Jo vetëm lajm…
Një tjetër mik lindor. Ndryshe nga ata të Perëndimit, me të cilët është i detyruar të lidhë miqësi, teksa vërtitet prej vitesh korridoreve të Brukselit për të “lypur” pak integrim në Bashkimin Evropian.
Beogradi zyrtar, pasi ka pritur përmes një vizite madhështore liderin historik rus, Vladimir Putin, po bëhet gati të presë një tjetër mik që vjen nga toka aziatike, por edhe evropiane bashkë.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ka paralajmëruar publikisht vizitën e parashikuar në muajin qershor të liderit turk, Rexhep Taip Erdogan. Teksa ka lavdëruar ndërkaq edhe marrëdhëniet ekonomike dhe tregtare të vendit të tij me Turqinë, duke thënë se ndjehet krenar për marrëdhëniet e mira të këtyre vendeve.
“Jam krenar për marrëdhëniet shumë të mira midis Turqisë dhe Serbisë,” tha Vuçiç dhe vuri në dukje rëndësinë e përmirësimit të mëtejshëm të këtyre marrëdhënieve, pasi ai tha se duhet të bëhet edhe më shumë. Gjithashtu, a rikujtoi se gjatë Forumit të 49-të Ekonomik Botëror në Davos ka pasur rastin të takohet edhe me ministrin e Financave të Turqisë, Berat Albayrak.
“Me pa durim pres në qershor që të shoh presidentin turk Erdoğan në Beograd. Vizita është konfirmuar dhe ky është një lajm i mirë për ne”, tha Vuçiç, duke dhënë kështu sinjalet e hapura për një bashkëpunim me vendin që njihet si aleat i fuqishëm i Kosovës.
Sipas tij, vëllimi i tregtisë midis Turqisë dhe Serbisë do të rritet ndjeshëm, ndërsa marrëdhëniet politike edhe më tej do të përmirësohen.
Në këtë mënyrë, Serbia po u afrohet gjithmonë e më shumë partnerëve të saj lindorë, ndërsa Brukseli po e mban ende të lidhur me nismat e Procesit të Berlinit etj.
st.no