Në përgatitje për inaugurimin e presidentit të ri amerikan më 20 janar, zyrtarë të rendit dhe të administratës lokale të Uashingtonit po vënë në zbatim masa të papara sigurie për të shmangur incidente të ngjashme me protestat e dhunshme të një jave më parë në Kapitolin amerikan.
Agjencitë e zbatimit të ligjit që kanë detyrën për të garantuar sigurinë gjatë ceremonisë së inaugurimit të Presidentit të Zgjedhur Joe Biden më 20 janar janë të vendosura të mos lejojnë përsëritje të kaosit dhe dhunës që u regjistruan një javë më parë në Kapitol.
Ndërkaq, Presidenti Donald Trump ka bërë thirrje për shmangien e akteve të dhunës. Përmes një deklarate të nxjerrë nga Shtëpia e Bardhë, presidenti thotë se “i nxitur nga njoftimet për demonstrata të reja, bëj thirrje: JO dhunës, JO thyerjes së ligjit, JO vandalizëm i asnjë forme. Amerika nuk mishëron akte të tilla. U bëj thirrje Të Gjithë amerikanëve të ndihmojnë që të qetësojmë gjakrat dhe të ulim tensionet. Faleminderit”.
Dhjetëra mijëra forca të Gardës Kombëtare nga disa shtete do të vijnë në Uashington nga fillimi i javës së ardhshme. Kryebashkiakja e qytetit, Muriel Bowser, tha se ceremonia e inaugurimit shoqërohet me një numër sfidash, që nga pandemia e COVID-19 deri tek kërcënimet ekstremiste.
“Ata që vijnë për të demonstruar në mënyrë paqësore dallojnë nga protestuesit që sulmuan me dhunë Kapitolin. Besoj se do të vërtetohet që protestuesit në Kapitol ishin individë të organizuar dhe të stërvitur,” tha zonja Bowser.
Të martën, FBI-ja tha se kishte marrë 100,000 video dhe fotografi si dhe informata dhe ka hapur 160 çështje penale në kuadër të hetimeve.
“Jemi shumë të përqëndruar në akuzat për sulm ndaj shtetit. Po shohim mundësinë për ta trajtuar këtë incident si operacionet madhore kundër terrorizmit që kemi kryer jashtë vendit,” tha Steven D’Antuono, Drejtor i Zyrës Rajonale të FBI-së për Uashingtonin.
Goditja e terrorizmit të brendshëm shoqërohet me sfida unike krahasuar me terrorizmin ndërkombëtar.
“Ke të bësh me shtetas amerikanë që kanë një numër mbrojtjesh të ofruara me Kushtetutë. Ata e njohin sistemin dhe ligjin dhe e dinë se sa mund të bëjnë pa kaluar në aktivitet kriminal,” thotë analisti Said Javed.
Në përgjigje të pyetjes së Zërit të Amerikës, presidenti i zgjedhur tha se nuk ka frikë të bëjë betimin para Kapitolit, siç është tradita e inaugurimit.
“Por mendoj se është shumë e rëndësishme që të përqëndrohemi seriozisht tek ata individë, të cilët u angazhuan në akte sulmi ndaj shtetit, që kërcënuan jetët e të tjerëve, përdhosën pronën publike, shkaktuan dëme të mëdha. Ata duhen mbajtur përgjegjës,” tha zoti Biden.
Për disa javë me radhë autoritetet kanë vëzhguar aktivitetin në platforma dixhitale të ektremistëve të djathtë, të cilët bënin thirrje për sulm në Kapitol më 6 janar. Tani ata e kanë zhvendosur vëmendjen tek individët që kanë plane të organizojnë protesta të dhunshme me rastin e inaugurimit të presidentit të ri./voa