Shoqata e Investitorëve të Huaj të Shqipërisë (FIAA) i ka dërguar ministres së financave, Anila Denaj, një kërkesë, për të lejuar shtyrjen e afatit të dorëzimit të pasqyrave financiare të vitit 2019 dhe raportit të auditimit mbi to, përtej 31 marsit 2020.
Në shkresën zyrtare thuhet se “nisur nga situata e përgjithshme e krijuar në vend nga përhapja e shpejtë e Koronavirusit, dhe në përgjigje të masave të marra nga Shteti ku një pjesë e mirë e punonjësve po qëndrojnë/punojnë në Shtëpi, jemi të vëtëdijshëm se ky fakt do të ngadalësojë ritmin e punës së Sipërmarrjes.
Të ndodhur në këto kushte, bizneset e huaja pranë FIAA’s po kërkojnë bashkëpunimin dhe mbështetjen e Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë për të lejuar shtyrjen e afatit të dorëzimit të pasqyrave financiare të vitit 2019, raportit të auditimit mbi to, deklaratës së tatimit mbi fitimin dhe njoftimit vjetor të transaksioneve të kontrolluara përtej 31 marsit”.
FIAA ka propozuar shtyrjen e këtij afati mundësisht deri në 30 prill 2020.
“Ne besojmë se kjo është një kërkesë e arsyeshme, që jemi të bindur edhe Biznese të tjera në vend do kërkojnë ta shtrojnë, në kushtet ku një pjesë e mirë e departamenteve të financës, si dhe kontabilistëve të jashtëm dhe audituesve janë të detyruar apo të këshilluar të punojnë nga shtëpia, të punojnë në mënyrë të kufizuar, apo të mos punojnë, për të paktën dy javët në vijim.
Gjithashtu, duke patur parasysh që pagesa e kësteve të tatim fitimit është subjekt i penaliteteve, shtyrja e afatit të dorëzimit të deklaratës së tatim fitimit dhe pagesës së tatimit mbi fitimin përtej 31 marsit, do të ketë një efekt te vogël në buxhetin e shtetit.
Duke shpresuar në bashkëpunimin tuaj për të gjetur një zgjidhje të përbashkët, ne shprehim gatishmërinë tonë dhe mbetemi në pritje të komunikimit tuaj”, përfundon shkresa e Shoqatës së Investitorëve të Huaj.
Më herët edhe bizneset vendase kërkuan që të shtyhej afati i dorëzimit të bilanceve, por drejtori i Përgjithshëm i Politikave Fiskale, Niko Lera pohon se nuk do të ketë shtyrje të afateve, pasi dorëzimi i deklaratave dhe bilanceve kryhet online.