Ministri i Jashtëm i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, të dielën në Shkup tha se nisma e Ballkanit të Hapur synon thellimin e bashkëpunimit ndërmjet vendeve të rajonit, por nisma nuk do të jetë e plotë pa pjesëmarrjen e gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor.
Në një aktivitet me ambasadorin e Kosovës në Shkup, Florian Qehaja, me rastin e 13-vjetorit të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes dy vendeve, Osmani tha se Maqedonia e Veriut mund të largohet nga Ballkani i Hapur nëse do të dëmtohet ndonjë nga shtetet me këtë iniciativë.
Maqedonia e Veriut e njohu shtetin e Kosovës më 9 tetor 2008, ndërsa marrëdhëniet diplomatike mes dy vendeve u vendosën më 16 tetor 2009. “Ballkani i Hapur është një iniciativë organike, një nismë e vendeve të rajonit, e cila krijon ndjenjën se ne vetë mund të bashkëpunojmë pa na ftuar askush tjetër në ndonjë nismë tjetër. Por problemi i Ballkanit të Hapur është se jo të gjashtë vendet janë në të”, tha Osmani.
Sipas tij, qëndrimet e tre vendeve të tjera që kanë vendosur të mos jenë pjesë e nismës janë legjitime.
“Ne konsiderojmë se nëse dikush do të dëmtohet, po mendoj edhe për Kosovën për shkak të qëndrimeve të saj për këtë iniciativë, atëherë nuk do të marrim pjesë në këtë iniciativë. Ne do të jemi rojtarë të mbrojtjes së çdo vendi në Ballkanin e Hapur”, tha Osmani.
Nisma Open Balkan është vazhdimi i Mini-Shengenit Ballkanik, i prezantuar në Novi Sad, Serbi më 10 tetor 2019, nga liderët e Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë. Ballkani i Hapur thuhet se synon të mundësojë lëvizjen e lirë të njerëzve, mallrave dhe shërbimeve në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Kosova, Mali i Zi dhe Bosnja e Hercegovina nuk janë pjesë e saj.
/Argumentum.al