Një ngjarje e rëndë ka tronditur vendin në oret e para të mëngjesit, ku 4 persona kanë humbur jetën dhe 2 të tjerë kanë mbetur të plagosur, por nuk dihet nëse janë jashtë rrezikut për jetën.
Përplasja me armë zjarri ka nisur mes 2 familjeve pronare të dy hoteleve në zonë, vetëm 50 metra larg njëri-tjetrit, për disa shezlongë.
Konflikti që nisi verbal përfundoi në përdorimin e armëve, plumbat e të cilave i morën jetën Kujtim Ferracakut; dy pronarëve të hotelit tjetër Xhovani dhe Edmond Gocaj. Bashkë me ta humbi jetën dhe punonjësi i shezlongëve Myzerim Zeneli.
Ndërsa të plagosur kanë mbetur Hasan Ferracaku dhe Elmedin Tyli. Ky i fundit vetëm 17 vjeç.
Njoftimi i Policisë
Më datë 27.06.2021, rreth orës 00:30, në Pulaj Plazh, Velipojë, si pasojë e një konflikti të çastit, i cili është përshkallëzuar në përdorim të armës së zjarrit kanë mbetur të vrarë, shtetasit K. V. 59 vjeç, Xh. G. 25 vjeç , E. G. 38 vjeç dhe M. Z. 20 vjeç.
Si dhe janë plagosur shtetasit H. V. 54 vjeç, dhe E. D. 17 vjeç, të cilët dyshohen si autorë të përfshirê në konfliktin e armatosur.
Për hetimin dhe zbardhjen e ngjarjes menjëherë është ngritur një grup posaçëm hetimor me specialistë të strukturave hetimore në DVP Shkodër dhe të Drejtorisë për Hetimin e Krimeve ndaj Personit dhe Jetës në Departamentin e Policisë Kriminale në Policinë e Shtetit, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër.
Në ndihmë të Policisë vendore ka shkuar FNSH Shkodër dhe një grup i Forcave Speciale Renea.
Grupi hetimor po punon për zbardhjen e dokumentimin e plotë të rrethanave dhe shkakut të kësaj ngjarjeje./argumentum.al