Nga DR. JORGJI KOTE
Ashtu siç pritej, mbas zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të datës 4 korrik në Mbretërinë e Bashkuar, rierdhi në pushtet mbas 14 vitesh në opozitë, Partia Laburiste e Keir Starmer. Me një fitore plebishitare, duke i shkaktuar Partisë Konservatore të Rishi Sunak disfatën më të rëndë në historinë e saj 190 vjeçare. Në Dhomën e Ulët me 650 vende, Laburistët kanë siguruar 410 nga 202 vende në zgjedhjet e vitit 2019; ndërsa konservatorët vetëm 119 nga 365 vende të mëparshme. Rekord tjetër ishte zgjedhja e 245 grave deputete, nga 220 më 2019. Ndaj, me të drejtë faqet dhe kronikat e medias britanike dhe në botë janë mbushur me tituj bombastikë” katastrofa zgjedhore e konservatorëve” ” tërmet, cunam” politik, Londra e kuqe” fitore spektakulare e laburistëve, etj.
Lideri i laburistëve nga viti 2019, 61 vjeçari Sir Keir Starmer është i pari Kryeministër që vjen nga një familje e thjeshtë punëtore. Avokat i shquar i të drejtave të njeriut, ai erdhi në krye të Partisë 4 vite më parë, ndonëse më 2019 kishte humbur në zgjedhjet e pjesshme dhe po mendonte dorëheqjen nga politika aktive, në të cilën hyri kur ishte 50 vjeç. Mirëpo, siç pohon ish këshilltari i Tony Blair, Alastair Campbell ” Starmer u kthye nga një njeri që s’mund të fitonte, në një lider që s’mund të humbasë.”
Starmer zëvendësoi paraardhësin e tij, marksistin Jeremy Corbin, i cili veç pikpamjeve radikale të majta, mosbesimit të gjerë te publiku për staturën e tij politike që nuk premtonte për t’u bërë kryeministër, grindjeve të brendshme dhe përjashtimeve të kundërshtarëve, e ” mbushi kupën” kur doli në publik me pikpamje anti-semitiste, të cilat e dëmtuan dhe më rëndë imazhin publik të Partisë. Starmer me tonet e veta të moderuara ka meritën e madhe se i ktheu laburistët nga kryesisht një lëvizje protestash të ashpra dhe anti-semitiste në një parti serioze, me alternativa tërheqëse dhe gjerësisht të pranuar nga publiku.
Natyrisht këto hapa dhe lëvizje patën ndikimin e tyre madhor në fitorën e bujshme të laburistëve.
Gjithsesi, pranohet gjerësisht se 4 Korriku ishte më tepër disfata e pashembullt e konservatorëve që i ” dhuroi” fitoren e thellë laburistëve. Sepse, siç pohon eksperti i mirënjohur i Kolegjit Mbretëror në Londër, Anand Menon, ” këto zgjedhje kishin të bënin me të kaluarën, me konservatorët dhe me bilancin e tyre politik”.
Disfata e konservatorëve u paralajmërua në zgjedhjet bashkiake të datës 2 Maj të këtij viti ku ata humbën pothuajse të gjitha qytetet më të mëdha, duke dështuar dhe në Londër. Ishte ajo humbje e turpshme që e detyroi Kryeministrin Sunak të ngutej në mënyrë të çuditshme, duke shpallur zgjedhjet e parakohshme parlamentare, edhe pse mund të priste se asgjë më shumë nuk do të humbiste.
Le ta themi qysh në krye të herës se britanikët u treguan shumë dorëlëshuar dhe të duruar me qendrën e tyre të djathtë; ata pritën dhe këto 5 vite me shumë shpresa dhe pritshmëri mbas ” divorcit” me BE-në në janar të vitit 2020.
Mirëpo, në vend që të shijonin frytet e premtuara dhe të shumëpritura të BREXIT, ata vazhdonin të vuanin nga vështirësitë ekonomike, rritja e inflacionit, shtimi i frikshëm të imigrimit të paligjshëm, shtrenjtimi i papërballueshëm i kostos së jetesës dhe shumë mungesa të tjera. Në vend të rritjes ekonomike të premtuar, ndodhi rënia e saj me mbi 4 për qind. Po ashtu, premtimi për nënshkrimin e marrëveshjeve tregtare me vende të tjera të botës, për të kompensuar demek humbjet e daljes nga BE-ja ka mbetur në vend numëro. Zotim tjetër i bujshëm dhe i pambajtur ishte realizimi i përfitimeve javore neto prej 445 milon Euro për sistemin shëndetësor. Jo vetëm që nuk u bë asgjë, por shëndetësia britanike u katandis dhe më keq akoma, me radhë të gjata e të pafund, rënie të standardeve, etj. Dhe më keq e ka pësuar imigracioni i paligjshëm.
Më tej, në kundërshtim me traditën e gjatë të së djathtës për një shtet të vogël, gjatë viteve të fundit, sipas studiuesit të mirënjohur britanik, John Curticer, në 10 vitet e fundit ka ndodhur fryrja më e madhe e administratës shtetërore mbas vitit 1945!
Të pallogaritshme janë humbjet në sistemin e arsimit, te programet e shumta rinore, arsimore, kulturore dhe shkencore. Ndërkohë, britanikët duhet të zenë rradhën për vizë për të shkuar me pushime në vendet e BE-së.
Këtë realitet të zymtë e pranojnë dhe shumë ekspertë, kundërshtarë dhe mbështetës të Brexit. Kështu, Alastair Campbell, këshilltari i ish Kryeministrit britanik Tony Blair pohon se “ Brexit ishte katastrofë mbasi, veç rënies së madhe ekonomike tani jemi më të dobët në botë, sepse kemi humbur një pjesë të respektit dhe ndikimit që buronte nga anëtarësia jonë në BE”. Brexit krijoi probleme dhe të çara më të mëdha dhe në aspektin gjeopolitik.
Ja pse, veç atyre 48,1 për qind që votuan kundër BREXIT, dhe vetë shumicës së mbështetësve të tij u kishte ardhur ”në majë të hundës” sepse mbas daljes nga BE-ja, gjërat për ta ”kishin rënë nga shiu në breshër”
Ndonëse u bënë të gjitha tentativat politike dhe institucionale deri në ndryshimet e shpeshta në qeveri dhe në të gjitha dilasteret. Kështu, u ” flijuan” 5 kryeministra brenda 10 viteve që nuk ka ndodhur asnjëherë në historinë e Britanisë së Madhe – Cameron, May, Johnson, Truss dhe Sunak. Por sërish asgjë, më shumë ” fjalë të mira dhe gurë në trastë”. Madje vetë atyre u eci shumë ters dhe në zgjedhjet e tanishme. Kështu, Liz Truss, ndër partizanet më të zjarrta të Brexit humbi dhe si deputete në zonën e saj. Kjo iu shtua rekordit të saj si kryeministrja më jetëshkurtër britanike, vetëm me 49 ditë në ”Downing Street 10”. Kur u emërua kryeministre, një gazetë bulevardeske britanike kishte botuar foton e saj anas një sallate me pyetjen se kush do të ishte më jetëgjatë. ” Garën” e fitoi sallata!
Ja pse gjatë kësaj fushate pothuajse nuk u fol dhe nuk u debatua fare për BREXIT! Sikur Brexit të mos kishte ekzistuar në historinë e këtij vendi të madh, dhe pse as 5 vjet nuk kanë kaluar nga 31 janari 2020, kur Londra u nda përfundimisht me Brukselin dhe Brexit u bë kryefjala dhe kryengjarja politike që ”pushtoi” kancelaritë perendimore, faqet dhe kronikat e para të shtypit dhe medias në Europë, SHBA dhe më gjerë.
Të gjithë e mbajmë mend se si fitorja e Brexit më 23 Qershor 2016 u festua nga forcat populiste dhe ekstremiste, me pompë, bujë dhe shampanjë, në Londër, por dhe në Europë, sidomos në Paris por jo vetëm. Marine Le Pen, liderja e ekstremit të djathtë ”Tubimi Kombëtar” i përgëzoi me të madhe britanikët, të cilët sipas saj « u çliruan nga skllavëria europiane me fitoren e Brexit si ishte ngjarja më e rëndësishme mbas rënies së Murit të Berlinit”.
Dihet pastaj se si Brexit hyri në modën politike, si pikë referuese dhe model joshës për « exit-e » të tjera. Kudo flitej për « frexit, italexit, grexit, belxit e kështu me radhë.
Mirëpo koha si gjykatësi më i mirë dhe tërmeti politik i 4 Korrikut në Londër vërtetuan se konservatorët britanikë dhe radikalët e tyre gabuan rëndë me Brexit, duke dalë ” me këpucë të kuqe” nga BE-ja.
Ja pse katastrofa zgjedhore e 4 korrikut konsiderohet me të drejtë si ndëshkimi i rreptë dhe çmimi i lartë që konservatorët britanikë duhej të paguanin më në fund për atë eksperiment të dështuar!
Fitorja e thellë e laburistëve përcjell disa mesazhe premtuese dhe shpresëdhënse brenda dhe jashtë Mbretërisë së Bashkuar.
Së pari, për forcat social-demokrate në Europë dhe në Amerikë, shumë prej të cilave po lëngojnë nga mosbesimi dhe gërryerjet e mëdha të elektoratit, sidomos në Francë, Gjermani, dhe gjetkë.
Së dyti, disfata e rëndë e konservatorëve është lajm i keq dhe dekurajues për të gjitha ato forca ultra të djathta që ndonëse në pamje të parë duket se ”kanë ndëruar pllakë” e nuk flasin më për daljen nga BE-ja, sërish nuk kanë hequr dorë nga synimet për shthurjen dhe shkatërrimin e saj, tanimë ” duke e ribërë dhe duke e marrë kalanë nga brenda” nëpërmjet promovimit të demokracisë jo liberale, apo duke e ” bërë Brukselin si Roma” siç ka pohuar kohët e fundit liderja e ekstremit të djthtë Meloni, etj. Ndaj, për këtë qëllim ato synojnë as më shumë dhe as më pak të vijnë në pushtet në mënyrë demokratike, me votë në vendet kryesore, me qëllim që të realizojnë në mënyrë ligjore dhe institucionale objektivat e tyre për tjetërsimin e BE-së.
Kjo fitore vjen në kohën e duhur, si një mesazh shprese për forcat e moderuara, të majta dhe të djathta në Francë, që të mos lejojnë ardhjen në pushtet, ca më pak me shumicë absolute të ”Tubimit Kombëtar”, nesër të AfD në Gjermani e kështu me radhë.
Tepër e rëndësishme, ardhja në pushtet e laburistëve pro-europianë do të jetë me rrjedhoja pozitive për forcimin e bashkëpunimit dhe partneritetit me BE-në. Kjo është me shumë rëndësi në kushtet dhe rrethanat e tanishme të përballimit me disa kriza dhe konflikte ushtarake mbas agressionit rus kundër Ukrainës, kriza në Lindjen e Mesme, gjendja në Ballkanin Perendimor, rreziqet që vijnë nga veprimet agresive serbe, dhe pse « ajo po luan me disa porta, perendimore dhe lindore” , etj.
Ndaj liderët europianë shpejtuan me të drejtë ta përgëzojnë fitoren e laburistëve dhe Kryeministrin Starmer. Natyrisht nuk bëhet më fjalë për një ri-anëtarësim të Mbretërisë së Bashkuar në BE; ca më tepër se sipas sondazheve më të fundit në të gjitha vendet e BE-së, një shumicë bindëse janë kundër.
Së fundi dhe më e rëndësishmja, tani laburistët me atë shumicë të bujshme përballen me përgjegjësi po aq të mëdha dhe përcaktuese për fatin e tyre, të vendit dhe më gjerë; ata lipset menjëherë të fillojnë të tregojnë me fakte dhe në terren se do të mbajnë premtimet e tyre dhe do të tregohen të denjë për besimin e gjerë plebishitar. Vetëm kështu, 4 korriku historik 2024 nuk do të shënojë dhe ca më pak nuk do të mbahet mend vetëm si ndryshimi i qeverisë, por mbi të gjitha si ndryshimi cilësor i kursit të qeverisjes”.
© 2024 Argumentum