Shefi i diplomacisë së Maqedonisë së Veriut Bujar Osmani ka vizituar Ukrainën, në shenjë mbështetjeje për rezistencën e popullit ukrainas.
Ministri i Punëve të Jashtme të Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, gjatë vizitës së tij të punës në Ukrainë, u takua me ministrin e Punëve të Jashtme të Ukrainës, Dmytro Kuleba.
“Në vazhdim të vizitës në Ukrainë, ministri i Jashtëm Bujar Osmani u takua me nikoqirin e tij, Dmytro Kuleba. Ky është takimi i tyre i dytë brenda pak javësh”, thuhet në njoftimin e MPJ-së së Maqedonisë së Veriut.
Në njoftimin thuhet se tema qendrore e bisedimeve ishte agresioni rus kundër Ukrainës dhe pasojat e tij për shtetin dhe qytetarët ukrainas dhe më gjerë.
Theksohet se bashkëbiseduesit u pajtuan se kjo është një shkelje e rëndë e së drejtës ndërkombëtare dhe një sulm i paprovokuar ndaj sovranitetit të një vendi, por edhe një përpjekje serioze për të shkatërruar themelet e sigurisë dhe stabilitetit rajonal dhe global.
“Liria e Maqedonisë së Veriut dhe çdo shteti tjetër evropian sot mbrohet në Ukrainë dhe Ukraina meriton gjithë respektin, ndihmën dhe mbështetjen për këtë”, tha Osmani, duke shpjeguar se vendi që nga fillimi ka mbështetur të gjitha masat e dënimit dhe sanksionet kundër Federatës Ruse.
Në takim u diskutua gjithashtu për perspektivën evropiane të dy vendeve, ndikimin e luftës së Ukrainës në këtë kontekst dhe nevojën që procesi të marrë vëmendjen e tij të shtuar, në përputhje me dinamikën e re gjeopolitike dhe të sigurisë.
Gjatë vizitës së tij në Kiev, Osmani rihapi Ambasadën e Maqedonisë së Veriut në Ukrainë, duke e vënë atë plotësisht funksionale.
“Ky nuk është vetëm një mesazh simbolik, por një shprehje thelbësore e miqësisë dhe solidaritetit me popullin dhe shtetin ukrainas”, tha Osmani.
/Argumentum.al