Anija “Libra” e marinës italiane, me 16 emigrantë në bord, 10 nga Bangladeshi dhe 6 egjiptianë, zbarkoi rreth orës 8:00 të mëngjesit të së mërkurës, 15 tetor, në Portin e Shëngjinit.
Por, nga 16 emigrantë që kanë ardhur në total, 14 do prej tyre do të dërgohen në Gjadër, 2 prej tyre janë kthyer drejt Italisë. Pas verifikimeve në qëndrën pritëse ata kanë rezultuar minoren dhe nuk mund të vendosen në kampin e Gjadrit.
Anija ushtarake italiane me emigrantët e parë u nis të hënën e 14 tetorit nga ishulli i Lampeduzës në Itali.
Pas mbërritjes, anija “Libra” u ankorua në port. Pas procedurave brenda anijes, rreth orës 10:00 emigrantët nën shoqërinë e forcave të sigurisë Italiane zbritën grupe-grupe dhe u vendosen në qendrën pritëse brenda portit të Shëngjinit.
Aty do të qëndrojnë në karantinë për disa orë, ku po kryhet verifikimi i tyre dhe kontrolli shëndetësor e më pas me autobus do të dërgohen në kampit e Gjadrit. I gjithë ky operacion i parë i këtij lloj u zhvillua nën masa të rrepta sigurie, ku krahas autoriteteve Italiane pati prezence dhe të policisë shqiptare.
“Në portin e Shëngjinit u ankorua anija “Libra” e marinës italiane, me 16 emigrantë në bord, të cilët pas procedurave të verifikimit do të akomodohen në kampin e ngritur në Gjadër, Lezhë. Policia e Shtetit ka marrë të gjitha masat për sigurinë dhe për zbatimin e procedurave të përshpejtuara kufitare” informoi sot policia.
Mbërritja e kontingjentit të parë të emigrantëve në Lezhë, pati vëmendje të madhe dhe nga mediat e huaja. Të shumtë ishin gazetarët dhe operatorët të cilët e ndoqën nga afër këtë proces, i pari i këtij llojit në Europë.
Kontigjenti i parë i emigrantëve që Italia nisi drejt Shëngjinit, është i përbërë nga 16 persona. Janë të gjithë meshkuj me origjinë nga Egjipti dhe Bangladeshi të cilët u kapën në det të dielën e 13 tetorit. Pak metra larg kalatës ku u ankorua anija ushtarake italiane ndodhet qendra pritëse e Shëngjinit, ku emigrantët do të ndalojnë për të paktën disa orë në pritje të procedurave burokratike. Aty ata fillimisht do të mund të bëjnë dush, të ndërrohen me veshjet e reja që do t’u ofrohen si dhe të ushqehen.
Më pas do të kalojnë procesin e identifikimit. Më pas do të transportohen drejt Gjadrit, i cili është funksional që prej javës së shkuar. Në qendrën e Gjadrit është ngritur edhe një paraburgim dhe është caktuar kontigjent oficerësh dhe policësh italianë për ruajtjen, kujdesin dhe procedurat.
Të hënën e 14 tetorit 2024, anija ‘Libra’ e Marinës Ushtarake italiane u nis nga Lampeduza drejt Shqipërisë për të sjellë grupin e parë të emigrantëve në kampin e emigrantëve në Gjadër. Ata u shpëtuan në det të dielën e 13 tetorit. Fillimisht në bord u krye një kontroll fillestar i emigrantëve për të verifikuar nëse ata plotësojnë kërkesat e përcaktuara në protokoll: të jenë me origjinë nga vende të sigurta dhe burra. Gratë, të miturit, personat e torturuar dhe të sëmurët dërgohen në Lampeduza dhe aty presin që kërkesa e tyre për azil të shqyrtohet nga komisionet territoriale.
Reagimi i BE-së
Ky i sotmi është operacioni i parë dhe pritet të vijojë me grupet e tjera. Kapaciteti për momentin është 400 persona dhe deri tani ka përfunduar 70% e strukturave pritëse dhe akomoduese, përfshi edhe logjistikën e nevojshme. Kampi është ndarë në disa seksione të veçanta, ku përfshihet edhe izolimi për personat që kryejnë krime apo seksioni i trajtimit procedurial para se të jepet apo refuzohet azili. Nëse refuzohet, emigrantët riatdhesohen në vendet e tyre.
“Reuters” e cilëson marrëveshjen për emigrantët si kontroverse, por thekson se është e parë dhe e vetmja midis një vendi anëtar të BE dhe një vendi të paanëtarësuar në union.
Kjo marrëveshje është vlerësuar edhe nga ndërkombëtarët, si kryekomisionerja e KE, Ursula von der Leyen, e cila theksoi se marrëveshja Rama-Meloni për emigrantët Itali-Shqipëri, mund të merret shembull edhe nga BE-ja.
Nënshkrimi i marrëveshjes Itali-Shqipëri
Marrëveshja me Italinë për emigrantët u firmos më 6 nëntor 2023 në Romë mes kryeministrit Edi Rama dhe kryeministres italiane Giorgia Meloni dhe ngjalli shumë detabe në të dy anët e Adriatikut, por pavarësisht kundërshtimeve u ratifikua me shumicë votash nga përlamentet e të dy vendeve.
Marrëveshja parashikon strehimin e rreth 3 mijë emigrantëve të kapur nga roja bregdetare italiane në ujërat ndërkombëtare. Zona brenda kampit të Gjadrit do të monitorohet nga policia italiane e cila qëndron ndërmjet ambienteve të punonjësve dhe refugjatëve.