Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, me rastin e festimit të 2 Gushtit – Ditës së Republikës – Ilindeni, tha se kjo ditë është një proces i vazhdueshëm i koduar në frymën e gjithë popujve që jetojnë në këtë vend.
Kryeministri Zoran Zaev, i shoqëruar nga zëvendëskryeministri i parë dhe ministri i Sistemit Politik dhe Marrëdhënieve Ndërmjet Bashkësive Artan Grubi, zëvendëskryeministri për Luftën kundër Korrupsionit dhe Krimit, Zhvillimit të Qëndrueshëm dhe Burimeve Njerëzore Ljupço Nikollovski, ministri i Brendshëm Oliver Spasovski dhe ministrja e Mbrojtjes Radmilla Shekerinska, sot në fshatin Pelincë vendosi lule në monumentin para Qendrës Memoriale të Kuvendit Antifashist për Çlirimin Nacional të Maqedonisë (ASNOM).
Në fjalimin e tij me rastin e 2 Gushtit – Ditës së Republikës, kryeministri Zaev tha se drita e Ilindenit shkëlqeu dy herë në historinë e Maqedonisë së Veriut, njëherë në vitin 1903 dhe së dyti në vitin 1944 me ASNOM-in.
Ai po ashtu tha se Ilindeni i tretë “është pafundësia e aspiratës” së vendit për të ardhmen.
“Ilindeni nuk është i lidhur me asnjë ideologji. Ai i kapërcen kufijtë e çdo periudhe kohore. Ilindeni është një proces i vazhdueshëm i koduar në frymën e maqedonasve, shqiptarëve, romëve, turqve, serbëve, vllehve, boshnjakëve dhe të gjithë popujve që jetojnë, krijojnë dhe luftojnë për një të nesërme më të mirë në atdheun tonë”, deklaroi kryeministri Zaev.
Presidenti maqedonas nëpërmjet një videomesazhi ka bërë një thirrje në “Ditën e Republikës”.Liria është ideali dhe qëllimi më i lartë i një populli. Ajo fillon si ide e një gjenerate e cila dëshiron të jetë vetë në të veten dhe vetë të vendosë për të ardhmen e saj, theksoi presidenti Stevo Pendarovski
“Më 2 gusht 1903, luftën për liri e filluan gjenerata revolucionare e Ilindenit e cila në epokën e monarkive shpalli republikë demokratike, ndërsa në kohën e nacionalizmave të ngushtë vendosi të ndërtojë bashkëjetesë ndërmjet të ndryshmëve”, porositi Pendarovski.
Në video paraqitjen shtoi se luftën për liri e ka vazhduar gjenerata e famshme antifashiste e cila i ka tejkaluar propagandat dhe ndasitë dhe është bashkuar rreth idesë për popull të lirë në shtetin e tij, të lirë.
“Siç dëshmon edhe Manifesti, më 2 gusht të vitit 1944, delegacionet në KAÇKM e realizuan ëndrrën për shtet të lirë maqedonas në të cilin të gjithë qytetarët e tij janë të barabartë dhe të njëjtë para ligjeve, pavarësisht nga dallimet dhe bindjet e tyre”, theksoi presidenti.
Por, një herë e fituar, liria, potencoi ai, duhet të ruhet nëpërmjet punës së përkushtuar të secilës gjeneratë të re. Përkujtoi se këtë vit festojmë 30 vjet nga pavarësia, vite në të cilat, siç tha, kishim edhe ngritje dhe rënie, tri dekada të sukseseve, por edhe përvoja të shumta të jashtme dhe të brendshme të cilat shkaktuan kriza dhe ndasi të thella.
“Në këto kohë të pasigurisë për ne, por edhe për gjithë botën, do të duhet që sërish t’i tejkalojmë ndasitë e brendshme dhe të bashkohemi rreth idealeve burimore të Ilindenit dhe KAÇKM-së. Ta kthejmë besimin e qytetarëve në shtet përmes përforcimit të institucioneve demokratike dhe sundimit të drejtësisë. Tu mundësojmë të rinjve që këtu ta ndërtojnë botën e tyre dhe t’i respektojmë ata që janë ndryshe nga ne, si supozim për shoqëri të qytetarëve të barabartë. Liria lind si ide, fitohet me luftë, ndërsa ruhet përmes përpjekjeve të çdo gjenerate, të secilit prej neve. Për shumë vite Ilindeni! Na qoftë e përjetshme republika – Maqedonia e Veriut!, theksoi presidenti në urimin e tij të Ilindenit./ argumentum.al