Kryeministri Edi Rama edhe një herë ka mohuar që mes Shqipërisë dhe Greqisë të ketë një marrëveshje për çështjen e detit. Gjatë një interviste ne “Opinion” ai tha se që një marrëveshje të quhet e tillë duhet të kalojë në disa etapa.
“Marrëveshja quhet e tillë kur ekziston dhe që një marrëveshje e tillë si kjo për detin të ekzistojë, duhet të ketë firma, vula. Por ajo nuk është e vlefshme edhe me firma dhe vula deri kur kalon në disa etapa. Nëse ka një gup negociator, ky grup nuk mund ta bëjë sipas opinionit të tij një marrëveshje, por ajo nuk është e vlefshme nëse nuk shkon tek kuvendi, nëse nuk kalon tek presidenti si intancë dhe presidenti i Shqipërisë aktual, ka thënë që ai do ta çojë marrëveshjen paraprakisht në Gjykatën Kushtetuese”, u shpreh Rama.
Ndërkohë i pyetur nga gazetari Blendi Fevziu nëse do të ishte për një marrëveshje me Greqinë, Rama tha: “Unë jam për marrëveshje me çdokënd. Me Greqinë nuk diskutohet. Është një nga partnerët strategjikë. Ne kemi Italinë, Turqinë, Greqinë tre partnerë strategjikë që para se të vinim në qeveri. Natyrisht aleatët strategjikë janë SHBA dhe BE. Unë jam për zero probleme me fqinjët, por jo duke mbuluar problemet”.
Më tej, Rama tha se me një marrëveshje për çështjen e detit me Greqinë, qeveria shqiptare synon të marri më shumë se marrëveshja e vitit 2009.
Fevziu: Do të merrni më pak apo më shumë se marrëveshja e 2009?
Rama: Po pse për çfarë po e bëjmë këtë gjë? Kjo bëhet që ne të kthehemi në normalitetin qeverisës, në funksion të interesave kombëtare dhe në respekt të konventave ndërkombëtare.
Fevziu: Po sikur konventa të mos japi më shumë se marrëveshja e 2009?
Rama: Marrëveshja e 2009 është fytyra e aftësisë qeverisëse të klubit te peshkatarëve. Dhe po të shikoni çfarë serioziteti ka pas pala greke dhe po të shikoni letra tona në ato negociata do të shikoni kush ka negociuar në emër të Shqipërisë dhe kush është klubi i peshkatarëve.