Një avion me 267 trupa amerikane mbërriti të dielën në aeroportin ndërkombëtar “Nënë Tereza” si pjesëtarë të stërvitjes “Defender Europë 21”.
Kjo është stërvitja më e madhe ushtarake në rajonin Ballkanit që nga Lufta e Dytë Botërore, më e rëndësishmja në kuadër të NATO-s, që po zhvillohet në 7 baza të ndryshme ushtarake në Shqipëri.
Në këtë stërvitje marrin pjesë më shumë se 28 mijë trupa nga 26 shtete.
Shqipëria ka rol kryesor në këtë stërvitje si vend mikpritës dhe stërvitor, duke vënë në dispozicion disa baza ushtarake ajrore, detare dhe tokësore.
Ambasadorja e SHBA-ve në Shqipëri, Yuri Kim, dhe Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura gjeneralmajor, Bajram Begaj, pritën në aeroportin e Rinasit ushtarët nga Skuadra e 53-të Luftarake e Brigadës së Këmbësorisë.
Ambasadorja Yuri Kim e vlerësoi atë një ngjarje historike. “Shtetet e Bashkuara kanë shpenzuar 35 milionë dollarë në Shqipëri, duke punësuar qytetarë shqiptarë si shoferë, punëtorë ndërtimi, kuzhinierë dhe në çdo profesion tjetër. Kjo është shumë e rëndësishme dhe shpresojmë vazhdimin e saj në javët e ardhshme. Ne do të kemi më shumë se 6 mijë trupa këtu. Kjo nuk do të ndodhë njëherësh, por janë 6 mijë trupa të ndryshme, që do të kalojnë nëpër Shqipëri dhe besoj se në fund të kësaj, të gjithë do të kenë provuar mikpritjen shumë të rrallë dhe të mrekullueshme të Shqipërisë, kurse udhëheqësit ushtarakë do të mund të shikojnë vlerën strategjike të bashkëpunimit dhe aleancës sonë shumë të fortë me Shqipërinë”, – tha ambasadorja Kim.
Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura gjeneral-major Bajram Begaj u shpreh se kjo stërvitje ndodh për herë të parë në Shqipëri.
“Është një stërvitje komplekse që përfshin pjesë ajrore, detare dhe tokësore. Sot pjesa pjesë e ekipit të stërvitjes të forcës tokësore që do të bëhet në Bizë është dhe pjesa e ushtarakëve të mbërritur sot prej 276 personash. Kështu është një ngjarje historike jo vetëm për ushtrinë, por dhe për vendin tonë”, – tha gjeneral-major Begaj.
Kolonel Blake Glass, komandant i Skuadrës së 53-të Luftarake e Brigadës së Këmbësorisë e vlerësoi stërvitjen “Defender 21” si një rast shumë të mirë për bashkëpunimin me Forcat e Armatosura shqiptare.
“Defender Europe 21” është një stërvitje e përvitshme, që udhëhiqet SHBA për të rritur gatishmërinë dhe ndërveprimin midis ushtrive të Shteteve të Bashkuara, NATO-s dhe atyre të vendeve partnere.