Edhe këtë vit ka nisur maratona e 7 kontinenteve, me një prej sfidave më të vështira në botë.
Gjatë etapës së parë të garës që tashmë ka nisur në Antarktidë, garuesit duhet të vrapojnë mes akullit dhe dëborës. Maratona botërore është një sfidë fizike dhe logjistike ekstreme me atletët që duhet të garojnë në 7 maratona në 7 kontinentet e globit. Ndërkohë që etapa e parë ishte ajo me dëborë dhe akull në Antarktidë, e dyta solli një ndryshim rrënjësor temperaturash, pasi i çoi ata të garonin në Afrikën e Jugut.
Të dyja etapat e para të garës ekstreme u fituan nga maratonisti dhe ultra-maratonisti amerikan Michael Wardian, me një minutazh prej 3 orësh e 16 minuta në Antarktidë dhe 2 orë e 57 minuta në Afrikën e Jugut. Me të mbaruar e gjithë sfida ekstreme, atletët do të kenë garuar plot 183 milje dhe do të kenë udhëtuar në të gjithë botën duke fjetur në avion dhe duke ngrënë ushqim po në avion. E gjithë sfida bashkë me udhëtimin dhe kohën e gjumit do të zgjasë jo më shumë se 168 orë.
Etapa e radhës është në Perth të Australisë, ndjekur nga Dubai, Madridi, Kili, për të përfunduar në Miami.