Komisionerja për Zgjerim në Bashkimin Europian, Marta Kos tha se po e përshpejtojnë procesin e zgjerimit.
Duke folur në një panel diskutimi me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama dhe kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristjan Mickoski në Konferencën e Mynihut, ajo tha se BE-ja është duke punuar “dy deri në tri herë më shpejt” sesa më herët.
Mali i Zi dhe Shqipëria, Kos tha se mund ta përfundojnë pjesën teknike të anëtarësimit deri në vitin 2026 ose 2027.
“Duhet ta bëjmë një dallim midis pjesës teknike të procesit dhe pjesës politike. Sa i përket pjesës teknike, mund të themi se mund ta përfundojmë me Malin e Zi dhe Shqipërinë deri në fund të vitit 2026 apo 2027”, tha ajo.
Kos tha se pastaj vjen “pjesa politike” që përfshin vullnetin e shteteve anëtare.
“Aasnjë hap ose hap i rëndësishëm nuk mund të ndodhë pa vullnetin e shteteve anëtare”, tha ajo.
“Duhet të flasim seriozisht me shtetet anëtare, dhe po e bëjmë këtë, për të parë se çfarë mund të bëjmë. Pjesa teknike është e bazuar në meritë, por ekziston edhe vullneti politik. Dhe gjeopolitika, për të cilën fola në fillim, luan një rol të rëndësishëm”, tha ajo.
Rama më pas u pyet nga Ida Ruge, bashkëpunëtore e lartë për Politikat në Këshillin Europian për Marrëdhëniet me Jashtë, që ishte udhëheqësja e këtij diskutimi, nëse ky është “afat ambicioz për Shqipërinë” dhe se a beson se kjo mund të ndodhë.
“Epo, ajo që di është se kur filluam këtë proces, flokët e mi ishin krejt të zeza dhe mjekra ime ishte shumë më e rregulluar. Por, si një adhurues i madh i Netflix-it, do të thosha se pas asaj që pashë në këto dy ditë nën këtë çati, që ishte e mrekullueshme, Netflix mund t’i bëjë dy seriale: një për BE-në dhe një për SHBA-në. Seriali për BE-në do të ishte për një pacient me 27 mjekë – ishin 28, por njëri u çmend dhe e la spitalin. Ndërsa seriali për SHBA-në do të ishte një spektakël me një sheriff të vetëm”, tha kryeministri shqiptar, duke ironizuar me pjesën burokratike të procesit të anëtarësimit në BE.
Kos tha se “nuk mund të flas” për një afat real për anëtarësimin e të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE, sepse, siç tha, “ka dallime mes vendeve”.
“Por gjatë mandatit tim, ne mund të sjellim dy ose ndoshta tre shtete deri në fund të procesit të anëtarësimit, që do të thotë mbyllja e të gjithë kapitujve të negociatave”, tha ajo.
E pyetur se për cilat vende bëhet fjalë, ajo tha se “janë Mali i Zi dhe Shqipëria”, të cilat shtoi se po prijnë në këtë proces.