Lista e Vjosa Osmanit në zgjedhjet e 14 shkurtit do të garojë së bashku me listën kandidatëve të Lëvizjes Vetëvendosje të Albin Kurtit. Vendimi për koalicionin u bë i ditur në konferencën për media të mbajtur nga Vjosa Osmani dhe lideri i LVV-së, Albin Kurti. Kurti do të garojë për kryeministër, kurse Osmani për Presidente e Kosovës, post të cilin po e mban pas dorëheqjes së Hashim Thaçit.
Lideri i lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti tregoi qëllimin e marrëveshjes. ”Sapo kemi nënshkruar marrëveshjen e parimeve dhe synimeve politike, marrëveshje kjo për një shtet me drejtësi dhe pa korrupsion, për një shoqëri me shëndet, punësim e arsim pa diskriminin”, tha ai.
Për më tepër, Kurti theksoi se “viti 2020 ka treguar se Kosova ka nevojë për kryeministër të ri dhe presidente të re. Ne e kemi presidenten që e ka kryer detyrën me përgjegjësi dhe dinjitet. E ka shprehur integritetin e institucionit dhe unitetin e popullit. Në këto zgjedhje që janë referendum duhet ta rilegjitimojmë këtë”.
Vjosa Osmani ka thënë se marrëveshja që ka arritur me Lëvizjen Vetëvendosje për të garuar së bashku në zgjedhje, përfaqëson vullnetin e qytetarëve. “Do të jem unë personi që do ta kërkoj këtë ri legjitimim, sepse presidenti i vendit përfaqëson unitetin e popullit. Një presidente që ka legjitimitet më së miri e përfaqëson këtë. Do të garojmë pikërisht si thoni ju”, tha ajo.