Liderët europianë kanë mbërritur në Tiranë në kuadër të samitit BE-Ballkani Perëndimor. Kjo është një ditë historike për vendin tonë, pasi për herë të parë do të mbahet një samiti përmasave të tilla. Presidenti i Këshillit Europian, Chales Michel dhe Presidentja e Komisionit Europian pritën nga kryeministri Edi Rama, ndërsa thanë së BE është e paplotë pa Ballkanin.
Deklaratat para te liderve
Në një prononcim për mediet Michel u shpreh se, “ky do të jetë një takim i rëndësishëm, një takim simbolik. Është hera e parë që mbajmë një samit të BE-së dhe Ballkanit këtu në një prej vendeve të rajonit”.
“Jam absolutisht i bindur që e ardhmja e fëmijëve tanë do të jetë më e sigurt dhe më e begatë me Ballkanin Perëndimor brenda BE-së dhe po punojmë sot në mënyrë që të shënojmë përparime”, tha Michel.
Michel theksoi se, “sot do të nënshkruajmë një marrëveshje për tarifat roaming dhe është një arritje konkrete në përputhje me atë çka kemi diskutuar në Brdo një vit më parë. Që do të thotë për bizneset, person me person, për turizmin. Ky është një hap shumë i rëndësishëm në drejtimin e duhur”.
Ai nënvizoi se “një tjetër element i rëndësishëm është mbështetja që duam t’i sjellim Ballkanit Perëndimor në raport me krizën energjetike dhe vështirësitë energjetike që janë pasoja të agresionit të Rusisë kundër Ukrainës dhe kjo tregon angazhimin tonë për të forcuar integrimin, për të forcuar bashkëpunimin me rajonin”.
Pra shtoi Michel, “është një moment i rëndësishëm dhe është emocionuese, sepse është hera e parë që këtu në rajon kemi këtë takim midis BE-së dhe Ballkanit Perëndimor. Kemi punuar shumë muajt e fundit për të shënuar përparime, për të përafruar, për të pasur bashkëpunim më të madh me Ballkanin Perëndimor”.
Ai përsëriti se, “ne jemi shumë të bindur se e ardhmja e Evropës dhe e ardhmja e fëmijëve tanë do të jetë më e sigurt dhe më e begatë me Ballkanin Perëndimor pjesë të Evropës”.
Gjithashtu shtoi, Michel, “progresi, reformat janë të nevojshme. Gjithsecili duhet të përmbushë përgjegjësitë e veta dhe natyrisht kjo është një etapë konkrete e afrimit me rajonin dhe kjo është e rëndësishme për ne”.
Komisioneri i Bashkimit Evropian për Zgjerimin dhe Fqinjësinë e Mirë, Olivér Várhelyi mbërriti sot në samitin BE-Ballkani Perëndimor që po mbahet në Tiranë.
Komisioneri Várhelyi takoi Kryeministrin Edi Rama, i cili pret pjesëmarrësit në nisje të këtij Samiti, i pari që zhvillohet në rajon.
Liderët e vendeve të BE-së, institucioneve evropiane dhe të vendeve të Ballkanit Perëndimor janë duke mbërritur për të nisur punimet e samitit.
Në një prononcim të shkurtër për mediet e shumta vendase dhe ndërkombëtare, Várhelyi u shpreh se, “anëtarësimi, kjo është ajo që duhet të ofrojmë, prandaj jemi këtu. Kjo është arsyeja pse për herë të parë zhvillohet ky samit në Ballkanin Perëndimor”.
Osmani: BE të lëvizë nga fjalët në vepra për liberalizimin e vizave për Kosovën
Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani deklaroi sot në Tiranë se beson fort se dialogu Kosovë-Serbi që udhëhiqet nga BE dhe mbështetet plotësisht nga SHBA është e vetmja mënyrë për të ecur përpara drejt një marrëveshjeje përfundimtare të përqendruar te njohja e ndërsjellë.
Në një prononcim për mediet para nisjes së samitit BE-Ballkani Perëndimor, Osmani tha se “Kosova ka treguar përkushtim ndaj BE-së në çdo veprim që ka ndërmarrë sidomos kur vjen fjala te harmonizimi 100% me BE për çdo politikë të jashtme”.
“Na duhet që BE të lëvizë nga fjalët në vepra sidomos kur bëhet fjalë për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës. Kosova do të paraqesë aplikimin për anëtarësim në BE në fund të këtij viti dhe shpresojmë fort për mbështetjen e plotë të vendeve anëtare të BE-së”, tha ajo.
Sipas saj, “të qëndrosh në krahun e duhur të historisë sot është më e pakta që duhet pritur prej nesh”.
“Për fat të keq, Vuçiç është vazhdimësi e një mendësie që ka ekzistuar në vitet ’90 në Serbi dhe është kjo mendësi që çoi në luftë e shkatërrim. Mendësi që duhet hedhur poshtë nga të gjithë. Ajo që po tregon Kosova këto ditë është e kundërta e asaj çfarë po tregon Vuçiçi, po shtrijmë dorën e bashkëpunimit edhe pse ata kurrë nuk kanë kërkuar të falur për krimet që kanë kryer”, tha ajo.
Osmani vlerësoi se ky samit që është një sipërmarrje shumë e rëndësishme si nga BE edhe nga Ballkani Perëndimor.
Për Vuçiç e rëndësishme ështe mbështetja e BE-së për energjinë
Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç deklaroi sot se Serbia mbetet e përkushtuar ndaj dialogut dhe e vendosur në rrugëtimin drejt Bashkimit Europian.
Gjatë deklaratës për mediet, para nisjes së punimeve të samitit BE-Ballkani Perëndimor që po mbahet në Tiranë, Vuçiç tha se vendosi të merrte pjesë në punimet e samitit për të thënë atë që mendon Serbia.
“Pati një sërë çështjesh të ndryshme. Disa reagime zyrtare për çështjen e Kosovës, për dialogun. Kjo ishte arsyeja kryesore, por në fund pas konsultimeve që zhvilluam brenda shtetit vendosëm të vinim e të diskutonim të gjitha çështjet, sepse do të kemi mundësi së paku të themi se çfarë mendojmë për këtë. Mbetemi të përkushtuar ndaj procesit të dialogut dhe negociatave me BE. Mbetemi të vendosur në rrugëtimin drejt BE-së, por na duhet të mbrojmë interesat tona shtetërore e kombëtare në përputhje me kushtetutën tonë”, u shpreh Vuçiç.
Vuçiç tha se gjatë samitit do të flitet dhe për energjinë dhe tarifat roaming, që janë lajme të mira për qytetarët. Sipas tij me rëndësi është dhe strategjia e BE-së për Ballkanin.
“Jam vetëm realistit, jam këtu të mësoj nga shumë njerëz, BE, rajoni dhe në fund të shpjegoj qëndrimin e Serbisë dhe besoj se do të marrim lajme të mira. Ka dy të tilla, që kanë të bëjnë me çështjen e energjisë, dhe tarifat roaming. BE kërkon harmonizim më të madh. Kjo nënkupton që është e rëndësishme të marrim mbështetjen e BE për çështjet e energjinë, në të njëjtën kohë dhe për roaming. Këto janë sinjale të mira, shenja të mira për të gjitha vendet tona në Ballkanin Perëndimor. Të tjera nga ato që do të dëgjojmë, do jetë strategjia e BE për të ardhmen. Kjo ka rëndësinë maksimale për ne”, theksoi ai.
Vuçiç foli dhe për kërkesën e Bashkimit Europian për t’u bashkuar në sanksionet kundër Rusisë.
“BE ka kërkuar harmonizim të plotë për Rusinë. Serbia është vend i pavarur, i dimë detyrimet tona përkundrejt rrugëtimit tonë drejt BE-së, i njohim detyrimet tona për harmonizimin me vendimet e BE-së. Por po kështu kemi një situatë ndryshe sa i takon integrimit territorial të Serbisë që është shkelur në mënyrën më të tmerrshme në ‘99 dhe në vitin 2008 dhe do ta diskutojmë sot me zyrtarët europianë. Serbia është shumë pranë Rusisë. Është një vend i pavarur. Gjatë 9-10 muajve të fundit keni dëgjuar se Serbia po ndiqte udhëzimet e Rusisë për të shkaktuar mungesë stabiliteti në rajon. Ne e kemi përgënjeshtruar, jo me deklarata, me vepra. Është e lehtë të ekspozohesh ndaj çdo lloj akuzash, falsiteti. E vërteta del dhe të gjithë e dinë të vërtetën. Serbia është një vend i pavarur dhe është e vendosur drejt rrugëtimit të saj në BE dhe kështu do të mbetet”, tha Vuçiç.
Kryeministri grek, Kiriakos Mitsotaqis, tha se Shqipëria dhe Greqia do ta gjejnë një zgjidhje për çështjen e detit.
Në fjalën e tij të shkurtër përpara gazetarëve, Kryeministri Mitsotakis shprehu mbështetjen për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian, por edhe të vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor.
I pyetur nga gazetarët edhe për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi dhe për dialogun mes tyre, Kryeministri grek theksoi se të dyja palët duhet të bëjnë një hap pas.
“Kemi inkurajuar dialogun midis Beogradit dhe Prishtinës që duhet të zhvillohet në mirëbesim. E kuptojmë kompleksitetin e çështjes, por jemi të vetëdijshëm që kjo çështje të zgjidhet dhe të dyja palët duhet të bëjnë një hap pas. Pa u zgjidhur kjo do jetë e vështirë të bëjmë progresin e nevojshëm”, u shpreh Mitsotakis.
“Do të gjejmë një marrëveshje për firmosjen e një dokumenti që të shkojmë në gjykatën ndërkombëtare. Jam optimist që edhe pala shqiptare do të bëjë pjesën e saj për të gjetur një zgjidhje”, tha ai.
Në këtë samit, do të jenë të pranishëm 27 liderë evropianë, shoqëruar nga delegacionet përkatëse.
Ndërkohë, krahas samitit, do të zhvillohet një protestë, e thirrur nga Partia Demokratike.
Kreu i kësaj force politike, Sali Berisha ka thënë se protesta do të mbahet në orën 12:00 para Kryeministrisë.
/Argumentum.al