Në Tiranë mbahet Ministeriali i Ballkanit Perëndimor për Partneritetin e Qeverisjes së Hapur (OGP), me pjesëmarrjen e zyrtarëve nga disa vende.
Në takimin që organizohet nga Ministria e Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin në Qeverinë e Shqipërisë në fokus janë diskutimet mbi çështjet për transparencën, integritetin dhe llogaridhënien në administratë dhe institucione, sipas organizatorëve, si pjesë pandarë e rrugëtimit drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
Ministrja e Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin, Adea Pirdeni, në fjalën e saj në hapje të takimit tha se besojnë që Tirana tashmë po bëhet një qendër për këto lloj takimesh rajonale.
“Integrimi në BE dhe partneriteti për qeverisje të hapur janë të lidhura ngushtësisht. Angazhimet tona për qeverisje të hapur janë në përputhje me standardet e BE-së dhe aspiratat tona në udhëtimin tonë drejt integrimit në BE”, u shpreh ajo.
Pirdeni theksoi se Bashkimi Evropian ka mbështetur përpjekjet për të zbatuar praktikat e qeverisjes së hapur në të gjithë Ballkanin Perëndimor.
“Për ne sfidat nuk janë të panjohura, por ne e kuptojmë që nëse ecim përpara së bashku do të hedhim themele më të forta për shoqëritë tona. Bashkëpunimi në kuadër të kuadër të qeverisjes së hapur është objektiv i përbashkët dhe shprehje e fuqishme e aspiratave demokratike”, tha Pirdeni.
Më tej ajo shtoi se progresin në lidhje me qeverisjen e hapur e ndajnë me fqinjët në Ballkanin Perëndimor, në një rajon që sipas saj ka shumë të përbashkëta.
Pjesë e takimit dyditor janë zyrtarë të ministrive që kanë në fokus administratën publike dhe korrupsionin nga vendet e Ballkanit Perëndimor.
Sipas organizatorëve, takimi organizohet me qëllim promovimin e integritetit dhe transparencës institucionale, për të fuqizuar pjesëmarrjen e qytetarëve në qeverisje dhe për të shfrytëzuar teknologjitë e reja drejt forcimit të qeverisjes llogaridhënëse.