E diela e Janarit e vitit 1964, në rrugën e Iballës, pavarsisht akullit e borës, kishte levizje ku sigurisht shumica e tyre ishin këmbësor hallexhi, të ngarkuar me lloj- lloj strajcash, ndërsa në kabinën e makinës së vetme të asaj dite (Zisi i gjeologjisë) ishte një nuse e bukur, e cila po perjetonte një përzierje ndjenjash si asnjeherë në jetën e saj.
Ajo sapo kishte mbushur 16 vjeç, dhe kjo e dielë ishte dita e dasmës së saj…
Kishin kaluar një orë rrugë dhe sapo e kishte marrë pak veten nga trauma e ndarjes nga familja e vet, ku tradita e vajtimit histerik e kishte bërë edhe me dramatike ndarjen.
Ajo nuk kishte shkuar kurrë përtej kodrave të fshatit ku kishte lindur, nuk kishte hipur kurrë në makinë, nuk kishte ndejtur kurrë ngjitur me njerëz të panjohur në një kabinë të mbyllur. Kishte dëgjuar për Iballen, por nuk e dinte edhe sa rrugë do pershkonte për të mbërritur atje.
Gropat e panumërta, rrëshqitjet e shpeshta të makinës në akull, shtellungat e duhanit në ajër, bulëzat e avullit në xhamat e Zisit, e lloj-lloj muhabeti në atë kabinë kamoni e kishin trullosur tej mase, e megjithatë mendja e saj ishte fiksuar tjetërkund, mendjen e kishte tek shumë pikëpyetje për të cilat nuk kishte përgjigje…
Si do ishte burri i saj, të cilin e kishte parë vetëm një herë nga e çara e derrasës në deren e odes së shtëpisë?
Do ishte i dashur, i vrazhdë apo i dhunshëm?
Si do e priste familja e re, c’njerëz do të gjente…., e shumë e shumë pytje të tjera që nuk mund t’u gjente pergjigje.
E gjithë kjo mjegullnajë medituese që i kishte dhënë fund si me thikë adoleshencës së saj, ndërpritet kur krushqit që ishin në karrocerinë e Zisit, edhe pse të ngrirë nga i ftohti, fillojnë t’i bien tupanit, për të lajmëruar fshatin e “se erdhëm….
Ajo nuk do të gjente më kohë të meditonte për fatin saj edhe për 30 vitet e ardhshme, sepse fati i kishte rezervuar asaj një eksperiencë të jashtëzakonshme.
Maria u martua me Nduen, një burre fisnik e punëtor, tipik i malësorit pukjanë, shtatlartë e me vështrim krenarë, shumë i hijshëm, njeri i dashur e familjar i devotshëm për familjen dhe i vlefshëm në komunitet. Edhe familja e Ndues, e priti Marien sikur ta kishte pasur gjithmon në gjirin e saj. Pas një viti zoti do t’i falte një fëmijë të bukur të cilën e pagëzuan me emrin Lindita. Askush nuk e mendonte bile as edhe Maria vetë nuk mund ta imagjinonte se pas Linditës do vinin me radhë, vit pas viti, edhe 14 fëmijë të tjerë, të bukur e të shëndetshëm,pas Lindites ajo solli në jete Antonin, Arbenin, Vjollcen, Vasilin, Florianin, Violeten, Veren, Sokolin, Blerimin, Lizen, Emirjonin, Leunoren, Kastriotin e në fund Zefin.
Maria lindi e rriti 15 fëmije të mrekullueshem, të cilet jo vetem që nuk vuajten ndonjë neglizhencë nga familja e tyre në krahasim me bashkëmoshataret e vet, përkundrazi, u edukuan për të shkelqyer në shkollë e në punë, duke merituar nje respekt kudo ku kanë shkuar.
Asnje nga këta 15 femije nuk la nje gjurmë të keqe në Iballe, asnje nga keta fëmije nuk është ndarë nga bashkëmoshataret e vet, në eskursione, ditëlindje, festa apo aktivitete që organizonte shkolla, përkundrazi në varësi të talentit të tyre, kanë luajtur rol aktiv në këto aktivitete.
E pra të dashur miq e mikesha, ju që keni një apo dy femije e nuk po merrni guximin për të nisur tjetrin, apo ju që keni shkuar 40 e kusur duke pritur princin a princeshën, me pretekstin se nuk keni kushtet që kërkon koha…, e keni gabim.
Në historine e njerëzimit nuk ka patur asnjëherë një periudhe kohore kur kanë qënë kushtet e përshtatshme apo volitshme për të krijuar familje, apo për të kryer çdo lloj ndryshimi që kërkon angazhim, guxim e impenjim. Ajo kohe nuk ka për të ardhur as në të ardhmen, të gjitha kohërat kanë patur dhe do të kenë sfidat dhe veshtiresitë e veta, të cilat do të duhet të kapërcehen nga njerëzit që jetojnë në atë kohë. Çdo pretendim për të krahasuar periudha të ndryshme kohe dhe potencialin e tyre është i pa argumentuar, sepse gjithmone na sjellin në rrethin vicioz të shprehjes:
“Kohët e vështira krijojnë njerëz të fortë, njerëzit e fortë krijojnë kohë të begata, kohët e begata krijojnë njerez të dobet, e për rrjedhojë njerëzit e dobët krijojnë kohë të veshtira …”.
Në ato kohë kur ndarja e produkteve ushqimore bëhej me rracion për frymë, mes grave të fshatit thuhej:” …ehhh, lum Maria e Ndue Alis, ka me e mush plot thesin groshë”, pa e menduar gjatë, faktin se Maria kishte 15 femijë për të ushqyer, pa llogaritur të rriturit e mysafiret.
Imagjinoni pak, sa punë fizike ka patur Maria gjatë jetës së saj, duke jetuar në kohën pa lavatriçe, pa lavastovilje, pa pampersa, me pak rroba, pa dush e pa uje në çesme.
Mund të duket e pabesueshme, por ajo ja ka dalë të bëjë një punë të jashtëzakonshme, duke ruajtur ekuilibrat mes familjes, angazhimeve në jeten shoqërore që pushteti i kohës i kërkonte, pritjes e përcjelljes së mysafireve që në zonen e Iballes nuk mungonin kurrë.
E pra të gjitha këto, Maria i ka bërë me dinjitet e krenari si më të mirët fshatit tonë. Ajo mund të quhet pa medyshje heroinë e kohëve tona, që me jetën e kontributin e saj për familjen e saj por edhe për të gjithë shoqërine shqiptare, do jetë një legjende e gjallë, që do të kujtohet e respektohet brez pas brezi.
Me siguri shumë prej jush mund ta paragjykoni zgjedhjen e saj, duke i vendosur epitete si: e prapambetur, e trashe, e paditur, e shumë e shumë të tjera, dhe nuk ju fajësojmë pasi jetojmë në epoken ku edukimin e marrim nga BBV, por faktet jane krejt ndryshe.
Planifikimi familjar nuk është shpikur në demokraci, por një punë e madhe bëhej në këtë drejtim edhe nga institucionet e kohës se diktatures, me fushatat për informimin dhe emancipimin e gruas, por edhe metoda te tjera për këtë çeshtje gjithmonë ka patur.
E pavarsisht këtyre Maria gjithmonë ka bërë zgjedhjen pro jetës, duke mirëpritur e dashur çdo foshnje të saj, sikur të ishte fëmija i saj i vetëm.
NANA MARIE, e gjithë krahina e Iballes të uron GEZUAR 8 MARSIN, paç jetën e gjatë e plot shëndet me dhjetra nipërit e mbesat që ta zbukurojnë pleqërinë.
Të dashur miq, po e mbyllim me një shprehje tjeter që prej viteve 80 qarkullon si me shaka mes burrave të fshatit, ajo është: “Dalsh fare si Ndue Alia”
Gëzuar 8 Marsit të gjitha Nënave shqiptare!
*Marre nga faqja zyrtare facebook e Iballe Puke
/Argumentum.al