Maqedonia e Veriut nuk po i shpëton “kthetrave” të coronavirusit, pasi çdo ditë ka rritje të numrit të të prekurve me covid-10. Kështu të shtunën janë regjistruar 125 të infektuar me koronavirus si dhe dy viktima, nga testimi i 1,085 mostrave në 24 orët e fundit.
Bazuar në raportin e Ministrisë së Shëndetësisë, viktimat janë nga qytetet e Prilepit dhe Strumicës dhe tani numri të vdekurve nga sëmundja COVID-19 (që e shkakton koronavirusi) ka arritur në 151.
Sa i përket të infektuarve, numri më i madh sërish është regjistruar në Shkup, gjithsej 46 raste, pastaj 19 në Kumanovë, 17 në Shtip, 16 në Tetovë, 7 në Strugë, 6 në Gostivar ndërsa në tetë qytete tjera ka më pak të infektuar.
Me rastet e reja, numri i personave të diagnostikuar me COVID-19 ka arritur në 2,915, i të shëruarve në 1,640 ,ndërsa raste aktive mbeten 1,124 persona.
Deri më tani, në Maqedoninë e Veriut janë realizuar 35,471 mijë teste.
Numri i madh i të vdekurve është në qytetin e Shkupit, Tetovës, Kumanovës, Strugës dhe Shtipit.
Ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe, ka sqaruar se numri i lartë i të infektuarve ka të bëjë me mosrespektimin e masave mbrojtëse, por edhe me numrin e lartë të testeve të kryera, që sipas tij është më i lartë, krahasuar me vendet e rajonit.
Ai bëri thirrje për respektimin e masave si dhe mosfshehjen e simptomave, pasi siç tha, tani shumica e të infektuarve shfaqen me më pak simptoma.
“Virusi është këtu, andaj nevojitet kujdes dhe bashkëpunim më i madh me mjekët. Virusi nuk është i rrezikshëm si në fazën fillestare, por megjithatë duhet reagojmë me kohë që të dalin nga gjendja me sa më pak pasoja”, ka deklaruar ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe.
Maqedonia e Veriut të premten ka regjistruar 180 të infektuar që ishte shifra më e lartë me të infektuar që nga paraqitja e rastit të parë me koronavirus, më 26 shkurt.
Që nga dita e premte qytetet më të prekura si Shkupi, Kumanova, Tetova dhe Shtipi janë në izolim të plotë. Ndalimi i lëvizjes në këto qytete do të vazhdojë deri të hënën në 05.00.
© Argumentum