Liderit e partive politike në Shqipëri kanë përshëndetur marrëveshjen mes Kosovës dhe Serbisë për udhëtimin e lirë të qytetarëve.
Kryeministri Edi Rama
Kryeministri Edi Rama e cilësoi lajm të bukur “zgjidhjen me dialog të çështjes së lëvizjes së lirë mes Serbisë e Kosovës, e bashkë me urimet për të dy palët uroj që ky zhvillim ta çojë dialogun në një nivel të ri, për të mos humbur kohë dhe energji pafund në arritjen e gjërave kaq thjeshtësisht logjike sa kjo sot”.
Presidenti Bajram Begaj
Begaj shkruan se kjo marrëveshje është në të mirë të të gjithë qytetarëve.
“Përshëndes marrëveshjen që lehtëson udhëtimin e shtetasve mes Kosovës dhe Serbisë, në interesin më të mirë të të gjithë qytetarëve.
Vlerësim për dialogun që sjell rezultate dhe mirenjohje për mbështetjen e BE & SHBA”, shkruan Begaj.
Kreu i Partise se Lirise, Ilir Meta
Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ka reaguar lidhur me arritjen e marrëveshjes së re midis Kosovës dhe Serbisë për të njohur dokumentet e identifikimit.
Në një reagim në rrjetet sociale, Meta thekson se vetëm nëpërmjet vijimit të dialogut të lehtësuar nga BE dhe SHBA, mund të arrihet në një zgjidhje e qëndrueshme.
Sipas tij, në thelb të kësaj marrëveshje duhet të qëndrojë njohja reciproke midis dy shteteve.
‘I mirëpritur dhe pozitiv lajmi i dhënë sot nga Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikë të Jashtme, Josep Borrell sipas të cilit “Serbia ra dakord të shfuqizojë dokumentet e hyrjes/daljes për mbajtësit e ID-së së Kosovës dhe Kosova u pajtua që të mos i prezantojë ato për mbajtësit e ID-së serbe’. Partia e Lirisë beson se vetëm nëpërmjet vijimit të dialogut të lehtësuar nga BE dhe SHBA, si dhe respektimit të frymës dhe vlerave europiane mes Kosovës dhe Serbisë, mund të arrihet në një zgjidhje e qëndrueshme në thelb të së cilës duhet të qëndrojë njohja reciproke midis dy shteteve”, u shpreh Meta.
Kreu i Partise Demokratike, Sali Berisha
Kryetari i PD-së Sali Berisha ka përshëndetur arritjen e marrëveshjes për dokumente Kosovë-Serbi, duke thënë se ajo paraqet një hap të rëndësishëm në normalizimin e marrëdhënieve midis dy vendeve.
Në një postim në rrjetet sociale, Berisha uron që mbi bazën e parimeve të barazisë dhe reciprocitetit, Kosova dhe Serbia të zgjidhin me sukses problemet e tjera të mëdha midis dy vendeve.
“Të dashur miq, Kosova dhe Serbia ranë dakord për zgjidhjen e problemit të dokumenteve bazuar mbi parimin e barazisë dhe reciprocitetit të kërkuar nga qeveria e Kosovës, d.m.th njohjen respektive të dokumenteve të njëra-tjetrës dhe lëvizjen e lirë të qytetarëve. Partia Demokratike ka mbështetur pa lëkundje zgjidhjen e këtij problemi të krijuar nga pala serbe mbi bazën e reciprocitetit dhe barazisë midis palëve.Me këtë rast, Partia Demokratike, duke vlerësuar lart kontributin e të deleguarve të veçantë per dialogun Kosovë-Serbi të BE dhe SHBA, Miroslav Lajçak dhe Gabriel Eskobar, si dhe të sekretarit të përgjithshëm të NATO-s (Jens) Stoltenberg përshëndet arritjen e kësaj marrëveshje si një hap i rëndësishëm në normalizimin e marrëdhënieve midis dy vendeve dhe uron që mbi bazën e parimeve të barazisë dhe reciprocitetit, parime universale në marrëdhëniet midis vendeve, Kosova dhe Serbia të zgjidhin me sukses problemet e tjera të mëdha midis dy vendeve”, thekson ai.
Sipas marrëveshjes së arritur, të dyja vendet kanë lëshuar pe duke hequr dorë nga dokumentet shtesë që ishin aplikuar prej kohësh në Serbi dhe do të lëshoheshin nga Kosova në kuadër të reciprocitetit, në rast të hyrje-daljeve në kufi.
/Argumentum.al