Ratifikimi i Marrëveshjes së Prespës së fundmi dhe në parlamentin grek, duke konfirmuar lindjen e Maqedonisë së Veriut, u dha shtysë të gjitha zhvillimeve në rajon. Sikundër u përfol që në fillim, tashmë kryeministrat Tsipras dhe Zaev janë kandidatë për çmimin Nobel për Paqen. Por siç duket, në Ballkan nuk janë të vetmit që pretendojnë këtë çmim.
Një marrëveshje tjetër e rëndësishme dhe më e vështirë se ajo e Maqedonisë dhe Greqisë siç citon presidenti Vuçiç, pritet të marrë zgjidhje. Marrëveshja Kosovë-Serbi. Nëse nyja e Kosovës arrin të zgjidhet deri në pranverën e vitit 2019, gjasat janë të mëdha që Hashim Thaçi e Aleksandër Vuçiç të nominohen për çmimin Nobel për Paqe.
Por a do të sjellë vërtet paqe marrëveshja Thaçi-Vuçiç?
Që nga deklarata e Presidentit Thaçi në gusht të 2018-ës e deri më sot, situata ka precipituar duke bërë që Kosova të ecë drejt një rruge tejet të rrezikshme për të, por dhe për të gjithë Ballkanin. E trumbetuar shumë si një marrëveshje për korigjim apo ndryshim kufijsh, situata duket edhe më e vështirë. Kosova sot është në udhëkryq .
Ideja e ndarjes së saj po merr jetë çdo ditë, duke bërë që shteti i Kosovës të vihet në pikëpyetje. Pavarësisht se kjo ide ka kundërshtime brenda dhe jashtë kufirit, Thaçi dhe Vuçiç flasin për mbështetje nga fuqitë e mëdha, duke e bërë fakt konkret ndarjen e Kosovës dhe duke e rikthyer atë në pikën zero.
Theksoj këtu se një nga arsyet kryesore e këtij regresi, është dështimi flagrant i BE-së në Kosovë, pikë së pari me dialogun dhe më pas, me refuzimin e liberalizimit të vizave. Edhe pse i plotesoi kushtet, nuk ia liberalizoi vizat duke e lënë Kosovën të izoluar dhe të kushtëzuar përballë Serbisë, e cila vetëm kërkon dhe nuk jep.
Por më 21 nëntor 2018, Kosova vendosi 100% tarifë doganore për të gjitha mallrat që importohen nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina. Vendimi ishtë një përgjigje ndaj veprimeve të vazhdueshme destruktive të Serbisë dhe Bosnjë-Hercegovinës që kërkojnë të minojnë sovranitetin e Kosovës.
Përveç Presidentit Thaçi i cili bënte thirrje herë pas here për heqjen e takses, ky vendim i kryeminstrit Haradinaj gjeti përkrahje dhe mbështetje mbarëpopullore .
Aleatet e saj në bashkëqeverisje, po ashtu ishin përkrah Haradinajt për vijueshmërinë e taksës deri në njohjen e Kosovës nga Serbia. Nga ana tjetër, vendimi i kryeministrit Haradinaj për taksën ndaj mallrave serbe solli pakënaqësi dhe reagim, jo vetëm në Serbi e aleatët e saj, por edhe nga faktorë të tjerë përcaktues, dhe pse ky qëndrim ishte i drejtë përkundrejt mosnjohjes nga Serbia, jo vetëm i shtetit të Kosovës, por dhe i bllokimit të aderimit të saj në UNESKO, në Interpol, etj…
Çuditërisht, askush nuk bëri presion mbi Serbinë, pas bllokimit të aderimit të saj në institucionet ndërkombëtare, edhe pse BE-ja ishte ndërmjetëse për dialogun Kosovë-Serbi, por taksa e Kosovës ka ngritur në këmbë diplomacinë ndërkombëtare, madje përfshiu dhe fuqitë e mëdha.
Jo vetëm kaq, përkrahja që pati në fillim Haradinaj nga aleatët e saj në bashkëqeverisje, nuk zgjati shumë. Kjo takse po i përçan partitë politike në Kosovë, të cilat as kësaj here nuk arritën të jenë bashkë deri në fund njëzëri për të ardhmen e Kosovës.
Koalicioni qeverisës ka ndryshuar mendje, nuk janë më dakort me kryeministrin Haradinaj për taksen 100% ndaj produkteve të Serbisë. Kryetari i PDK-së, Veseli, kërkoi që taksa të pezullohet për 120 ditë. Ai ka deklaruar se mund të prishet koalicioni, nëse dikush, duke aluduar në kryeministrin Ramush Haradinaj, i rrezikon raportet me SHBA-të.
Por Ramush Haradinaj nuk është lëkundur aspak nga qëndrimi i tij prej shtetari të vertetë duke treguar vendosmërine për mbajtjen e taksës 100% deri në njohjen e Kosovës nga Serbia.
Ndërsa kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti ka kërkuar edhe njëherë që taksa 100 për qind ndaj produkteve serbe dhe të Bosnjës të mos largohet, por të largohet qeveria “Haradinaj”. Sikundër është shprehur Kurti: “Ne kemi qëndrim të kundërt si Lëvizjes Vetëvendosje. Por ndryshe nga presidenti Thaçi dhe dhe kryeparlamentari Veseli , “Vetëvendosje” e mbështet taksen 100% por gjithsesi kërkon të largohet qeveria “Haradinaj”. Në fakt, një reagim i tillë nuk pritej nga Albin Kurti, duke parë rrugëtimin e tij të gjatë me protesta, arrestime të vetë atij apo dhe pjestarëve të tjerë të VV-së, pikërisht për ata kufij, për shtetin e Kosovës. Kujtojmë se për demarkacionin e Kosovës me Malin e Zi, seancat parlamentare u bënë të pamundura nga gazi lotsjellës dhe tymosjet e LVV.
Serbia vijon insistimin në heqjen e takses si kusht për të vijuar me dialogun. Dialog, i cili në pikëpamjen time nuk duhet të ishte nisur kurrë në këto kushte, pasi siç është shprehur kohë më pare dhe lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti se:“Është një dialog asimetrik, me të cilën Kosova ka qenë më shumë temë sesa palë. Së pari, ky dialog duhet të kishte filluar me një kërkim falje nga e Serbise për krimet e Millosheviçit, krime të faktuara nga e gjithë bota. Por në të vërtetë, kurrë nuk u kërkua falje për genocidin në Kosovë, për ata qindra e mijëra të rënë në luftë, kurrë nuk u mbajt përgjegjësi për ato qindra të burgosur e të zhdukur.
Kujtojme se në fillim të janarit u përkujtua 20-vjetori i masakrës së Reçakut, e cila i ndërgjegjësoi ndërkombëtaret se Kosova po përjetonte genocid nga serbet. Ndërkohë, çdo ditë dalin rrëfime të grave të abuzuara gjatë luftës në Kosovë . Flitet për 20 mijë raste të dhunimit seksual të grave kosovare nga serbët. Ndërsa 1400 fëmijë të Kosovës nuk patën fatin të rriten më kurrë në një vend të lirë .
Sikundër të mos mjaftonte, sot po cënohet nderi dhe sovraniteti i Kosovës duke shkatërruar atë që kanë ndërtuar me gjak. Atëherë mos shkoni më në Prekaz t’u vendosni kurora me lule Jasharajve, pasi me korrigjim të kufijve, ju po i vrisni ata për së dyti. Ju po i dhunoni ato nëna e motra sërish, tashmë jo në emër të luftës por në emer të “Nobelit për Paqen”.
Flitet për korrigjim kufijsh, por se si askush nuk thotë.
I vetmi që flet hapur është kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj, i cili pas presionit për heqjen e taksës është shprehur se “Nga bashkësia ndërkombëtare është kërkuar që Kosova të japë diçka, nëse Serbia e njeh shtetin e Kosovës”.
Sipas tij, është kërkuar që Kosova të japë tokë ose Republikë brenda Republikës. “Nuk ua jap tregun më Serbisë pa e marrë njohjen. Kjo nuk është kundër Amerikës, veç duhet t’ua shpjegojmë. Duam njohjen. Nuk japim tokë as nuk tolerojmë ‘Republika Srpska’ brenda Kosovës, por ua kthejmë tregun për njohje”, është shprehur Haradinaj.
Në intervisten e fundit për Interaktiv, Kosnet ka “minuar” idenë e kryeministrit Haradinaj për një konferencë ndërkombëtare, duke thënë: “Ajo e hap derën për diskutimin e çështjeve që tashmë janë vendosur, përfshirë edhe pavarësinë e Kosovës. Do të mund të përfshinte edhe palë tjera që vetëm sa do ta ndërlikonin punën”, ka thënë ai.
Por a e di ambasadori amerikan që pavarësia e Kosovës po cënohet çdo ditë nga sulmi diplomatik që po bën Serbia? Të pakten 10 shtete deri tani kanë tërhequr njohjen e Kosovës si shtet i pavarur, ndërkohë që zhvilloheshin bisedimet në Bruksel. Në atë kohë, qeveria e Kosovës nuk e kishte vendosur taksën. Çfarë po bën SHBA lidhur me këtë sulm ofensiv që ka bërë Serbia ndaj Kosovës gjatë gjithë kohës së dialogut?
Një insistim i tillë nga pala amerikane për ndryshim kufijsh është i pabesueshëm duke marrë parasysh që ka qenë mbështetëse e Kosovës së pavarur, po me këta kufij, pra praktikisht duan të shkatërrojnë atë që ndërtuan vite më parë?
Tani në bisedime kemi dy lojtarë të mëdhenj SHBA-Rusi, të cilët janë më imponues. Duket se përfshirja drejtpërdrejt e SHBA-së dhe Rusisë pas dështimit të BE-së në këtë dialog do të jetë e domosdoshme në zgjidhjen përfundimare të kësaj çështje kaq të rëndësishme. Por kjo përfshirje po e servir “Marrëveshjen Thaçi-Vuçiç “si një dakordësi e fuqive të mëdha.
Vetë Presidenti Thaçi, pas kësaj ka filluar t’i shikojë ndryshe raportet e Kosovës me Rusinë. Ai ka theksuar se është “frymëzuar shumë” nga biseda e drejtpërdrejtë që ka zhvilluar në Paris me Putinin, dy muaj më parë, kur presidenti serb i ka thënë Thaçit se “nëse Kosova dhe Serbia arrijnë një marrëveshje për paqe, nëpërmjet dialogut, ai do ta pranojë dhe do ta mbështesë një dokument të tillë”.
Në fakt kjo nuk është asgje e re, pasi Rusia gjithmonë e ka theksuar faktin që do të njohë çdo marrëveshje ndërmjet Kosovës e Serbisë … Edhe në vizitën e tij më 17 janar në Serbi, presidenti Rus Vladimir Putin në konferencen për shtyp do të deklaronte se: “… Pozicioni i Rusisë dihet. Ne ftojmë Beogradin dhe Kosovën të arrijnë një marrëveshje realiste, reciproke e të pranueshme që rregullon marrëdhënien me Kosovën bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara”.
Madje mund të themi që Rusia është e vetmja që nuk ka ndryshuar deklaratat e saj, duke treguar edhe njëherë maturinë në politikën e jashtme. Megjithatë , mund të themi që është shenjë e mirë që Thaçi arrin të njohë e të vlerësoje Putinin me vetëm disa minuta bisede, duke mos e parë më si kërcënim “ariun rus”, sikundër është shprehur më parë.
Gjithsesi, duhet thëne se është një manipulim që po i bëhet publikut duke folur në emër të SHBA-ve që ata e paskan miratuar marrëveshjen.
Cilën marrëveshje?
Në parim, edhe Rusia e ka mbështetur idenë e një marrëveshje Kosovë-Serbi duke cituar që respekton marrëveshjen ndërmjet tyre, por askush deri më tani nuk ka specifikuar qartë çfarë përmban ajo, cilat janë pikat e saj? Pra, sikundër Rusia që respekton marrëveshjen ne parim, edhe SHBA po e respekton atë në parim pa ndonjë dokument që parashtron pikat konkrete të një marrëveshje të tillë. Ndaj asesi nuk mund të pranohet kjo ide e Thaçit, i cili proklamon se fuqitë e mëdha janë dakort për marrëveshjen, deri në bërjen publike të një dokumenti se çfarë përban kjo marrëveshje dhe çfarë mbështet SHBA.
Të gjithë duam që të vendoset paqe mes shqiptarëve dhe serbëve nga kjo armiqësi shekullore mes njëri-tjetrit për të ndërtuar së bashku një të ardhme në familjen e përbashkët evropiane dhe nën ombrellën euroatlantike, por pikë së pari Serbia duhet të bëjë hapin e madh…njohjen e Kosovës si shtet i pavarur , kusht ky i pa negociueshëm.
Kjo marrëveshje e trumbetuar si guri i paqes në Ballkan, mund të kthehet në një gur lufte me efekt domino në të gjithë Ballkanin, ndaj rregullat e lojës nuk duhet të ndryshohen, por të vijojnë sipas kushteve të kryeministrit të Kosovës, z.Haradinaj. Më 17 shkurt , Kosova do të festojë 11-vjetorin e Pavarsisë, por nuk dihet nëse do jetë me këta kufij apo jo? Atë tokë që dikur e keni mbrojtur si komandantë të UÇK-së me gjak, sot keni mundësi ta mbroni si burra shteti.