Mbi 50 mijë fermerët në të gjithë vendin pritet të rrisin aksesin në shërbimet financiare bankare, e të pagesave, çka do t’i ndihmoj ato në rritjen aktivitet bujqësor dhe të investimeve të reja.
Qeveria shqiptare dhe Agjencia Japoneze për Bashkëpunim Ndërkombëtar (JICA) po mbështet përmirësimin e Përfshirjes Financiare në Shqipëri, nëpërmjet zbatimit të projektit “Përfshirja e Financiare e Familjeve të Vogla” në Shqipëri.
Projekti zbatohet në bashkëpunim me Ministrinë e Ekonomisë dhe Financave të Shqipërisë. Objektivi kryesor i tij është përmirësimi i përfshirjes financiare të familjeve të vogla rurale në Shqipëri, duke zhvilluar produkte dhe shërbime të reja financiare e
jofinanciare, të cilat në mënyrë fleksibile i përgjigjen nevojave të fermerëve.
Kjo arrihet duke forcuar kapacitetin e institucionit të FED invest, kompani lider në mikrofinancën shqiptare e cila ofron shërbime financiare në zonat rurale të vendit.
Në ceremoninë e dorëzimit të Sistemit Bankar (CBS) dhe pajisjeve kompjuterike në zyrën e mikrofinancës në Tiranë, Anila Denaj, ministrja e Financave dhe Ekonomisë u shpreh se “Qeveria Shqiptare dhe Qeveria Japoneze kanë raporte bashkëpunimi të hershme dhe ndër vite, është ndjerë bashkëpunimi ekonomik me Qeverinë Japoneze nëpërmjet ndihmave dhe bashkëpunimit teknik. Ku sektori prioritar në fokus të qeverisë japoneze ka qënë dhe është ende, kryesisht sektori i bujqësisë por edhe zhvillimi i ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme”.
Denaj theksoj se ky projekti “Asistencë Teknike nga Qeveria e Japonisë” është shumë i rëndësishëm për Shqipërinë dhe sektorin bujqësor, jo vetëm për vlerën financiare e cila është e konsiderueshme në 3.5 milionë euro për një kohëzgjatje 4 vjeçare, por sepse ky projekt synon të jetë një nga instrumentët në mbështetje të objektivave të Qeverisë Shqiptare mbi përmirësimin e jetës së qytetarëve përmes një rritjeje ekonomike cilësore dhe gjithëpërfshirëse, si dhe për krijimin e një sektori agro-ushqimor efikas, novator e të qëndrueshëm, punësim, përfshirje sociale dhe cilësi më të mirë jetese për banorët.
Bujqësia është një sektor i rëndësihëm për ekonominë e vendit dhe popullsia që jeton në zonat rurale, por është dhe një promotor i rëndësishëm në realizimin e misionit tonë të sigurimit të një game të gjerë produktesh dhe shërbimesh financiare, nëpërmjet një teknologjie moderne bankare, me qëllim zhvillimin, fuqizimin e ekonomive familjare dhe përmirësimin e cilësisë së jetës së tyre.
Ndërsa Makoto Ito, Ambasador i Japonisë në Shqipërisë tha se, dorëzimi i pajisjeve, në zyrat e FED invest, shënon finalizimin e fazës së parë të projektit “Përfshirja Financiare e Familjeve të Vogla në Shqipëri”.
“Sistemi Bankar Qëndror (CBS) dhe rreth 200 kompjutera tashmë janë blerë dhe të gjitha institucionet janë duke bashkëpunuar për dixhitalizimin dhe rinovimin e sistemit Banker në qëndrën e mikrofinancës. Ky është hapi i parë drejt forcimit të kapaciteteve të FED invest, i cili do të ndihmojë në përmbushjen e nevojave të fermerëve dhe atyre shtresave të shoqërisë të cilat aktualisht nuk i përfitojnë këto shërbime”- tha Ito.
Pajisjet e reja, do të ndihmojnë mikrofinancën të rrisë efikasitetin dhe të përmirësojë menaxhimin e operacioneve bankare, si dhe të përmirësojë dukshëm cilësinë dhe disponueshmërinë e shërbimeve financiare për klientët ruralë në Shqipëri.
“Kjo është një iniciativë me vlerë rreth 4 milionë euro, e cila synon ti sigurojë mbështetje rreth 50.000 familjeve të vogla që jetojnë në zonat rurale. Unë besoj se ky projekt do t’i sigurojë këtyre familjeve dhe ndërmarrjeve të vogla më shumë akses në shërbime financiare, si dhe një mundësi për të rritur të ardhurat, produktivitetin e tyre dhe për të përmirësuar kushtet e jetesës”, – tha ambasadori Ito.
Një nga tri rezultatet e këtij projekti është zgjerimi i shërbimeve financiare dhe jofinanciare duke rinovuar sistemin e tyre bankar (CBS), i cili pritet që të ofrojë një sërë produktesh dhe shërbimesh financiare, si shërbimet e pagesave, llogaritë rrjedhëse, banking i levizshëm përmes internetit për familjet rurale dhe ato shtresa të shoqërisë që aktualisht nuk i përfitojnë këto shërbime.