Sot në Helsinki, nën kryesinë e Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rute, Presidenti finlandez Aleksandër (Alexander) Stubb dhe Kryeministri estonez Kristen Mihal (Michal), do të jenë bashkarisht mikpritës të Samitit Balltikas të NATO-s me pjesëmarrjen edhe të Kancelarit gjerman Olaf Sholc (Scholz), Kryeministrit polak, Donald Tusk, kryeministrit suedez, Ulf Kristersson dhe kryeministres daneze, Mette Frederiksen.
Në këtë Mbledhje rajonale të Nivelit të Lartë të vendeve anëtare të NATO-s të shtrira rreth Detit Balltik, merr pjesë edhe zëvendëskryetarja e Komisionit të Bashkimit Europian, Komisionerja finlandeze Henna Virkunen.
Gjithashtu u konfirmua pjesëmarrja në Samit edhe e Presidentit lituanez Gitanas Nauseda dhe Presidentit letonez Edgar Rinkeviç (Rinkevičz).
Mini-Samiti i sotëm disa-orësh u thirr urgjentisht nga Finlanda dhe Estonia për të diskutuar mbi domosdoshmërinë e mbrojtjes së infrastrukturës nënujore dhe të forcimit të sigurisë në Rajon, kërcënuar rëndë muajt e fundit me dëmtime të vazhdueshme të tubacioneve të gazit dhe kabllove energjetike e telekomunikuese të shteteve bregdetare të Balltikut. Gjatë vitit 2024 në Finlandë u rregjistruan më se 2.800 raste mosfunksionimi të rrjetit GPS, kundrejt vetëm 200 rasteve të shënuara një vit më parë (2023).
Po me kërkesën e Finlandës dhe Estonisë, ditët e fundit në Detin Balltik është shtuar ndjeshëm prania e forcave detare dhe ajrore të NATO-s.