Editorial
Ministri i Jashtëm i Turqisë, Hakan Fidan javën e fundit të Janarit zhvilloi një tur ballkanik, ku vizitën e tij të parë e nisi nga Shqipëria e më pas në Bullgari dhe Rumani.
Që nga emërimi në postin e kryediplomatit nga presidenti turk Erdogan pas zgjedhjeve të vitit 2023, Hakan Fidan e ka vizitën e tij të parë jo vetëm në Shqipëri, por në gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor. Meqënëse ka shërbyer prej më shumë se 11 vitesh si shef i shërbimit sekret turk, ai shihet si një nga njerëzit e besuar të Erdogan dhe që konsiderohet si pasues i tij.
Kjo cilësohet si një vizitë e rangut më të lartë nga Turqia, ku ministri Hakan Fidan pati takime kokë më kokë me ministrin e Jashtëm, Igli Hasani, me presidentin Bajram Begaj, dhe kryeministrin, Edi Rama.
Megjithatë përpara zhvillimit të agjendës zyrtare të përcaktuar me krerët më të lartë të shtetit shqiptar, numri një i diplomacisë turke, nisi vizitën e tij në Tiranë pikërisht nga Xhamia e Namazgjasë, një xhami ende e painauguruar, statusi juridik i së cilës mbetet peng i një diskutimi të gjatë mes Shqipërisë dhe Turqisë. Çështja e inaugurimit të Xhamisë së Namazgjasë, e financuar nga shteti turk, ka mbetur pezull për shkak të akuzave për lidhje të komunitetit me FETO-n, organizata e shpallur terroriste nga Turqia, e cila ndjek ideologjinë e Fetullah Gulenit, armikut të përbetuar të Erdogan, në ekzil prej vitesh në SHBA
Sipas Ankarasë, njerëzit e lidhur me këtë organizatë janë në krye të Komunitetit Mysliman të Shqipërisë.
Kjo është vënë re dhe nga fakti se ai nuk është shoqëruar prej asnjë figure të KMSH-së, nga asnjë figurë klerike muslimane në Shqipëri. Madje nga asnjë autoritet zyrtar shqiptar.
Është një vizitë gati diskrete në raport me median, pasi nuk pati asnjë njoftim zyrtar, ndonëse u përçuan simbolika të forta fetare me prezencën e tij në këtë xhami, ku vetë Erdogan në vitin 2015 vendosi gurin e parë për ndërtimin e saj.
Ndërkohë, mesazhin e tij, ministri turk e tha gjatë një konference të përbashkët me homologun shqiptar Igli Hasani.
Ministri i Jashtëm turk Hakan Fidan, përmendi gjatë vizitës së tij në Tiranë atë që e quajti “pastrim i mbetjeve të fundit të organizatës FETO”, të klerikut Fetullah Gylen, të cilën Ankaraja e akuzon për veprimtari terroriste dhe si përgjegjëse të grushtit të dështuar të shtetit në vitin 2016.
Në deklaratën pas takimit të tij me homologun shqiptar Igli Hasani, kreu i diplomacisë turke u shpreh se kishte vënë në dukje “ndjeshmërinë që ka Turqia ndaj kësaj çështjeje dhe hapat që mund të hidhen konkretisht për këtë”. Duke diktuar edhe njehere veprimet qe duhet te ndermarre Shqiperia.
Prej disa vitesh, thuajse të gjithë zyrtarët e lartë turq që kanë vizituar Tiranën, i kanë kërkuar autoriteteve shqiptare që të mos lejojnë të ashtuquajturit gylenistë, të mund të ushtrojnë veprimtaritë e tyre në Shqipëri.
Dy vjet më parë Presidenti Tayiip Erdogan paralajmëroi se kjo çështje do të ishte përcaktuese në marrëdhëniet mes dy vendeve. Sipas Turqisë anëtarë të organizatës FETO veprojnë në fusha të ndryshme në Shqipëri, përfshirë dhe drejtimin e Komunitetit musliman shqiptar. Një element i cili ka bërë që të mbetet pezull dhe inaugurimi i xhamisë së Namazgjasë në Tiranë.
Përtej kësaj çështjeje, marrëdhëniet mes dy vendeve u vlerësuan nga të dyja palët, të jenë të një niveli mjaft të ngushtë. Edhe vetë fakti që Shqipëria ështe vendi i parë i një turi që parashikon vizita të ministrit të Jashtëm turk dhe në Rumani e Bullgari, shihet si një shenjë e rëndësisë që Ankaraja i jep raporteve me Tiranën. Nga ana tjetër, kryeministri Rama, njihet për raportin e tij të ngushtë me presidentin Erdogan, i cili ka qenë shpesh në qendër të kritikave për metodat e tij autoritariste në udhëheqjen e vendit të tij.
Shefi i diplomacisë turke, bëri po ashtu me dije se brenda 2024 do të zhvillojmë Këshillin e parë strategjik mes dy vendeve, marrëveshje e nënshkruar me kryeministrit Edi Rama dhe presidentit Recep Tayyip Erdogan në Anakara. Fidan shtoi se objektivi ekonomik është që niveli i fluksit tregtar mes Turqisë e Shqipërisë të kapë vlerën e 2 miliardë dollarëve brenda këtij viti.
Të dy vendet nënshkruan në janar të vitit 2021 Deklaratën e Partneritetit Strategjik, ndërsa marrëveshjet e firmosura mes dy vendeve, shtrihen në një reze të gjerë fushash të ndryshme, nga teknologjia, te transporti, energjia, mbrojtja, shëndetësia, turizmi, arsimi, mjedisi si dhe kultura. Turqia, siç vuri në dukje dhe ministri i Jashtëm shqiptar Hasani është ndër investitorët më të mëdhenj në Shqipëri “me rreth 3.7 miliardë euro, ndërsa më shumë se 15 mijë shqiptarë janë të punësuar nga 830 kompanitë turke që operojnë në vendin tonë”.
Çfarë sjell kjo vizitë e top-diplomatit turk në Tiranë dhe Ballkan?
Kur flasim për marrëdhëniet Shqipëri-Turqi, është një marrëdhënie aq e fortë sa dhe e brishtë. Kjo pasi ndërthuret me zhvillimet gjeopolitike nga njëra anë dhe marrëdhëniet fetare nga ana tjetër. Kështu mund të percaktohet dhe kjo vizitë e top diplomatit turk në Tiranë, Bullgari e Rumani.
Në Shqipëri duket se përcaktimi gjeopolitik varet nga qasja religjioze.
Themi religjioze, fetare nisur dhe nga fakti se vizitën e parë, Ministri i Jashtëm e zhvilloi në Xhaminë e ende të painaguruar.
Megjithatë, kjo vizitë simbolike në xhamine e Namazgjasë, përcjell mesazh të fortë, duke marrë parasysh se së shpejti janë zgjedhjet e ardhshme të KMSH-së që do të zhvillohen në mars. Do të shihet nëse Turqia do influencojë pikërisht këto zgjedhje të cilat me pas duhet të konfirmojnë hapjen e Xhamisë së Namazgjasë, të financuar nga vetë Ankaraja.
Sigurisht kjo vizitë e Fidan Hakan mund ti shtrojë rrugën drejt një vizite të radhës të presidentit turk, Recep Tayyip Erdogan, në Shqipëri, por si duket jo përpara se të priten të gjitha fijet e lidhjeve shqiptare me Fetullah Gulen.
Gjithashtu kjo vizitë ka rëndësi gjeopolitike rajonale nisur nga zhvillimet në Ballkan.
Kësisoj vizita e planifikuar në dy vende të Bashkimit Evropian, Bullgari dhe Rumani, ndikimin e Turqisë në skenën gjeopolitike rajonale.
Gjithshtu, Kosova dhe Armatimi i saj është pikë esenciale. Zhvillimet në Kosovë, përfshirë blerjen e dronit turk dhe armatimeve nga SHBA-të, reflektojnë ndikimin dhe ndërhyrjen e Turqisë në marrëdhëniet ndërkombëtare, duke pasqyruar një lojë të kompleksuar gjeopolitike.
Prezenca e Turqisë shpreh ndikimin e thellë të Ankarasë në zhvillimet politike dhe gjeopolitike në rajonin e Ballkanit dhe jep një vështrim në përpjekjet për të arritur një pozicion strategjik në skenën globale.
Ndaj vizita e ministrit të Jashtëm turk në Tiranë, Sofje dhe Bukuresht, shfaq mundësinë e thellimit të bashkëpunimit dhe rolin e Turqisë në skenën gjeopolitike rajonale e cila padiskutim ndërthuret ngushtësisht mes influences fetare, ekonomike dhe asaj politike.
© 2024 Argumentum