Në kuadër të aktiviteteve për shënimin e 60-vjetorit të tërmetit të Shkupit, në Muzeun e Artit Bashkëkohor të Maqedonisë së Veriut u mbajt një manifestim ku u hap ekspozua digjitale e Arkivit Shtetëror “Shkëlqimi dhe rënia e Shkupit”, raporton Anadolu.
Në ekspozitën digjitale, e cila është pjesë e manifestimit “Shkupi në 05:17 – 60 vjet nga tërmeti”, morën pjesë presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, përfaqësues të pushtetit ekzekutiv, legjislativ dhe lokal, si dhe një numër i madh i përfaqësuesve diplomatikë dhe të ftuarve të tjerë.
Presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, në fjalimin e tij tha se tërmeti që ndodhi në vitin 1963 në Shkup paraqet një humbje të madhe intime njerëzore dhe një traumë kolektive.
Pendarovski theksoi se njerëzit shfaqën përkujdesje të paparë për njëri-tjetrin, duke shtuar se bota, ideologjikisht e ndarë në Lindje dhe Perëndim, u bashkua në ndihmë dhe solidaritet me të prekurit nga tërmeti.
“Memorialin e 60-vjetorit të tërmetit do të doja t’ia kushtonim pikërisht kuptimit të njerëzimit dhe vullnetit të njerëzve për të kapërcyer të gjitha tundimet dhe për të pasur kapacitetin që, edhe të lënduar, të tejkalojnë kurthet dhe gardhet në rrugë“, tha Pendarovski.
Ai shtoi se tërmeti riformësoi strukturat ekonomike, politike dhe kulturore të qytetit.
Në emër të trupit diplomatik foli ambasadori i Polonisë, Krzysztof Grzelczyk, si përfaqësues i vendit me donacionin e të cilit u ndërtua Muzeu i Artit Bashkëkohor.
“Këto përpjekje për rindërtim janë një nga shembujt më të ndritshëm të bashkëpunimit ndërkombëtar. Vlen të kujtohet se Kombet e Bashkuara krijuan një program të veçantë për rindërtimin e Shkupit, të udhëhequr nga arkitekti polak Adolf Ciborowski”, tha ambasadori Grzelczyk.
Ministrja e Kulturës së Maqedonisë së Veriut, Bisera Kostadinovska-Stojçevska, gjatë manifestimit u ndau mirënjohje përfaqësuesve diplomatikë nga vendet donatore pas tërmetit katastrofik. Në emër të Türkiyes, çmimin e pranoi zv/ambasadori Muhammet Çelikkaya.
– Tërmeti në Shkup
Nga tragjedia që ndodhi më 26 korrik të vitit 1963 në ora 05:17 dhe që shkatërroi Shkupin, humbën jetën 1.070 persona dhe u plagosën 4.000 të tjerë. Si pasojë e tërmetit 6,1 ballësh u shkatërruan 15.800 ndërtesa, u dëmtuan 28.000 të tjera, ndërsa pa kulm mbi kokë mbetën 200.000 persona.
Tërmeti i Shkupit është ndier në një sipërfaqe prej rreth 50.000 kilometrash katrorë, përmes luginës së lumit Vardar.
Stacioni i vjetër hekurudhor, i cili sot është Muzeu i Qytetit të Shkupit, është simbol i tërmetit shkatërrues. Ora e stacionit është ndalur përgjithmonë në 05:17, kur goditi tërmeti fatal.
Ndihma e parë për qytetarët e Shkupit erdhi nga ushtria dhe qytetarët e republikave të atëhershme jugosllave dhe disa ditë pas tërmetit filluan të mbërrijnë ndihmat dhe ekipet e shpëtimit nga gjithsej 87 vende nga e gjithë bota.