Dr.Uran Butka – Historian – Masakra e Tivarit vjen sot e plotë me dokumente arkivore nga arkivat shqiptare, jugosllave, britanike, amerikane, si edhe me dëshmi autentike të përjetuesve të masakrës nga Kosova dhe trevat shqiptare në Maqedoni e Mal të Zi.
Del pyetja: Përse kam hulumtuar dhe angazhuar kaq gjatë, për gati 25 vjet, për këtë ngjarje tragjike: Sepse është një masakër me përmasa ballkanike, sepse pati afër 4000 shqiptarë të pafajshëm të vrarë e mjaft të zhdukur, sepse kjo masakër është fshehur dhe vazhdon të fshihet nga politika, për të mos nxjerrë përgjegjësitë dhe fajtorët. Kjo është njëra anë, ajo e historianit, për të zbardhur dhe nxjerrë të vërtetën historike; ana tjetër botimi “Masakra e Tivarit” është edhe një homazh për të rënët, për të zhdukurit e pafajshëm, por edhe për familjet e tyre, që u lënduan dhe u persekutuan pa fund. Në këtë libër familjarët do të gjejnë emrat e të rënëve, janë botuar këtu listat e tyre.
Po le t’i kthehemi historisë.
Platforma politike dhe ushtarake e projektit të shtetit komunist jugosllav ishte projekti famëkeq i Çubriloviçit i 7 marsit 1937 dhe i 3 nëntorit 1944: “Dy janë mënyrat për spastrimin etnik të shqiptarëve: t’i zhdukim, ose t’i shpërngulim”. Masakra e Tivarit i përmbushi plotësisht këto synime antishqiptare.
Pikërisht në fillim të nëntorit 1944, komandave të Ushtrisë NÇJ iu dha, nga ana e organeve më të larta partiake dhe ushtarake të Serbisë, direktiva që të “vrisnin së paku 50% të banorëve shqiptarë”.
Ky gjenocid shpërfaqej hapur në formën e vrasjeve masive të shqiptarëve të Kosovës e të viseve të tjera shqiptare nga forcat e Ushtrisë NÇ të Jugosllavisë, të OZN-ës dhe nga detashmentet çetniko-drazhiste, por edhe me ndihmesën e formacioneve ushtarake NÇ të Shqipërisë.
Titoja, në cilësinë e komandantit të përgjithshëm të Ushtrisë NÇJ, i kërkonte E. Hoxhës kalimin e formacioneve të UNÇ të Shqipërisë në Kosovë e Jugosllavi, për të luftuar kundër “pushtuesve dhe reaksionit”. Kjo kërkesë u formulua në fund të muajit maj, u përsërit në korrik e gusht të vitit 1944. U ribë edhe më 26 gusht 1944 nga Shtabi i UNÇJ për Kosovën e Rrafshin e Dukagjinit, firmosur nga komandanti i këtij shtabi, Fadil Hoxha dhe komisari Boshko Çakiç.
Pala shqiptare u tregua e gatshme. Më 12 shtator 1944 komandanti i përgjithshëm i UNÇSH, E. Hoxha, i dha urdhër Korparmatës III të përgatiste dhe të niste menjëherë dy brigada për në Kosovë. Kështu u dërguan në Kosovë Brig. III dhe V nën komandën e Shefqet Peçit.
Dërgimi i brigadave partizane të Shqipërisë në Kosovë u mbajt në konspirativitet edhe për britanikët, ndonëse ata ishin aleatë dhe ndihmonin Luftën Nacionalçlirimtare në Shqipëri dhe Jugosllavi. Enver Hoxha porosiste Dali Ndreun, komandantin e Korparmatës I: “Të mos i tregohet inglizëve objektivi i brigadave V dhe III, që do të shkojnë në Kosovë”.
Titoja thirri brigadat dhe divizionet e Ushtrisë NÇ të Shqipërisë “për të luftuar kundër armikut dhe reaksionit”, por i përdori kryesisht në luftën kundër “reaksionit shqiptar”.
E.Hoxha e dinte mirë pse thirreshin brigadat nacionalçlirimtare të Shqipërisë në Kosovë, ndaj si një vasal i bindur dhe i ndërgjegjshëm për çka bënte, urdhëronte brigadat e Divizionit I : “Të asgjësohen pa mëshirë nacionalistët dhe reaksionarët shqiptarë brenda dhe jashtë kufijve pa treguar as më të voglën tolerancë”.
Në muajin nëntor 1944 u angazhuan në këtë luftë edhe Divizioni V dhe Divizioni, që u vunë nën urdhrat e Armatës V të Ushtrisë NÇ Jugosllave. Në urdhërveprimin e Armatës V të Jugosllavisë përfshiheshin edhe divizionet e Shqipërisë: “Të gjitha forcat reaksionare që do të takoni, të rrethohen dhe të shpartallohen me çdo kusht… Të çarmatosen njerëzit e dyshimtë dhe ata që nuk duan të mobilizohen me dëshirë, të digjen shtëpitë e tradhtarëve që rezistojnë dhe bëjnë fortesë… Të sekuestroni mallin e kriminelëve të arratisur. T’u theksohet katundeve që përshkoni se ai katund që bëhet strehë i gjaktorëve, do të dënohet…”.
Divizionet V dhe VI të Shqipërisë ndodheshin në Kosovë përgjatë muajve mars dhe prill të vitit 1945, kur u bë masakra, me në krye Ramiz Alinë, komisar dhe Gjin Markun e Rahman Perllakun komandantë. Këta rekrutuan mijëra shqiptarë të Kosovës dhe ua dorëzuan ushtrisë jugosllave, si mish për top, që i shpërnguli nga Kosova dhe i asgjësoi në Srem, Tivar etj.
Kemi në dorë radiogramet e shtabit të Divizionit V dhe VI dërguar Komandës së Përgjithshme të Ushtrisë NÇ të Shqipërisë gjatë muajve mars-prill 1945 e në vazhdim si edhe listat emërore të të arratisurve dhe vullnetarëve shqiptarë të Kosovës, që dorëzoheshin nga shtabet e diviz. V dhe VI tek ushtria jugosllave.
Ja edhe përgjigjja e Enver Hoxhës:
“T’arratisurit e dorëzuar në Divizionin tuaj, dërgojani Divizionit 52 të Serbisë”.
Për shoqërimin e tyre nëpër Shqipëri, nga Kukësi, në Pukë, Gomsiqe, Vau i Dejës, Drin, Bunë, Shkodër ishin caktuar disa batalione të Divizionit të 46-të dhe një batalion i Brigadës 27-të të Serbisë, si edhe një grup prej 50 ushtarakësh nga Armata IV. Në një dokument Enver Hoxha justifikohet para tutorëve të tij jugosllavë se nuk mundet t’i shoqëronte kolonat me kosovarë, sepse nuk kishte mjetet e nevojshme, por ai lejonte që ato të kalonin nëpër Shqipëri dhe urdhëronte Korparmatën në Shkodër që të bashkëpunonte me forcat ushtarake jugosllave (Radiogram dërguar Korparmatës III Shkodër).
Kalvari i masakrës nisi më 24 mars 1945, kur kolonat me kosovarë të rekrutuar dhunshëm u nisën nga Prizreni për në Kukës dhe kaluan nëpër territorin e Shqipërisë përgjatë muajve mars-prill. Të dhënat burimore ushtarake jugosllave tregojnë se u mobilizuan dhe u dërguan për në frontin e Adriatikut 13.323 rekrutë shqiptarë. Qeveria shqiptare, së pari lejoi që kolonat e ushtrisë jugosllave të hynin e të kalonin nëpër territorin e Shqipërisë dhe të asgjësoheshin shqiptarët e Kosovës të konsideruar “reaksionarë”.
Në një dokument të Ministrisë së Jashtme të Shqipërisë lexojmë: “Me mijëra kosovarë të pafajshëm janë pushkatuar në masë, ilegalisht dhe pa gjyq nga organet e UDB-ë. Në këto masakra të pashembullta ndaj popullsisë së Kosovës ka marrë pjesë Koçi Xoxe, në fillim të vitit 1945, kur në cilësinë si ministër i Brendshëm i Shqipërisë, ai autorizoi oficerët e UDB-së që të pushkatonin ilegalisht dhe pa gjyq, në tokën shqiptare, më tepër se 1000 kosovarë të pafajshëm”.
Natyrisht, ky është akti më antikombëtar dhe më i turpshëm i qeverisë komuniste shqiptare, kur lejua që të vriteshin shqiptarët në tokën shqiptare nga të huajt dhe u hesht plotësisht për këtë masakër, që përbën një gjenocid të pastër për motive politike dhe spastrimi etnik.
Qeveria shqiptare dhe E.Hoxha, këtë krim ia ngarkoi Koçi Xoxes, kur ai u dënua në vitin 1949. Mirëpo ministri i Brendshëm i Shqipërisë në vitin 1945 nuk ishte Koçi Xoxe (edhe ky kriminel) por Haxhi Lleshi, i cili lidhi marrëveshje me ministrin e Brendshëm të Jugosllavisë, Rankoviç dhe bashkëpunoi me të për asgjësimin e shqiptarëve të pafajshëm.
Nga raporti i shtabit të Kolonës IV të Armatës së Jugosllavisë, datë 8 prill 1945: “Eshaloni shkoi mirë deri në Kukës. Në afërsi të Kukësit ndodhi një incident, kur njëri nga grupi i kolonës gjuajti një bombë mbi rojën tonë. Me ç’rast u shkaktua rrëmujë dhe në këtë rrëmujë arriti të arratisej një grup prej 10 vetash. Kështu, duke ikur, hasi në patrullën e ushtrisë shqiptare, e cila i ndaloi dhe iu bëri thirrje që të dorëzohen. Ndaj kësaj thirrjeje, ata nuk u përgjigjën, por vazhduan të iknin. Ushtarët shqiptarë hapën zjarr mbi ta dhe vranë në vend dy persona, dy të tjerë i plagosën, të cilët më vonë edhe ata vdiqën”.
Siç shihet qartësisht nga ky dokument, asgjësimi i rekrutëve shqiptarë të Kosovës u krye në bashkëveprim të forcave ushtarake të Jugosllavisë dhe të Shqipërisë, në këtë rast brenda territorit të Republikës së Shqipërisë (nga dokumentet jugosllave).
Rekruti Azem Hajdini – Xani, i cili përjetoi tmerret e masakrës së Tivarit, por rastësisht shpëtoi nga vdekja dhe dëshmoi për këtë tragjedi kombëtare: “Kur hymë në territorin e Shqipërisë, u gëzuam pa masë, – parashtron Azem Hajdini – duke menduar se tash e tutje do të jemi nën përcjelljen e ushtarëve të shtetit tonë, Shqipërisë dhe se nuk do të përjetonim mizoritë, siç i kishim përjetuar vazhdimisht në Kosovë nga serbët, malazezët dhe maqedonasit. Shumë shpejt, pra, u bindëm se as këtu nuk kishte vend për gëzim, sepse skenari i parapërgatitur vazhdonte të realizohej me përpikmëri dhe ngase gjatë rrugës nëpër territorin e Shqipërisë, përcjellësit i shtonin torturat e vrasjet ndaj nesh. Ata nuk na konsideronin më si bashkëluftëtarë të tyre, madje as si robër të luftës… Neve nuk na konsideronin as si kope bagëtish”.
Sipas të dhënave të arkivave jugosllave në Kukës, Pukë, Fushë-Arrëz, Gomsiqe ranë në kanionin e thellë dhe gjetën vdekjen 36 rekrutë dhe 14 u plagosën; në Vaun e Dejës, në lumin Drin dhe në lumin Buna dhe në Shkodër gjetën vdekjen qindra rekrutë shqiptarë dhe u lënduan një numër i madh të plagosurish.
Në mesditën e datës 31 mars 1945, në qytetin e vogël të Tivarit, ishte ngritur kurthi, sipas një plani të parapërgatitur për asgjësimin e gjithë rekrutëve shqiptarë. Masakrën ishte ngarkuar ta kryente Brigada X malazeze, pikërisht në Tivar, qytet shqiptar, që përfshihej në Malin e Zi.
Kasaphana nisi në hyrje të Tivarit të Ri, mandej arriti pikun e saj në oborrin dhe në mjediset e ndërtesës së Monopolit të Duhanit, më 31 mars të vitit 1945. Sipas përllogaritjeve rezulton se vetëm në Tivar u vranë 1560 shqiptarë nga kolona e dytë. Edhe nga kolonat e tjera me rekrutë shqiptarë të mobilizuar kryesisht në viset shqiptare të Gostivarit, Tetovës, Kumanovës, Kërçovës dhe Shkupit gjatë marshimit nëpër Shqipëri të njëjtin fat patën.
Nëse përpiqemi të konkludojmë për numrin e saktë të të vrarëve në këtë tragjedi të përmasave ballkanike, numrit i rezulton shuma prej 3447 shqiptarësh të vrarë, të mbytur, të helmuar, përveç të zhdukurve që s’u gjenden kurrë në tragjedinë e quajtur të Tivarit.
Botimi “Masakra e Tivarit dhe përgjegjësia e shtetit shqiptar” është një trajtim shkencor, një përpjekje për të treguar të vërtetën e fshehur, për të reflektuar, por edhe një homazh për të vrarët e të zhdukurit e pafajshëm, që jo vetëm historia, por edhe politika i ka harruar.
Deri kur kështu?
gsh