Me sloganin “Fitore për të gjithë” Maqedonia sot kremton dy Ilindenët. 117 vite nga Kryengritja e Ilindenit dhe 76 vite nga Seanca e parë e KAÇKM-së. Duke u drejtuar nga qendra memoriale e KAÇKM-së në Pelincë, presidenti Stevo Pendarovski tha se shteti që përballet me krizën më të madhe të shkaktuar nga pandemia e koronës duhet doemos sa më shpejtë të nxisë aktivitetin ekonomik pa hyrë në vorbullën e huazimit financiar dhe rritje së pakontrolluar të borxhit publik. Ai kërkoi formimin sa më të shpejtë të Qeverisë së re e cila nuk do ta ketë komoditetin e 100 ditëve, por menjëherë duhet t’i rreket punës. Si probleme kyçe në shtet Pendarovski i përmendi pabarazinë para ligjit dhe korrupsionin.
Partizimi dhe etnizimi i institucioneve e varros kapacitetin dhe legjitimitetin e tyre demokratik edhe në afat të shkurtër edhe në afat të gjatë. Pajtimi qytetar është kusht themelor për funksionimin e një shoqërie demokratike pluraliste, ndërsa demokracia është supozim për zhvillim ekonomik. Atëherë kur do të mësojmë se politika është betejë e ideve, e jo luftë për jetë ose vdekje, dhe se nga ndryshimi i pushtetit nuk guxon të varet realizimi i të drejtave dhe lirive të çdo qytetari, tek atëherë do të kemi shtet të mirëfilltë demokratik – tha Stevo Pendarovski, President i shtetit.
Kryeministri Oliver Spasovski në fjalimin e tij në Kalanë e Shkupit porositi se duhet të vazhdojmë të kultivojmë Konceptin e një shoqërie për të gjithë dhe të forcojmë bashkësinë që si premtim na është lënë me Manifestin e Krushevës dhe me KAÇKM-në.
Parimet e Ilindenit nuk janë të drejtuara drejt së kaluarës, por drejt së ardhmes. Ilindeni është rrënjosur thellë në memorien tonë, por si trashëgimi e gjallë. Për ne këto parime janë udhërrëfyesi më i qartë për rrugën tonë drejt BE-së. Këto janë vlerat evropiane dhe vlerat e NATO-s si Aleancë të cilës i takojmë si anëtare e plotfuqishme njëri prej qëllimeve tona strategjike që e realizuam sivjet u shpreh Oliver Spasovski, kryetar i Qeverisë.
Kryeparlamentari Talat Xhaferi i cili duhej të mbante fjalim nga Meçkin Kameni, por për shkak të gjendjes shëndetësore ishte i penguar në këtë synim, dërgoi kumtesë me shkrim.
Ilindeni është simbol i synimit për një të nesërme më të mirë, për jetë më të mirë të gjeneratave të ardhshme, shoqëri më të drejtë, përparim dhe vlera më të larta. Në këtë kohë të jashtëzakonshme të sfidave, në këtë ditë të veçantë, të kujtojmë dy ilindenët; Manifestin e Krushevës dhe idenë udhëheqëse të KAÇKM-së për Republikë të lirë, të pavarur dhe përparimtare të Maqedonisë së Veriut, duke e respektuar, duke e pranuar dhe duke u mbështetur në të afërmin, në bashkëqytetarin, në fqinjin – thuhet në urimin nga kryetari i Kuvendit.
Në Meçkin Kamen foli nënkryetari i Kuvendit Goran Misovski. Në kremtimin kishte vetëm një numër të vogël të të pranishmëve, meqë sivjet festa shënohet me masa të posaçme të mbrojtjes për shkak të krizës së koronës dhe të gjitha manifestimet kulturore janë anuluar.