Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka bashkoi zërin me komunitetin ndërkombëtar në samitin e Bucha-s për të dhënë mesazhin se pushtuesit për krimet e tyre do të vihen para përgjegjësisë dhe se nuk do të tolerohet pushtimi me mosndëshkim.
“Shqipëria bashkohet plotësisht me Deklaratën e Bucha-s për të evidentuar përgjegjësinë për krimet më të rënda, sipas ligjit ndërkombëtar, të kryera në territorin e Ukrainës sepse krimet e luftës nuk duhet të mbeten pa ndëshkuar. Ne po dërgojmë sot një mesazh të qartë se komuniteti ndërkombëtar është i përkushtuar të vërë para përgjegjësisë pushtuesit për krimet e tyre dhe se nuk do të tolerohet pushtimi me mosndëshkim”, u shpreh ajo në samitin virtual të Bucha-s që u mbajt sot, kur shënohet 1- vjetori i publikimit të pamjeve të masakrës së Buchas.
Bota, tha ministrja, u trondit nga pamjet.
“Ka kaluar një vit nga dita që bota u trondit nga pamjet e para në Bucha. E mbaj mend shumë mirë dhimbjen dhe zemërimin, po zemërimin që ndjeva kur i pashë ato pamje. Mendoj se si shumë njerëz të tjerë në botë, unë kisha jetuar me iluzionin se sa do Rusia të kishte sulmuar në mënyrë kriminale, ajo nuk do të arrinte në këtë nivel brutaliteti. Më kujtoi imazhet e rënda dhe shumë të ngjashme që vinin nga rajoni im, Ballkani Perëndimor, nga Bosnje-Hercegovina dhe nga Kosova, nga një luftë që shpresonim të ishte e fundit në Evropë“, u shpreh ajo.
Por shtoi Xhaçka, fatkeqësisht Bucha ishte vetëm fillimi.
“Në muajt e parë që kur lufta ka filluar, jemi bërë dëshmitarë të krimeve të pakuptueshme të kryera nga forcat ruse, vrasje, tortura, rrëmbime, rrënime qytetesh, përdhunimeve. Ne jemi bërë dëshmitarë të veprimeve të një shteti që pretendon se po lufton nazizmin në Ukrainë, ndërkohë që ai po përfshihet në rrëmbime masive dhe trafikim të fëmijëve”, deklaroi ministrja.
Xhaçka vuri në dukje se të gjithë mund të bëjnë më shumë për të ndihmuar Ukrainën derisa ta fitojë këtë luftë.
“Sigurisht që mos veprimi është një opsion. Dhe këtu, ne të gjithë mund të bëjmë më shumë, të mbështesim Ukrainën dhe popullin e saj heroik, që të mbrohen, derisa të fitojnë këtë luftë. Është hapi i parë që duhet të hedhim dhe më i rëndësishmi. Dhe çdo vend që e ka ndërmarrë këtë hap, duhet sot të ndihet krenar, sepse duke mbështetur Ukrainën, ne në fakt po i rezistojmë idesë së një rendi botëror, ku më i fuqishmi ka gjithnjë të drejtë. Por, është po aq e rëndësishme të bëjmë gjithçka që mundemi për ta vënë Rusinë para përgjegjësisë”, shtoi ministrja.
Ajo u shpreh se Shqipëria si bashkëpenmbajtëse për Ukrainën së bashku me Shtetet e Bashkuara të Amerikës në Këshillin e Sigurimit, është krenare që ka qenë ndër vendet e para që theksoi nevojën për llogaridhënie për krimet e kryera në Ukrainë.
“Në prillin e vitit të kaluar, më pak se dy muaj pas fillimit të sulmit rus, Shqipëria dhe Franca organizuan takimin e parë të formulës në Këshillin e Sigurimit kushtuar llogaridhënies në Ukrainë. Ne u inkurajuam kur vumë re që kaq shumë vende po bashkoheshin për të kërkuar vënien para përgjegjësisë të feredatës ruse për krimet e kryera prej saj. Shqipëria ishte një nga 42 vendet anëtare që luftën në Ukrainë e përcaktoi si objekt të punës së GJNP-së”, theksoi ajo.
Xhaçka vlerësoi si të guximshme punën e prokurorit të GJNP-së, Karim Khan për lëshimin e dy urdhër arresteve kundër presidentit rus, Putin dhe Komisioneres ruse për të drejtat e fëmijëve, M. Lvova-Belova hap ku për t’i vënë para përgjegjësisë për trafikimin dhe rrëmbimin e mijëra fëmijëve të pafajshëm ukrainas .
“Ka ardhur koha për të ndërmarrë hapin tjetër për krijimin e një Gjykate Speciale për sulmin kriminal kundër Ukrainës, e konceptuar si mekanizëm i krijuar nga Kombet e Bashkuara për të ndjekur penalisht individët përgjegjës për të. Kjo Gjykatë Speciale ad-hoc duhet të ngrihet në shembullin e gjykatave të Nurembergut dhe Tokios, të cilat gjykuan krime të bëra kundër paqes botërore dhe njerëzimit. Ajo duhet të hetojë dhe të ndëshkojë aktin e sulmit kriminal të Federatës Ruse në Ukrainë, duke siguruar kështu vënien para përgjegjësisë”, deklaroi ministrja.
Hapi përfundimtar në shmangien e luftrave periodike, shtoi ajo, është ti vësh shtetarët përgjegjës para ligjit.
“Fjalimi i Robert Jackson, më 1945, përpara Gjykatës Ndërkombëtare Ushtarake të Nurembergut është më i rëndësishëm sot se kurrë. Shqipëria bashkohet plotësisht me Deklaratën e Buch-ës për të evidentuar përgjegjësinë për krimet më të rënda, sipas ligjit ndërkombëtar të kryera në territorin e Ukrainës, sepse krimet e luftës nuk duhet të mbeten pa u ndëshkuar”, tha ministrja.