Marrëveshja me Greqinë për ndërrimin e emrit të Maqedonisë, në Republika e Maqedonisë së Veriut, apo e njohur ndryshe si Marrëveshja e Prespës, e nënshkruar më 17 qershor të vitit 2018, do të zë vendin kryesor të fushatës për zgjedhjet e 12 prillit.
Këtë e kanë bërë të ditur vetë partitë politike, të cilat javën e kaluar i kushtuan vëmendje të veçantë kësaj çështjeje, në veçanti Lidhja Social-Demokrate, e cila madje organizoi dy konferenca për mediat.
Prononcimet e saj vijnë pas disa deklarimeve të mëhershme të liderit të opozitës maqedonase, Hristijan Mickoski se në rast se partia e tij fiton në zgjedhje, atëherë do të shqyrtojë mundësinë për anulimin e marrëveshjes me Greqinë.
“VMRO DPMNE-ja po vazhdon të bëjë komplote me ide të rrezikshme për anulimin apo shfuqizimin e Marrëveshjes së Prespës. Kjo parti dëshiron të anuloj këtë marrëveshje e cila na çoi deri në anëtarësimin e plotë në NATO dhe në prag të anëtarësimit në Bashkimin Evropian”.
“Ky qëllim i opozitës është i dëmshëm për vendin, e kthen atë 20 vjet mbrapa, shkatërron të ardhmen e këtij vendi, kthen tensionet dhe pasigurinë në vend”, ka deklaruar ish-kryeministri Zoran Zaev, kryetar i LSDM-së, i cili së bashku me ish-kryeministrin grek, Alexis Tsipras, janë mbështetësit më të mëdhenj të Marrëveshjes për zgjidhjen e kontestit më se dy dekadash të emrit mes dy vendeve.
VMRO DPMNE-ja opozitare në vazhdimësi ka kundërshtuar marrëveshjen ndërsa në referendumin e organizuar më 30 shtator të vitit 2018, ajo ftoi qytetarët në bojkot me çka edhe çoi në dështimin e tij, meqë nuk u arrit pragu i daljes prej 50 për qind. Kjo parti edhe tani deklarohet kundër Marrëveshjes, dhe siç thotë këtë do ta argumentojë edhe në fushatën zgjedhore.
“Ne po e themi atë që qytetarët e mendojnë atë që e mendon VMRO DPMNE-ja. Ne mbetemi në qëndrimin se kjo marrëveshje është e dëmshme dhe po, nëse fitojmë zgjedhjet do të shqyrtojmë të gjitha mundësinë për anulimin e saj”, ka deklaruar Igor Janushev nga VMRO DPMNE-ja.
Partitë shqiptare pa përjashtim janë për respektimin e Marrëveshjes, meqë gjatë kohë kanë kërkuar zhbllokimin e procesit eurointegrues, që besohet se është arritur pas zgjidhjes së kontestit me fqinjin jugor i cili edhe kishte bllokuar me vite anëtarësimin në NATO dhe procesin e integrimit evropian.
Nga Bashkimi Demokratik për Integrim thonë se asnjë parti maqedonase që kundërshton jo vetëm Marrëveshjen e Prespës, por edhe Marrëveshjen e Ohrit dhe Marrëveshjen me Bullgarinë nuk mund të llogarisë BDI-në si partnere në qeverinë e re.
“Ne po nxjerrim në pah atë që qytetarët e mendojnë, atë që VMRO DPMNE-ja e mendon. Ne qëndrojmë pas asaj që kemi thënë deri tani se kjo marrëveshje është e dëmshme pasi prej identitetin tonë kombëtar. Është e vërtetë se nuk shumë e kemi thënë dhe sërish e përsërisim se nëse marrim mbështetjen ne do të mundohemi ta revokojmë këtë marrëveshje”.
“Ne askënd nuk e kërcënojmë, duam të jemi miq më të gjithë, por kuptohet se nuk duhet të turpërohemi nga ajo që jemi dhe asnjëherë nuk do të turpërohemi. Jemi maqedonas dhe sit ë tillë do të mbetemi”, ka deklaruar Igor Janushev, sekretar i përgjithshëm I VMRO DPMNE-së”, ka deklaruar kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti në kongresin partiak.
“Nuk ka kthim pas, nuk ka asnjë hapësirë që të shohim dhe të kthehemi pas për të bërë ndonjë një analizë më ndryshe për këto çështje. Këto kapituj janë të mbyllur pasi ndërtojnë dhe sigurojnë një të ardhme shumë të sigurt të Maqedonisë së Veriut. Çdo tendencë për të prekur këto çështje do të hasë në rezistencë dhe nuk mund të llogarisë në partneritet me BDI-në”, ka theksuar Ahmeti.
Njohësit e rrethanave politike thonë se pa dyshim se çështja e emrit do të zë vend të rëndësishëm në fushatën e partive politike, por dyshojnë nëse VMRO DPMNE-ja edhe në rast të fitores do të hiqte dorë nga kjo marrëveshje që është arritur me ndërmjetësim të bashkësisë ndërkombëtare.
“Qëndrimi i tyre partiak është se marrëveshja është e keqe, se do të arrinin marrëveshje më të mirë, se do ta ndryshojnë andaj duhet të dimë një qëndrim më të qartë të saj sa i përket kësaj çështjeje, se çfarë mund të presim nëse kjo parti do të fitonte zgjedhjet”.
“Marrëveshja e Prespës ka zhbllokuar procesin integrues, me anëtarësimin në NATO garantohet siguria. Nuk besoj se ndonjë parti do të kthente gjendjen në fillim pasi kjo nga kjo nuk do të kishte të ardhme më të mirë nga ajo që kishim. Konsideroj se gjatë fushatës do të dëgjojmë deklarime të ndryshme populiste, që më shumë do të jenë në funksion të fushatës elektorale”, thotë Aleskandar Krzhalovski nga Instituti maqedonas për bashkëpunim ndërkombëtar./Rel