Kur kanë mbetur edhe pak ditë nga skadimi i afatit për daljen e Britanisë nga Bashkimi Europian, në Londër kanë nisur protestat masive që kërkojnë një referendum të dytë. Nga ana tjetër, po artikulohet gjithnjë e më shumë mundësia e ikjes me apo pa dorëheqje e kryeministres britanike Theresa May.
Po ashtu nuk mungojnë as artikulimet e medias britanike se kush mund të jetë pasuesi. Daily Mail shkruan se Michael Gove mund të jetë kandidati konsensual që mund të bashkojë ata që duan daljen nga BE dhe ata që duan qendrimin në BE.
Po kush është Michael Andrew Gove?
Ai ka lindur në 26 gusht 1967 dhe është një politikan britanik i Partisë Konservatore. Ka qenë Sekretar i Shtetit për Edukimin, Sekretar i Shtetit për Drejtësinë dhe sëfundmi Sekretar i Shtetit për Ambientin, Ushqimin dhe Çështjet Rurale. Është anëtar i zgjedhur i Parlamentit që prej viti 2005. Është autor dhe analist për “The Times”.
I lindur në Edinburgh, ai është arsimuar në Oxford ndërsa karrierën e ka nisur si gazetar.
Në vitin 2016 ai luajti një rol të rëndësishëm në referendumin për anëtarësinë në BE si mbështetës I votës për dalje, sëbashku me Boris Johnson dhe Gisela Stuart duke u bërë një figurë kyçe e fushatës.