkimit Demokratik për Integrim, pikërisht për mënyrën e regjistrimit të popullsisë, në veçanti të qytetarëve që jetojnë përkohësisht jashtë vendit.
Si atëherë, edhe tani VMRO është kundër përfshirjes së tyre në numrin e përgjithshëm të popullsisë, meqë kjo, sipas kësaj partie, do t’i prishte shifrat reale të popullatës që jeton në Maqedoninë e Veriut.