Marjana Doda
Jemi një vit nga Marrëveshja e Prespës e cilësuar si e sukseshme, megjithatë frytet e këtij suksesi nuk po i shijon Maqedonia e Veriut. Ende në pritje të hapjes së negociatave drejt Bashkimit Europian vendim i së cilës pritet të merret në tetor të këtij viti, por asgje e sigurtë. Me të drejtë analiste por dhe vetë ndërkombëtaret e kanë quajtur këtë vendim, premtim të pambajtur ndaj Maqedonisë së Veriut e cila me marrëveshjen e Prespës duket se i kishte plotësuar të gjitha kushtet e vendosura për integrimin e saj.
Por ndonëse Maqedonia si “FYROM” i plotësoi kushtet, tashmë si Maqedonia e “Veriut”, procesi i kushtëzimeve po fillon nga e para.
Kohet e fundit është shpalosur edhe më shumë kjo frymë kushtëzimesh nga ana e Bullgarisë e cila ka pretendime kulturore e historike ndaj Maqedonisë së Veriut. “Përmirësimi i marrëdhënieve është kusht i detyrueshëm për nisjen e negociatave për aderimin e Maqedonisë së Veriut në BE”. Me këtë traktat ishte krijuar dhe Komisioni i përbashkët për çështjet historike dhe arsimore për zgjidhjen e kontesteve të lidhura me historinë e të dyja vendeve.
Gjatë vitit 2017 Bullgaria dhe Maqedonia e Veriut nënshkruan Traktatin e miqësisë, fqinjësisë së mirë dhe bashkëpunimit.Të dy vendet pretendojnë të zgjidhin mosmarrëveshjet historike që kryesisht kanë të bëjnë me gjuhën, kulturën dhe historinë maqedonase të para Luftës së Dytë Botërore.
Zyrtarët bullgarë kanë deklaruar se historia e Maqedonisë së sotme është e përbashkët me atë të Bullgarisë deri në vitin 1944, andaj edhe kanë kërkuar aneks në Marrëveshjen e fqinjësisë së mirë që pala maqedonase të pranojë këtë si fakt.
Megjithëse ka dy vite që keta dy vende kanë nënshkruar marrëveshjen për fqinjësi të mirë, muajt e fundit ka patur retorika në nivelet më të larta qeveritare lidhur me patriotin bullgaro-maqedonas Goce Dellçev, por dhe pretendimet e tjera gjuhësore.
“Nuk mund të vazhdojmë të bëjmë që nuk po i shohim këto keqpërdorime, provokime dhe falsifikime që po bëhen nga ana e Shkupit. Maqedonisë ja hapëm derën drejtë NATO-s, me anë të nënshkrimit të marrëveshjes për fqinjësi të mirë.. Tash flasim për inkuadrimin e Maqedonisë në Unionin Evropian. Ky inkuadrim duhet të kalojë nëpërmes rrugës së njohjes së historisë së vërtetë”, thotë Angell Xhambaski, eurodeputet Bullgar.
“Unë jam maqedon, flas gjuhën maqedonishte, kjo është e drejtë e imja. Kjo është vlerë evropiane. Unë pres që vlerat evropiane të pranohen nga të gjithë. Ashtu siç kam shtrirë dorën dhe kam pranuar të ndajmë historinë e përbashkët, do të vazhdoj të flas në frymën e miqësisë dhe do të vazhdoj të ndërtoj fqinjësi të mirë, pa marr parasysh se në çka i bazojnë deklarata e tyre. Unë besoj se zoti Karakaçanov, ministrja e jashtme Zaharieva dhe kryeministri Borisov, por para se gjitha populli bullgar është popull mik i popullit tonë”, deklaroi Zaev, duke shtuar se të drejtën e përcaktimit e garanton Marrëveshja me Greqinë për zgjidhjen e kontestit të emrit me të cilën Maqedonia do të ketë emër të ri , Maqedonia e Veriut.
Zoti Zaev, mos e keqpërdorni temën me gjuhën maqedonase. Kjo mund t’ju kushtojë me anëtarësimin në NATO dhe BE…Maqedonia e Veriut është emërtim gjeografik që përfshin edhe territore të Republikës së Bullgarisë., kishte deklaruar Krasimir Karakaçanov, zëvendëskryeministër për Siguri dhe Ministër i Mbrojtjes së Bullgarisë.
Javë më parë edhe Ministrja e Punëve të Jashtme e Bullgarisë, Elizabeta Zaharieva tha se nuk do të bëjnë kompromis me të vërtetën dhe se nga Maqedonia e Veriut nuk duan asgjë më shumë se të vërtetën. Mosmarrëveshje mes dy vendeve ekziston edhe për datën e përkujtimit të Goce Dellçevit. Bullgaria propozon që përkujtimi i Goce Dellçevit të bëhet më 4 shkurt, në ditën e lindjes, ndërsa pala maqedonase, siç thotë Zaharieva, propozon 7 tetorin, ditën kur eshtrat e Goce Dellçevit janë sjellë në Shkup, që rezulton si datë e papranueshme për Bullgarët.
Gotse Delçev (1872-1903) ishte një aktivist revolucionar bullgar në territorin e Maqedonisë së sotme Veriore, e cila ishte ende pjesë e Perandorisë Osmane në atë kohë. Në Maqedoninë Veriore, ai shihet gjithashtu si një hero kombëtar dhe një maqedonas.
Drejtori i Institutit të Maqedonisë Veriore për Historinë Kombëtare dhe kreu i ekipit të vendit të tij në Komisionin dypalësh mbi historinë, gjuhën dhe etninë, Dragi Georgiev, kohët e fundit tha se Maqedonia Veriore kurrë nuk do ta njohë Gotse Delçevin si bullgar.
Presidenti Pendarovski gjithashtu nënvizoi në një intervistë për EURACTIV se “njohja e Delçev si bullgar ishte një vijë e kuqe te cilen Shkupi nuk mund të jetë gati të kalojë”.
Shkupi dhe Sofja kanë arritur një marrëveshje mbi marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë dhe ranë dakord të ngrenë një komision të përbashkët për të punuar në çështje të diskutueshme si historia, gjuha ose përkatësia etnike. “Bullgarët kanë filluar të ankohen në Bruksel lidhur me punën e komisionit, duke u ankuar se nuk ka pasur rezultate … Në mënyrë joformale ata thonë se nëse nuk ka rezultate,” ne do të bllokojmë “,” tha Pendarovski në intervistë.
Kryeministri bullgar Bojko Borisov paralajmëroi me (20 qershor) Maqedoninë e Veriut kundër asaj që ai tha se ishte “retorika anti-bullgare” dhe përvetësimin e historisë së Bullgarisë si të saj, duke thënë se ajo “duhet të ndalet”.
Bullgaria, shtetësia e së cilës u krijua në shekullin e shtatë, konsideron se ish republika jugosllave, e cila njihet me emrin e Maqedonisë vetëm pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, po vjedh episodet e historisë mesjetare të Bullgarisë dhe më të fundit.
” Ata [Shkupi] mund të thonë “Bullgaria po na ndalon” ose “Bullgaria po bën pengesa”, por nuk mund ta lejoj këtë [të vazhdojë]. Bullgaria bëri gjithçka, dhe ata u ngjitën në qiell. Tani ata duhet të bëjnë kompromise në komision. Dhe retorika anti-bullgare duhet të ndalet “.
Por tonet e ashpra tentoi ti ulë kryediplomati maqedonas ; “Kryesia e Bullgarisë me Këshillin evropian, ka ndihmuar shumë që vëmendja e Evropës të jetë në rajon dhe pas plot 15 viteve në Sofje të mbahet samiti me Ballkanin Perëndimor. Si fqinjë që nënshkruam marrëveshje për miqësi të mirë, të cilët prekën çështje shumë delikate dhe emotive për të dy palët në mendimin historik, unë jam i bindur që do të gjejmë mënyrë, me anë të respektimit të tjetrit dhe miqësisë të mos i rrezikojmë qëllimet kryesore”, theksoi Nikolla Dimitrov, ministër i Punëve të Jashtme të Maqedonisë së Veriut.
Po ashtu retorikat e ndezura duket se u ulen më shumë gjatë samitit të Poznanit për Ballkanin Perendimor , ku u vendos që Maqedonia Veriore dhe Bullgaria të organizojnë samitin e ardhshëm të Procesit të Berlinit,
Ministri i Punëve të Jashtme të Maqedonisë Veriore Nikola Dimitrov dhe Ministri i Jashtëm i Bullgarisë Ekaterina Zakharieva në nje konference per mediat theksuan se :”Mbajtja e një presidence dypalëshe mbi Procesin e Berlinit për afërsinë ndërmjet këtyre vendeve brenda Ballkanit Perëndimor dhe siguron dritën jeshile dhe motivimin për të zgjeruar bashkëpunimin në platforma të tjera”, tha Dimitrov .
“Unë mendoj se presidenca jonë e përbashkët me kolegët e Maqedonisë Veriore do të fuqizojë shtetet e Ballkanit Perëndimor për të zgjidhur problemet e tyre”, tha Ministrja e Jashtme e Bullgarisë,Zaharieva
Menjehere pas kësaj qeveria maqedonase vjen me nje deklaratë ku u vendos se “Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria do t’i shënojnë së bashku festat historike të Shën Kirilit dhe Metodit, Shën Klimentit, Shën Naumit dhe Mbretit Samoil. “Me çdo festim zyrtar të këtyre përsonaliteteve, e vërteta historike për historinë tonë të përbashkët duhet të shënohet qartë. Parimet dhe vëzhgimet e përbashkëta për përmbajtjen e teksteve shkollore për klasën e pestë në Republikën e Bullgarisë dhe për klasën e gjashtë në Republikën e Maqedonisë së Veriut (Parahistoria dhe Historia e Lashtë) pranohen. Mbështetet propozimi i Komisionit për rishikimin e materialit mësimor në librat shkollorë për klasën e gjashtë në Republikën e Bullgarisë dhe klasën e 7-të në Republikën e Maqedonisë së Veriut deri në fund të vitit 2019”,
Por edhe pas këtij vendimi Bullgaria këmbëngul deri në fund për të marrë atë që pretendon, në të kundërt do të ketë kushtëzime, siç do ta shikojmë dhe tek deklaratat e presidentit bullgar Rumen Radev .“Detyra jonë është që ta mbështesim Maqedoninë e Veriut, por jo pa kushte dhe pa rezerve”, theksoi presidenti bullgar Rumen Radev në takimin me ambasadorët në Sofje, njofton Koha.mk
Marrëveshja e nënshkruar për fqinjësi të mirë praktikisht e hapi derën e Maqedonisë së Veriut drejt NATO-s dhe BE-së. Bullgaria duhet të jetë dhe është shteti që më tepër e mbështet Maqedoninë e Veriut, ky është detyrimi ynë ndaj vëllezërve tanë atje, por është e qartë se mbështetja nuk është e pakushtëzuar dhe pa rezervë. Duhet të jemi të sinqertë se qartë t’i vendosim linjat e kuqe”, thotë Radev.
Ka punë lidhur me librat shkollorë, librat, mediat, botuesit dhe televizionet që të pastrohet gjithë ajo që na largon njëri nga tjetri. Emocionet personale na ndihmojnë për atë. Nevojitet angazhim më i madh i institucioneve”, theksoi Radev.
Kjo tregon qartë kushtin e Bullgarisë ndaj fqinjit të tij ndërsa edhe njëhere shpërfaqet kushtëzimi i Maqedonisë së Veriut ndaj integrimit europian. Vallë a nuk mjaftoi ndryshimi i emrit si kusht i vetëm për integrimin e saj drejt Europës?
Po ashtu Kryeministri i ri i Geqisë i njohur për kundërshtitë e tij ndaj Marrevëshjes se Prespës, ka deklaruar se :“Në Ballkan, siç kemi thënë disa herë, është prioritet të zbuten pasojat negative të zbatimit të Marrëveshjes të Prespës. Nga sjellja dhe bashkëpunimi i mirë i fqinjëve tanë, do të vlerësohet rruga e tyre drejt Bashkimit Evropian”, tha Micotakis.
Kjo deklarate e kryeministrit te ri grek , duket sikur e ka vënë në ”provë “ këtë marrëveshje në saje të “plotësimit të detyrave” sipas vlerësimit grek.
Kushtëzimet apo “kërcënimet” diplomatike nga fqinjët ka bërë që së fundmi vete Kryeministri i Maqedonisë së Veriut të dorëzohet, duke folur kështu me “gjuhen e tyre”.
Pak ditë më parë Kryeministri Zoran Zaev në një intervistë për televizionin grek Alfa TV ka theksuar se:” Maqedonia e Veriut dhe maqedonasit në të kaluarën kanë përvetësuar historinë e huaj ballkanike dhe botërore“. Sipas tij, kjo është bërë pa mbajtur llogari se ajo do të ndikojë tek fqinjët dhe do të shkaktojnë një situatë të zënies më fqinjët dhe me këtë ishin mbyllur proceset për integrimin e vendit në NATO dhe BE,
Kjo deklaratë ndezi mjaft polemika në publik pasi në këtë mënyrë Zaev pranon atë që kryeministri Bullgar Borissov pretendon, ku siç përmenda me lart, fliste për “përvetësim të historisë nga ana e Maqedonisë së Veriut. “
Por lind pyetja cila do të jetë historia e Maqedonisë së Veriut ,e asaj para 17 qershorit 2018 apo ajo pas saj ? Pasi me Marrëveshjen e Prespës nuk erdhi vetem një emër i ri por duket se një shtet i ri po lind në Ballkan…
© Argumentum