Presidenti i Malit të Zi, Jakov Millatoviq, ia ka kthyer Kuvendit për rishqyrtim njërën nga dy marrëveshjet që Qeveria e Malit të Zi i kishte nënshkruar me Emiratet e Bashkuara Arabe – atë që i hapte rrugë dhënies me qira të Plazhit të Madh në Ulqin.
Sipas asaj marrëveshjeje, Mali i Zi do t’ia jepte Plazhin e Madh me qira për 99 vjet kompanisë Emmar të biznesmenit arab, Mohamed Alabbarit, që do të ndërtonte një kompleks megaturistik në Ulqin.
Alabbar ka marrë pjesë edhe në projekte rajonale në Kroaci, Shqipëri dhe në “Beogradin mbi ujë” në Serbi.
Por, Millatoviq, i cili dekretoi Ligjin për ratifikimin e Marrëveshjes për bashkëpunim ekonomik, nuk e bëri të njëjtën edhe për Ligjin për ratifikimin e Marrëveshjes për bashkëpunim në fushën e turizmit dhe zhvillimit të pasurive të paluajtshme. Këtë të fundit ai ua ktheu deputetëve për ta votuar sërish.
Që marrëveshjet e nënshkruara nga kryeministri Millojko Spajiq në fund të marsit me zyrtarët e Emirateve të hyjnë në fuqi, Kuvendi i Malit të Zi i miratoi dy ligjet me procedurë të përshpejtuar më 23 prill, me propozim të Qeverisë.
Ato u mbështetën nga deputetët e shumicës parlamentare – lëvizja e Spajiqit “Evropa tani”, partia “Demokracia e Re Serbe” e kryetarit të Kuvendit, Andrija Mandiq, Demokratët dhe Partia Boshnjake.
Ditëve para miratimit, Millatoviq dhe një pjesë e sektorit joqeveritar paralajmëruan se me miratimin e Marrëveshjes për bashkëpunim në turizëm dhe zhvillim të pasurive të paluajtshme po pezullohet Kushtetuta dhe një pjesë e ligjeve të Malit të Zi.
Kthimi i këtij ligji nga Millatoviq e detyron Kuvendin që të votojë sërish për të. Nëse ligji miratohet përsëri, ai do t’i dërgohet sërish Millatoviqit për nënshkrim. Sipas Kushtetutës, në atë rast ai është i detyruar ta nënshkruajë, dhe ligji hyn në fuqi.
Nga zyra e presidentit të Malit të Zi u tha se arsyet për mosnënshkrimin janë shumë çështje të hapura në atë marrëveshje, për të cilat publiku nuk ka marrë përgjigje adekuate nga Qeveria.
Kritikat kryesore janë se marrëveshja nuk respekton parimin e konkurrencës dhe pozitës së barabartë në treg, se pezullon legjislacionin vendas për prokurimet publike, tenderët dhe pasurinë shtetërore, se mungojnë analizat juridike dhe financiare për shumë detyrime që Qeveria ka marrë mbi vete…
“Marrëveshja përbën praktikisht një akt detyrues njëpalësh, me një sërë detyrimesh për shtetin e Malit të Zi, ndërkohë që nuk përmban asnjë detyrim konkret nga pala tjetër që do të siguronte mbrojtjen e interesave të shtetit në këtë marrëdhënie juridike”, thuhet në arsyetimin e Millatoviqit.
Me këtë qasje, siç pretendohet, Qeveria e ka vënë Malin e Zi në një pozitë të pabarabartë në raport me palën tjetër kontraktuese.
Presidenti Millatoviq në fund u bën thirrje deputetëve që, gjatë rishqyrtimit, të marrin në konsideratë të gjitha vërejtjet ndaj marrëveshjes nga një pjesë e institucioneve shtetërore, komuniteteve lokale, sektorit joqeveritar dhe zyrtarëve evropianë, në mënyrë që – siç thuhet – të parandalohen pasojat e dëmshme për interesat shtetërore.
Për arsyet e kthimit të marrëveshjes, Millatoviq e ka informuar me telefon ministrin e Jashtëm të Emirateve, Sheikun Abdullah bin Zayed Al Nahyan.