Ekskluzivisht për ARGUMENTUM
Nga Dr. Jorgji KOTE
Kjo krizë u pa më qartë në zgjedhjet parlamentare të këtij viti në gati 20 vende dhe ato për Parlamentin Evropian më 25 Maj. Deri tani vonë ishin pothuajse kudo të dy partitë e qendrës së djathtë e të majtë që alternoheshin me njera tjetrën në pushtet, duke përfshirë dhe “koalicionet e mëdha” mes tyre, sidomos në Austri dhe Belgjikë, por 10 vitet e fundit dhe në Gjermani. Pikërisht ky sistem që megjithë difektet ka funksionuar, është vënë në pikpyetje mbijetese, duke vështirësuar zgjidhjen e problemeve dhe krizave që vitet e fundit janë shtuar ndjeshëm.
Shkaku dhe faktori i parë kryesor ndikues është gërryerja e besueshmërisë dhe elektoratit të partive konservatore dhe atyre social-demokrate pas krizave të rënda të njohura. Gjithsesi, më rëndë janë goditur partitë social – demokrate dhe socialiste që mund të thuhet vërtet se tani ” numërohen me gishta” në pushtet. Ato nuk qeverisin askund vetëm ( me përjashtim të PS-së sonë) por vetëm në koalicion në Spanjë, Portugali, Danimarkë, Belgjikë Holandë, Gjermani, Itali, Luksemburg e në ndonjë vend tjetër të vogël. Kurse në Rusi, Francë, Greqi, etj ato pothuajse janë shuar, kanë ndryshuar emrin dhe janë pjesë fraksionesh të lëvizjeve të tjera politike por pa peshë.
Më fatkeqja është PS në Francë, e cila pas rezultatit poshtërues 6 për qind në zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare 2017 u detyrua të shiste dhe selinë e saj të famshme. Bëhet fjalë për një parti të madhe nga e cila në 30 vitet e fundit kanë dalë dy presidentë, sidomos legjendari Mitterand, ai i Komisionit Evropian, emblematiku Jacques Delors, i Internacionales Socialiste Pierre Mauroi dhe disa kryeministra. Dhe më keq e pësoi PASOK i lavdishëm i Andrea Papandreut që në 40 vitet e fundit ka ” bërë ligjin” në Greqi. Tani ai figuron me emrin KIDAL ( Lëvizja për Ndryshim) bashkë me dy parti të tjera. Në zgjedhjet e 7 korrikut Kidal siguroi vetëm 8 për qind të votave që u ndanë me dy forcat e tjera politike.
Shkak tjetër i krizës së lidershipit tradicional dypartiak është forcimi i partive të ekstremit të majtë, por sidomos të djathtë, dhe i të Gjelbërve kohët e fundit, pas krizës së klimës. Kështu, Italia u bë në Mars 2018 vendi i parë ku erdhën në pushtet partia populiste “5 Yjet” dhe “Lega Nord”, kurse në Austri në koalicion me të djathtën e qendrës. Në Gjermani, në zgjedhjet federale të vitit 2017 u futën për herë të parë në Bundestag 93 deputetë të ekstremistëve të “Alternativa për Gjermaninë” (AfD). Ndërkohë, ajo ka avancuar shumë në landet lindore ku në zgjedhjet lokale në shtator dhe Nëntor u rendit e treta me dyfishimin të votave, duke lënë pas social-demokratët.
Në zgjedhjet e këtij viti vetëm të djathtët e “Nea Demokracia” në Greqi dhe “ PiS” në Poloni fituan dhe qeverisin të vetme pas një periudhe të gjatë kohe. Rast të veçantë paraqet Franca ku qeveris i vetëm Macron me Partinë e tij centriste “ En Marche” Por meqenëse PS, siç u tregua më lart nuk ekziston më si alternativë tradicionale dhe republikanët janë dhe ata “ specie” në zhdukje, Blloku Nacionalist i Le Penit mbetet kërcënim serioz për
Macron bashkë me demokracinë në Francë dhe në Evropë. Ndaj dhe kërkohet mirëkuptim për disa hapa dhe lëvizje politike të tanishme të Macron që do të vijojnë dhe javët e ardhshëm, përfshirë azilin dhe negociatat me vendin tonë.
Kriza e sistemit drejtues dypartikak po ndihet shumë dhe në Spanjë. Gjatë katër viteve të fundit atje janë zhvilluar katër palë zgjedhje parlamentare, të fundit në prill dhe më 10 Nëntor. 2019. Pas ” dorzimit “të Partisë popullore të djathtë, u mendua se lideri karizmatik socialist, Pedro Sanchez do bëhej pika e re e madhe e referimit për social – demokratët evropianë të mbetur ” jetimë” Mirëpo pas fitores në zgjedhjet e Prillit ” ai i ” bëri shume naze” të majtëve të Podemos lidhur me krijimin e një koalicioni qeveritar; zbatoi këshillat e gabuara të strategëve të tij zgjedhorë që e siguruan se do të fitonte shumicën absolute me përrsëritjen e zgjedhjeve të prillit më 10 nëntor. Mirëpo ndonëse doli sërish i pari, PS e tij humbi tre vende dhe u detyrua t’i lutej Podemos, duke rënë dakord për një koalicion të ri qeveritar. Eshtë zgjidhja më e mirë e mundshme, ndryshe vendi do të shkonte prapë në zgjedhje, fati i të cilave mund të rezultonte ndëshkim për Sanchez. Kjo për shkak dhe të eskremistëve të djathtë të “ VOX të cilët fituan një milion vota më shumë, me 52 nga 24 deputetë në zgjedhjet e muajit Prill.
Prishja e dypartizmit kërcënon seriozisht edhe Gjermaninë me CDU dhe SPD, dy partitë tradicionale më të mëdha dhe më të vjetra në Evropë. As gjasat për zgjedhjet federale 2021 nuk duken të mira, sidomos për SPD, e cila ka muaj pa kryetar pasi ka ndryshuar tetë të tillë brenda 15 viteve të fundit!. Pikiata e SPD-së ndodhi në zgjedhjet bashkiake në landin ish-lindor të Tyringenit më 1 Nëntor, ku u katandis në nivelin 8,2 pë qind, më i ulti i 160 viteve të saj!. Kurse të Gjelbërit dhe AD-ja u renditën të dytët dhe të tretët me pretendime dhe më të mëdha në të ardhmen. Dhe në Munih ku ka sunduar për 7 dekada rresht e vetme CSU “motër” e CDU-së së Merkel, u detyrua të bëjë koalicion me të Gjelbërit.
Shkak tjetër është dhe mungesa kronike e liderëve karizmatike, me vizion dhe guximtarë politikë; që të paktën t’u afrohen gjigandëve të këtyre dy formacioneve tradicionale – De Gol dhe Mitterand, Adenauer/Kohl dhe Brandt, Thatcher/Blair, Gonzales/Aznar, Suarez/Barroso, Stoltenberg, Peres/Sharon, Andreoti/D’Alema, etj.
Për pasojë, të dy grupimet më të mëdha në Parlamentin Evropian, EPP dhe S&D në zgjedhjet e 25 Majit ndonëse i mbajtën dy vendet e para, pësuan “ firo” të mëdha, përkatësisht me 40 dhe 30 eurodeputetë më pak se më 2014, madje më pak se dhe më 1999, kur BE kishte 15 nga 28 antarë që ka sot!! Për pasojë, këtij “ binomi” partiak tradicional tani u duhet detyrimisht konsensusi i liberalëve dhe të Gjelbërve për çdo veprim dhe vendim. Kësisoj, dypartizmi tradicional partiak « nuk pin më ujë » as në Europarlament.
Padyshim që këto zhvillime negative për fatet e demokracisë liberale janë kambana alarmi dhe për tradicionalet PD dhe PS në Shqipëri. Ato kërkojnë analizat dhe nxjerrjen e mësimeve përkatëse, pavarësisht specifikave “ sui generis” alla shqiptare të forcave tona politike. Me synim njohjen dhe shmangien e tyre, sepse nuk jemi aspak të imunizuara prej tyre; madje as antarësimi në BE dhe NATO nuk japin garanci në këtë drejtim.
/argumentum.al/
© Argumentum